Aktualitet

Kanada: Toronto forcon masat kundër dhunës me armë zjarri

Pas një serie përplasjesh me armë zjarri gjatë dy javëve të fundit në Toronto, shefi i Policisë së qytetit, Marc Saunders, ka urdhëruar përdorimin e 200 forcave shtesë si patrulla policore gjatë kësaj vere, sidomos në mbrëmje dhe natën, në zonat që konsiderohen me risk të lartë.

Nuk bëhet fjalë për punësime shtesë. Një pjesë e agjentëve ekzistues do të bëjnë orë suplementare si dhe kohëzgjatja e disa turneve do të modifikohet. Kostoja e këtyre masave të reja arrin shifrën 3 milion dollarë, ka deklaruar kryetari i Bashkisë John Tory, duke premtuar në të njëjtën kohë investime të tjera në programe parandaluese që do kenë si objekt grupe të rinjsh të cilët konsiderohen si potencialisht problematikë për rendin publik.

Përplasjet me armë zjarri gjatë ditëve të fundit në Toronto e kanë shokuar opinionin në metropolin e Ontarios, sidomos për faktin që kanë ndodhur në qendër të qytetit dhe në një terren lojrash për fëmijë.

Burimi dhe Photo credit: Radio-Canada

@Flasshqip.ca