Java Kanadeze - Lajme shkurt 8 shtator 2024
- Published in Kanada
Chambly - Quebec
-British Columbia, kriza e strehimit krijon vështirësi edhe për studentët
-Alberta, 65 farkëtarë nga 12 vende mblidhen për Kampionatin botëror në Calgary
-Manitoba, vdiq të premten kryetarja e Asamblesë së Popujve autoktonë të provincës Cathy Merrick
-Nova Scotia, 14 bibliotekat publike në Halifax prej dy javësh të mbyllura për shkak të grevës
-Ontario, 30 persona të vdekur nga aksidentet rrugore gjatë vitit 2024 në Toronto
British Columbia - Për një pjesë të studentëve në provincën British Columbia nisja e vitit shkollor universitar shoqërohet njëkohësisht edhe me sfidën e strehimit. Pavarësisht nëse jetojnë në një apartament, në një rezidencë universitare apo me prindërit e tyre, sipas CBC nuk janë të paktë studentët të cilët deklarojnë se janë të prekur, në një mënyrë apo në një tjetër, nga kriza e strehimit. Për shembull, për të tretin vit radhazi, Brent Waldbillig ndan një apartament me një dhomë gjumi. Studenti i artit dhe teknologjisë në Simon Fraser University (SFU) dhe një shok i tij paguajnë së bashku qira mujore 1800 dollarë për apartamentin. Shto parkimin, sigurimin e banesës dhe internetin, kostoja totale mujore shkon rreth 2,000 dollarë. Brent jeton në dhomën e gjumit, ndërsa shoku i dhomës fle në sallon. “Është pak e vështirë kur kemi mysafirë sidomos, sepse nuk kemi aq privatësi sa do të donim”, ka pohuar ai për CBC, por gjithsesi shprehet i kënaqur për faktin që i ndan shpenzimet e banimit me një person korrekt. Nga ana e tij, Presidenti i Shoqatës Studentore të SFU, Emmanuel Adegboyega, shpreh keqardhjen për studentë të tjerë të cilët e kanë shumë të vështirë të sigurojnë strehim, duke kujtuar raste kur disa prej tyre kanë kaluar netë me radhë duke fjetur pranë valixheve në hapësirat e përbashkëta të rezidencave studentore. Nëse Adegboyega sheh një fije shprese tek njoftimet e fundit të qeverisë provinciale, përfshirë edhe atë të ndërtimit të një godine që do të jetë gati në vitin 2027 për të strehuar 445 studentë të SFU, ai gjithashtu bën thirrje për zgjidhje të menjëhershme.
Alberta - Me rastin e Master Spruce Meadows Horse Show, 65 farkëtarë dhe16 ekipe nga 12 vende të ndryshme, po konkurrojnë në kampionatin botëror të farkëtarisë në Calgary, ku shpërblimi për fituesin e kalon shumën 190,000 dollarë. Ky event ka bërë bashkë farkëtarët më të mirë në botë, duke u dhënë mundësi spektatorëve të njihen me kulisat e këtij zanati. Përmes farkëtimit të një objekti apo mbathjes me patkonj të një kali, për të fituar titullin prestigjioz, secili pretendent duhet të jenë në gjendje të dëshmojë se zotëron të gjitha aspektet e profesionit. “Ne përpiqemi ta përshtatim programin në atë mënyrë që secili farkëtar të jetë i përgatitur mirë për të fituar Kampionatin Botëror”, ka pohuar për CBC presidenti i kampionatit, Craig Ternka. Farkëtarët që marrin pjesë në këtë konkurrim duhet të riprodhojnë brenda një kohe të kufizuar objekte të fabrikuar nga gjyqtarët e jurisë, të cilët janë dhe vetë farkëtarë. Pasi të jenë përfunduar, objektet do mblidhen, indeksohen dhe do u paraqiten gjyqtarëve të cilët do japin pikët në fund të garës për të përcaktuar kësisoj fituesin.
Manitoba - Kryetarja e Asamblesë së Shefave Autoktonë të Manitobës, 62 vjeçarja Cathy Merrick, u rrëzua përtokë dhe vdiq papritmas të premten (06.09) teksa komunikonte me gazetarët para godinës së Gjykatës Provinciale në Winnipeg. Ndihma e parë që mbërriti shpejt pranë saj nuk mundi ta mbante atë në jetë, Homazhe në kujtim të saj u postuan në rrjetet sociale nga shumë figura politike në të gjithë vendin. Asambleja e Shefave të Manitobës, që humbi drejtuesen, kujtoi se Cathy Merrick “ishte një pioniere që mbrojti çështje thelbësore gjatë dy viteve të saj në krye të organizatës”. Në komunikimin e saj me mediat, Merrick po reagonte ndaj shpalljes i pafajshëm nga gjykata të Robert Jeffrey Morden, një oficer i administratës së burgjeve i akuzuar për vdekjen e një të burgosuri autokton në Qendrën Korrektuese Headingley në vitin 2021. Cathy Merrick u kujtoi gazetarëve se shefi i mjekësisë ligjore të Manitobës e pat përcaktuar vdekjen e William Ahmo si vrasje. Ajo deklaroi gjithashtu se vendimi i së premtes i sinjalizoi opinionit se të drejtat dhe dinjiteti i pjestarëve të komuniteteve autoktonë si dhe vendimi i kryeekzaminuesit të mjekësisë ligjore në Manitoba mund të injorohen pa sjellë pasoja. Cathy Merrick ka qenë fillimisht Shefe e komunitetit autokton Pimicikamak Cree (i njohur edhe si Cross Lake) në Manitobën veriore. Më pas ajo u zgjodh Shefja e Madhe e Asamblesë së Shefave të Manitobës në tetor 2022, duke u bërë gruaja e parë që merrte këtë detyrë në gati 35 vitet e ekzistencës së këtij institucioni. Ajo u rizgjodh në këtë post në korrik 2024.
