Trudeau kritikon Putin dhe Rusinë, por jo Trump
Kryeministri kanadez Justin Trudeau, ka bërë kujdes dhe nuk i ka kritikuar fjalët e thëna nga Presidenti amerikan Donald Trump gjatë konferencës së përbashkët për shtyp ditën e djeshme pas takimit me homologun e tij rus Vladimir Putin.
I pyetur nga gazetarët sot rreth kësaj teme, ai më shumë e ka vënë theksin tek pozicioni kritik i Kanadasë në raport me vendimet politike të Rusisë.
“Kanadaja i ka dënuar pa asnjë ekuivok veprimet e Vladimir Putin dhe Rusisë” – ka deklaruar Trudeau gjatë një vizite në Sutherland River, Nova Scotia, ku dhe njoftoi akordimin e një fondi prej 90 milion dollarë për përmirësimin e autostradës transkanadeze.
Kreu i qeverisë ka kujtuar aneksimin e paligjshëm të Krimesë dhe ndërhyrjet e vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë, veçanërisht në rajonin e Donbasit, duke shprehur gjithashtu krenarinë për faktin që 200 ushtarakë kanadezë marrin pjesë në trajnimin e ushtrisë ukrainase. Ai ka kujtuar gjithashtu ndërhyrjet ruse në Siri dhe mbështetjen ndaj regjimit vrasës të Assad-it, apo edhe përgjegjësinë ruse për sulmin me armë kimike në Salisbury të Mbretërisë së Bashkuar ndaj shtetasve britanikë, ngjarje për të cilat qëndrimi i Kanadasë ka qenë gjithmonë i qartë dhe i prerë.
Kur gazetarët i kanë pyetur se çfarë ai mendonte për fjalet e Presidentit amerikan Trump, kryeministri Trudeau i ka shmangur komentet duke ripërsëritur qëndrimin e tij mbi Vladimir Putin.
Ndërkohë, gjatë takimit shumë të mediatizuar Trump-Putin, që u zhvillua dje në Helsinki të Finlandës, Presidenti amerikan, ndryshe nga konkluzionet e shërbimeve sekrete, deklaroi që nuk shihte fare ndonjë arsye për të cilën Rusia do të duhej të kish ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.
Burimi: Radio-Canada
Photo credit: La Presse Canadienne