Kina ankohet zyrtarisht në Organizatën Botërore të Tregtisë kundër tarifave kanadeze
- Published in Kanada
Kina ka paraqitur zyrtarisht ankesë kundër Kanadasë në Organizatën Botërore të Tregtisë për shkak të tarifave doganore të vendosura ditët e fundit nga qeveria federale Liberale për automjetet elektrike kineze, aluminin dhe çelikun. Njoftimi nga Ministria e Tregtisë e Kinës erdhi pas një deklarate të bërë në fillim të kësaj jave.
Në të njëjtën linjë me fqinjin jugor, Shtetet e Bashkuara, kryeministri Trudeau njoftoi 26 gushtin e kaluar se Kanadaja do të vendosë tarifa prej 100% për automjetet elektrike kineze dhe 25% për çelikun dhe aluminin. Edhe pse tarifat amerikane nuk kanë hyrë ende në fuqi, ato në Kanada do të aplikohen duke filluar nga muaji i ardhshëm, dita e pare e të cilit përkon me festën zyrtare të Republikës Popullore të Kinës.
Për të argumentuar vendimin e qeverisë lidhur me këtë çështje, ministrja e Financave Chrystia Freeland ka përmendur praktikat e pandershme tregtare të Kinës, por edhe standardet “skandaloze” mjedisore dhe të punës që sipas saj i mundësojnë Kinës të vendosë çmime që lejojnë konkurrencën e pandershme dhe të nxjerrë në treg produkte që nuk marrin në konsideratë ruajtjen e mjedisit dhe kushtet e punës të punëtorëve.
Ndërkohë, mediat kryesore kanadeze kanë raportuar se Ottawa para se të hidhte një hap të tillë ka qenë nën presionin të madh të disa grupeve të industrisë, përfshirë dhe prodhuesit kanadezë të automjeteve, çelikut dhe aluminit, për të harmonizuar tarifat e saj me tarifat e SHBA.
Pekini zyrtar u përgjigj fillimisht duke nisur gjithashtu këtë javë një hetim antidumping për importet kanadeze të kanolas dhe u zotua njëkohësisht se do të mbrojë të drejtat dhe interesat legjitime të kompanive kineze.
Vendimi i Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë për të vendosur tarifa për automjetet elektrike kineze, të cilat janë shumë më të lira, ka ardhur si rezultat i faktit se të dy vendet po investojnë shumë në zhvillimin e rrjetit vendas të furnizimit për automjetet elektrike.
Aktualisht, modelet kineze nuk zënë ndonjë hapësirë të rëndësishme në tregun kanadez të automjeteve elektrike. Megjithatë, importet nga Kina u rritën ndjeshëm vitin e kaluar, pasi Tesla vendosi të porosiste automjetet e saj për tregun kanadez nga fabrika e saj në Shangai dhe jo nga Shtetet e Bashkuara.
Qeveria federale kanadeze ka njoftuar gjithashtu një periudhë konsultimi 30-ditore për të shqyrtuar kërcënimin e importeve kineze në sektorë të tjerë, duke përfshirë bateritë dhe pjesët e baterive, gjysmëpërçuesit, produktet e energjisë diellore dhe mineralet kritike.
Një raport i Royal Bank of Canada i publikuar në fillim të kësaj jave paralajmëroi gjithashtu regimin me kundërmasa nga ana e Kinës për shkak të tarifave në fjalë. Sipas analistëve, tarifat do të rrisin presionin mbi kostot në nivel kombëtar, sikurse dhe do kompromentojnë objektivin e Kanadasë për të hequr gradualisht shitjen e automjeteve të reja me benzinë deri në vitin 2035.
© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada
*Foto 1: Fabrikë automjetesh elektrike në Jinhua, provinca Zhejiang, Kinë (Reuters/China Daily)
*Foto2: Një punonjës duke inspektuar një makinë të destinuar për eksport në fabrikën Tianjin Qingyuan Electric Vehicle Co. Ltd në Kinë (Reuters/Vincent Du)