Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 1 shtator 2024

  • Published in Kanada

Baffin Island

 

-Québec, një tërmet me magnitudë 4.6 lëkundi sot në mëngjes provincën

-Ontario, më shumë se 4,000 convenience store kanë marrë liçencë shitje alkooli

-British Columbia, konsultime publike mbi menaxhimin e buxhetit të Metro Vancouver

-Alberta, reagim hezitues ndaj masave të Parks Canada për të lehtësuar rindërtimin e Jasper

-New Brunswick, qeveria arrin marrëveshje me sindikatën e infermjerëve

-Nova Scotia, shpërndahen në Halifax mbi 1000 çanta dhe material shkollor për familjet në nevojë

-Prince Edward Island, shkalla e krimeve të dhunshëm më e lartë se mesatarja kombëtare

-Newfoundland and Labrador, pritet shtrëngim i rregullave për celularët në shkolla

 

Québec - Një pjesë e banorëve të Québec kanë ndjerë lekundje tërmeti sot (01.08) rreth orës 5:45 të mëngjesit. Epiqendra e tërmetit me magnitudë 4.6 (shkalla Richter) ishte në Pierreville, në qendër të provincës. Lëkundjet u ndjenë në rajonet Mauricie, Centre-du-Québec, por edhe në Charlevoix dhe Bas-Saint-Laurent, duke përfshirë Greater Montreal, Laurentides dhe Outaouais. Nuk janë raportuar të lënduar apo dëme në Pierreville, një bashki e vogël me rreth 2000 banorë. Megjithatë, disa banorë të zonës janë ndjerë të frikësuar. “Mu duk sikur dyshemeja po më rrezohej poshtë këmbëve”, ka raportuar për Radio-Canada njëri prej tyre, duke shtuar se kishte dëgjuar edhe një zhurmë të madhe, aq sa kish menduar se mos ishte një kamion i madh që po hynte në ndërtesë. Kryetari i bashkisë Pierreville, André Descôteaux, ka rikujtuar se një tërmet i ngjashëm ka ndodhur gjithashtu rreth tridhjetë vjet më parë. Ai posaçërisht ish ndjerë i shqetësuar sot në mëngjes se mos lëkundjet kishin dobësuar tokën, sepse vitet e fundit në territorit e Pierreville kanë ndodhur dy rrëshqitje dheu. Pas kontrolleve, fatmirësisht nuk janë konstatuar dëmtime. Sizmologu në pension Reynald du Berger ka shpjeguar se nëse tërmeti do të shkaktonte këto lloj pasojash, ato do të kishin ndodhur tashmë. Ai ka theksuar se një tërmet me magnitudë 4.6 është i pazakontë për këtë rajon të provincës dhe beson që ky i sotmi ishte një episod i izoluar.

Ontario - CBC ka raportuar se pas vendimit të shpallur nga qeveria e Doug Ford për liberalizimin e shitjeve të alkoolit, Komisioni i Alkoolit dhe Lojërave të Ontarios ka akorduar deri më tani 4,146 licenca për shitje alkooli për convenience store në provincë si dhe 177 për dyqane ushqimore të mëdha.  Një zëdhënës i Komisionit saktësoi se shumica e të liçensuarve kishin tashmë një leje, për shembull për shitjen e biletave të lotarisë, dhe për këtë arsye e kishin kaluar fazën e verifikimit. Kryeministri Doug Ford premtoi gjatë fushatës zgjedhore të 2018-ës se do ta lejonte shitjen e alkoolit në convenience store. Komisioni i ka kujtuar subjektet që kanë marrë një leje, se ato nuk mund të fillojnë të shesin alkool përpara datës 5 shtator. Bizneset e interesuara mund të paraqesin ende një kërkesë. 450 dyqanet ushqimore që kishin tashmë një liçencë për të shitur verë, birrë dhe sidër, që nga 18 korriku kanë nisur të shesin gjithashtu kokteje të gatshme për t’u pirë dhe kuti me 12, 24 ose 30 kanaçe apo shishe birre. Dyqanet ushqimore dhe dyqanet e mëdha që do aplikojnë për një leje të re nuk do të mund të fillojnë shitjen e pijeve alkoolike përpara datës 31 tetor. Qeveria Ford ka ripërsëritur se kjo politikë e re synon të ofrojë më shumë zgjedhje dhe komoditet për ontarianët. Ndërkohë, dyqanet e LCBO mbeten të vetmet që shesin pije alkoolike si vodka, xhin dhe uiski.

