Gusht 2024: Papunësia në Kanada arriti nivelin 6.6%, më i larti që nga viti 2017
- Published in Kanada
Sipas Statistics Canada, norma e papunësisë në Kanada muajin e kaluar arriti nivelin e saj më të lartë që nga maji 2017, duke përjashtuar periudhën e pandemisë 2020-2021 (6.6% gjithashtu) dhe duke u rritur me 0.2 përqind krahasuar me korrikun 2024.
Edhe pse papunësia është rritur tek të gjitha grupmoshat krahasuar me gushtin 2023, kjo rritje rezulton më e theksuar tek të rinjtë. Ndër nxënësit e moshës 15 deri në 24 vjeç që u kthyen gradualisht në shkollë për vitin e ri shkollor, shifrat llogariten mesatarisht në 16,7% për periudhën nga maji deri në gusht, ndërkohë që kanë qenë 12,9% në të njëjtën periudhë në vitin 2023.
Gjatë gushtit po ashtu në ekonominë kanadeze u shtuan vetëm 22,000 vende pune, shifër kjo që është nën normën e rritjes së popullsisë, ndërsa sipas sektorëve punësimi u rrit në shërbimet arsimore, kujdesin shëndetësor, asistencën sociale, shërbimet financiare, sigurimet, shërbimet e pasurive të paluajtshme dhe shërbimet e prenotimeve dhe qiramarrjes me kontratë. Nga ana tjetër, ka rënie në shërbimet e tjera, si ato profesionale, shkencore, teknike, në shërbimet komunale dhe në burimet natyrore.
Rritja e përqindjes së papunësisë u komunikua zyrtarisht disa ditë pasi Banka e Kanadasë uli normën e saj bazë të interesit për të tretën herë radhazi dhe paralajmëroi se do të ketë ulje të tjera në të ardhmen e afërt. Guvernatori i bankës qendrore, Tiff Macklem, ka theksuar vazhdimisht se institucioni që ai drejton synon të shohë sa më parë një tendencë rritjeje ekonomike, duke pranuar nga ana tjetër se tregu i punës është ngadalësuar ndjeshëm.
Ndërkohë, rezulton se gjatë gushtit të kaluar punëkërkimi u vështirësua dhe numri i të papunëve u rrit në 1.5 milionë, shifër kjo 22.9% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndër të papunët e korrikut, 16.7% e tyre u kthyen në punë në gusht, një përqindje më e ulët kjo se gushti 2023.
Por sipas Statistics Canada, pavarësisht ngadalësimit të dukshëm të punësimit, punonjësit kanë vazhduar të përfitojnë nga rritja e shpejtë e pagave, çka do të thotë që një pjesë e konsiderueshme e tyre e kanë rifituar fuqinë e tyre blerëse para pandemisë. Në përgjithësi, paga mesatare për orë në gusht u rrit 5% krahasuar me një vit më parë, duke arritur shifrën 35,16 dollarë.
© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada
Foto: Radio-Canada