Nova Scotia - Prej dy javësh, katërmbëdhjetë bibliotekat publike të bashkisë rajonale Halifax janë të mbyllura. Nga 26 gushti punonjësit e tyre janë në grevë. Dominique Nielsen, sekretare e Seksionit 14 të Unionit të Punonjësve Publikë dhe Privatë të Nova Scotia, ka shpjeguar për CBC se rritja e pagave që Shërbimi i Bibliotekave Publike Halifax ka propozuar nuk është e mjaftueshme. Përpara se negociatat të dështonin këtë verë pas 55 ditë bisedimesh, bibliotekarët propozuan një rritje prej 1$ në orë gjatë katër viteve ndërsa punëdhënësi ofron rritje vetëm 25 cent në orë. Sindikata vlerëson se kërkesa e saj është e arsyeshme, pasi për vitin 2023, rritja e kërkuar do t'i kushtonte Shërbimit të Bibliotekave vetëm 156 mijë dollarë. Sipas Nielsen, punonjësit që kanë pagat më të ulëta paguhen me 16,45 dollarë, që është 1,25 dollarë më shumë se paga minimale në Nova Scotia. Për një person me kohë të plotë, kjo është e barabartë me një pagë rreth 30,000 dollarë në vit. “Kjo nuk mjafton për të përmbushur nevojat bazë në Halifax. Unë bëja pothuajse të njëjtën punë në Ontario dhe më paguanin 8 deri në 10 dollarë në orë më shumë”, ka shtuar sindikalistja. Ndërkohë, sipas asaj që nënkryetarja e seksionit lokal, Shelby Whynot, deklaroi në korrik, shumica dërrmuese e punonjësve të bibliotekave në Kanada paguhen rreth 45,000 dollarë në vit. Paga maksimale është 47 dollarë në orë, përgjithësisht e rezervuar për punonjësit e teknologjisë së informacionit dhe vetëm njëri nga 342 anëtarët e sindikatës në Halifax paguhet kaq shumë.
Ontario - Siç raporton CBC, 30 persona kanë vdekur nga aksidentet rrugore në Toronto që nga fillimi i vitit 2024, pavarësisht masave të marra nga bashkia për të inkurajuar shoferët të ngadalësojnë shpejtësinë. Të dhënat e policisë së Torontos, konfirmojnë që 12 këmbësorë, 8 shoferë, 6 çiklistë dhe 4 motoçiklistë kanë vdekur deri më 2 shtator. Për krahasim, 25 persona humbën jetën në aksidente gjatë së njëjtës periudhë në vitin 2023. “Është absolutisht tragjike, është viti më vdekjeprurës për çiklistët që kur Toronto nisi mbajtjen e këtyre statistikave sipas programit Vision Zero”, shpreh keqardhjen drejtori i përgjithshëm i organizatës ndërgjegjësuese Cycle Toronto, Michael Longfield. Gjithnjë sipas të dhënave të policisë, gjatë gjithë vitit 2023 u aksidentua me vdekje vetëm një çiklist. “Ka ende masa që bashkia mund të ndërmarrë për të eliminuar këto vdekje dhe për fat të keq, nuk po e bën këtë aq shpejt sa duhet”, ka shtuar Longfield. Strategjia Vision Zero, e miratuar nga këshilli bashkiak në vitin 2016, synon të reduktojë numrin e aksidenteve të rënda dhe aksidenteve me vdekje në rrugët e qytetit. Kjo iniciativë pat nisur pasi 78 persona vdiqën në rrugët e metropolit kanadez në vitin 2015. Menaxherja e projektit pranë bashkisë Toronto, Sheyda Saneinejad, ka pohuar për CBC se programi Vision Zero ka përfituar një financim rekord prej 79 milionë dollarësh në vitin 2024 dhe fondet janë përdorur veçanërisht për të financuar një projekt-pilot që i detyron automjetet të marrin kthesat më ngadalë dhe në një mënyrë më të kontrolluar në rrugët më të gjera. Po ashtu janë rikonfiguruar disa kryqëzime dhe rrugë, duke përfshirë ato ku në të kaluarën ka patur aksidente të rënda ose me pasojë vdekjen.
© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada
Fotot: CBC/Radio-Canada