British Columbia - Deri më 16 shtator, banorët e 21 bashkive të Lower Mainland, një zonë zgjedhore dhe një komunitet autokton, që përbëjnë Metro Vancouver, mund të japin mendimin e tyre për menaxhimin e financave publike nga administrata rajonale. Më konkretisht, qytetarët do të shprehen veçanërisht për buxhetin e planifikuar për trajtimin e ujërave të zeza dhe ujit të pijshëm. Konsultimi publik korrespondon me një periudhë të një kontrolli të shtuar, veçanërisht për shkak të një rritjeje pesëfish të kostos së Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Zeza në North Shore. Kostoja e parashikuar e projektit ishte 700 milionë dollarë, por pas një sërë problemesh të paparashikuara ajo u rrit deri në masën 3.86 miliardë dollarë. Projekti i cili fillimisht ishte planifikuar të përfundonte në vitin 2023, pritet të përfundojë në vitin 2030. Metro Vancouver ka një buxhet vjetor prej rreth 3 miliardë dollarë, shumica e të cilave vjen nga tarifat e shërbimeve. Në vitin 2024, çdo familje paguan mesatarisht 698 dollarë për disa shërbime rajonale. Në vitin 2025, kjo shumë pritet të arrijë në 774 dollarë, ose 76 dollarë më shumë.

Alberta - Kontraktorët e ndërtimit presin më shumë shpjegime për masat e Parks Canada për të reduktuar kërkesat administrative për pronarët e shtëpive dhe bizneset që kërkojnë të rindërtojnë qytetin Jasper, një e treta e të cilit u dogj kohët e fundit nga zjarret. Parks Canada njoftoi të enjten (29.08) një sërë masash të bashkërenduara me bashkinë Jasper dhe qeverinë e Albertës për të ndihmuar në reduktimin e një pjese të stresit duke thjeshtuar procedurat për procesin e rindërtimit. Agjencia federale ka suprimuar deri në një njoftim të dytë afatin për shpalljen formale të rindërtimit si dhe tarifat e dokumenteve, të tilla si kostot që lidhen me lëshimin e lejeve të reja të biznesit ose riprintimin e kopjeve të qirave për kompanitë e sigurimit. “Në pamje të parë, kjo duket tërheqëse. Shpresoj se ata do mund t’i miratojnë lejet në një afat më të shpejtë”, është shprehur për CBC Greg Hall, pronar i Hall-E-Wood Construction në Hinton. Kontraktuesi, i cili prej të paktën shtatë vitesh zbaton kontrata ndërtimi në Jasper, ka kujtuar se bashkia deri më sot i ka dhënë vetes deri në 90 ditë kohë për t’iu përgjigjur një kërkese për leje.  Sipas tij, pasi lexon deklaratën e Parks Canada, e ke të vështirë t’u tregosh qartë klientëve nëse ata tani mund të rindërtojnë shtëpinë e tyre pa pasur nevojë të paguajnë, për shembull, depozitat e konsiderueshme që kërkohen zakonisht. Disa vite më parë... për një ndërtim prej 2.4 milionë dollarësh, një klient duhej të paguante një depozitë prej 80,000 dollarë pranë Parks Canada dhe 90,000 dollarë në bashkinë Jasper për marrjen e lejes. Ndërkohë, deri të premten, askush nga Parks Canada nuk ishte në dispozicion për të ofruar sqarime mbi situatën për CBC.

New Brunswick - Qeveria e New Brunswick ka arritur një marrëveshje në parim me sindikatën e infermierëve. Marrëveshja ka të bëjë veçanërisht me infermierët e liçensuar, ndihmës-infermierët dhe infermierët praktikues që punojnë në spitale, qendra shëndetësore komunitare apo që ofrojnë dhe shërbimin në shtëpi. Rreth 8900 infermierë syresh janë pa kontratë pune që nga 31 dhjetori i kaluar. Provinca ka arritur gjithashtu një marrëveshje me menaxherët dhe mbikëqyrësit e infermierëve. Sipas një njoftimi për mediat të shpërndarë nga Unioni i Infermierëve të New Brunswick, çdo ekip negociues do t’u rekomandojë anëtarëve të tij ratifikimin dhe të dyja palët kanë rënë dakord të mos i publikojnë detajet e marrëveshjes-tentative derisa ajo të ratifikohet. “Qeveria jonë e konsideron shumë të rëndësishme punën që infermierët bëjnë çdo ditë. Jemi të kënaqur që kemi arritur këtë marrëveshje paraprake dhe presim të vazhdojmë të bashkëpunojmë me sindikatat në të ardhmen”, thuhej në deklaratën e kryeministrit Blaine Higgs për mediat.

Nova Scotia - Në këtë fillimviti shkollor, shumë prindër pranojnë se kanë vështirësi për të përballuar blerjen e të gjitha materialeve të nevojshme që kërkojnë shkollat. Në Halifax, Nova Scotia, për të ndihmuar familjet në nevojë me mjetet shkollore që u nevojiten fëmijëve të tyre, nismat e ndryshme mbështeten në bujarinë e publikut. Jeneen Williams-Cain, një vullnetare e organizatës jofitimprurëse Parker Street Food and Furniture Bank, rrëfen për habinë dhe lehtësimin që ajo konstaton në shprehjen e fytyrës së atyre që paraqiten për të marrë një çantë shkollore me furnizimet brenda. Programi i ndihmës në Parker Street ekziston prej 20 vjetës. Në dy ditët e fundit, e premte (29.08) dhe e shtune (30.08), organizata ka shpërndarë mbi 1000 çanta shpine dhe ky është një numër më i lartë se kurrë më parë. “Nëse duhet të paguash 100 dollarë për fëmijë, një familje me pesë fëmijë si e imja do të duhet të paguajë 500 dollarë. Dhe ky është vetëm materiali bazë shkollor. Mund të jetë shumë e shtrenjtë t'i dërgosh fëmijët në shkollë”, pohoi në një intervistë për CBC Brigitte MacInnes, përgjegjëse e shërbimit ndaj klientëve pranë Parker Street Food and Furniture Bank. Sipas një sondazhi të Abacus Data, prindërit kanadezë planifikojnë të shpenzojnë mesatarisht 304 dollarë për pajisje shkollore. Kjo është 20 dollarë më shumë se vitin e kaluar. Mesatarisht, ata që kanë më shumë se një fëmijë planifikojnë të shpenzojnë mesatarisht 60 dollarë më shumë, në total, sesa prindërit që kanë vetëm një fëmijë, thuhet në komunikatën e kompanisë së sondazheve.

Prince Edward Island - Për herë të parë në 18 vjet, shkalla e krimit të dhunshëm në provincën Prince Edward Island është shumë më e lartë se mesatarja kombëtare. Rritja e krimeve të dhunshme në ishull shpjegohet kryesisht me rritjen e krimeve të kryera me ndihmën e internetit. Krimet e urrejtjes janë rritur gjithashtu. Në vitin 2023 në Kanada, shkalla e krimit të dhunshëm ishte 1427 incidente për 100,000 banorë. Në Prince Edward Island, kjo normë arriti në 1605 për 100.000 banorë dhe është hera e parë që nga viti 2018 që norma në ishull ka tejkaluar mesataren kombëtare, megjithëse atë vit ishte pothuajse një barazim statistikor: një normë prej 1286 në ishull, krahasuar me 1,278 në total në vend. Përndryshe, duhet të kthehemi në vitin 2005 për të parë Prince Edward Island qartë mbi mesataren kombëtare. Krimet e dhunshme nuk përfshijnë vetëm vrasjen, tentativën për vrasje ose sulmin seksual, por edhe llojet e tjera të sulmit, grabitjes, zhvatjes, ngacmimit, kërcënimeve, komunikimeve të pahijshme ose ngacmuese. Sipas Martin Andresen, kriminolog në Universitetin Simon Fraser, është arritur në një lloj pikë kthese. “Ndërveprimet në internet kanë ndryshuar. Njerëzit janë të tmerrshëm me njëri-tjetrin kur nuk janë ballë për ballë. Mendoj se po shohim një ekses në publik”, deklaroi ai në një intervistë për CBC. Andresen beson gjithashtu se efektet psikologjike të pandemisë, rritja e shpejtë e kostos së jetesës në vitin 2022 dhe presionet e një rritjeje të shpejtë të popullsisë së Prince Edward Island kanë filluar të ndikojnë në statistikat e krimit.

Newfounland and Labrador - Ministria e Arsimit e provincës Newfoundland and Labrador po përgatit një rregullore të re për përdorimin e telefonave celularë në klasa. Ministrja Krista Lynn Howell ka shpjeguar për CBC se këta telefona dhe pajisje të tjera personale tashmë janë të ndaluara për nxënësit nga niveli i kopshtit deri në klasën e gjashtë. Këto pajisje lejohen për nxënësit e niveleve të tjera, por vetëm për qëllime edukative. Deri më tani, çdo shkollë mund të vendosë rregullat e veta për përdorimin e telefonit në klasë. Ministrja Howell beson se ka ardhur koha për një politikë universale. “Kemi nevojë për një politikë që mbulon të gjitha shkollat tona dhe që do të zbatohet në të gjithë provincën”, ka shtuar ajo. Përpara se të merret një vendim përfundimtar, ministria synon të konsultohet me palët e interesuara sepse qëllimi është përmirësimi i kushteve të mësimit. Ministrja Howell ka kujtuar gjithashtu se përdorimi i telefonit në klasë turbullon mësimin dhe shpërqendron nxënësit. “Ka shumë ndërveprim midis nxënësve dhe bullizmit potencial në internet. Përdorimi i telefonit gjatë ditës së shkollës ul përqendrimin e nxënësve me të paktën 50%”, pohon nga ana e tij presidenti i Sindikatës së Mësuesve të Newfoundland and Labrador, Trent Langdon i cili ka konfirmuar se sindikata do të marrë pjesë në konsultime. Sipas tij, për sa i përket politikës së ardhshme, palët e interesuara duhet të sigurohen që mësuesit mund ta zbatojnë atë lehtësisht, si dhe duhet të garantohet një komunikim sa më efektiv me prindërit.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada; The Canadian Press/Chris Young; Istock; Quark Expeditions; Getty Images/Flux Factory