Aktualitet

Gëzuar Ditën e Falenderimeve!

Photo by anjanettew

Dita e Falenderimeve (Thanksgiving) në Kanada festohet të hënën e dytë të tetorit që prej vitit 1957. Do të thotë që nesër, 8 Tetor Kanadaja ka festë, prandaj dhe kjo fundjavë është një fundjavë e gjatë. Amerikanët e festojnë të enjten e katërt të nëntorit.  Kjo festë u mundëson njerëzve të falënderojnë për bollëkun, fatin dhe mbarësinë gjatë vitit të kaluar. Dita e Falenderimeve është një festë popullore. Është një ditë pushimi për të gjithë në Kanada, që do të thotë se edhe shkollat dhe shumica e bizneseve janë të mbyllura.

Dita e Falenderimeve është momenti i duhur për t’iu përkushtuar miqve dhe familjes, për të ngrënë e shijuar plot gatime të mira, për t’u mbledhur para televizorit e për të parë futboll.

Pak histori

Dita e Falenderimit të parë kanadez mendohet të ketë ndodhur më 1578 pas ekspeditës së tretë të eksploruesit Martin Frobisher në Kanada. Pas një udhëtimi veçanërisht të vështirë e pasigurtë ku Frobisher humbi një nga anijet e tij, marinari vendosi të festonte faktin që mbijetuan pas rreziqeve që kaluan. 

Painting “Sir Martin Frobisher,” 1577 by Cornelis Ketel

Dita e pushimit u kodifikua në kalendarin kanadez në shekullin e 19-të, kur protestantët kanadezë kërkonin një ditë zyrtare falenderimi më 1859 për të falenderuar Perëndinë për korrjet e mira. Ajo u bë një festë kombëtare atë vit, por zyrtarisht u caktua e hëna e dytë e tetorit në vitin 1957.

Një tjetër variant historie për origjinën e kësaj feste thuhet se vjen prej mirënjohjes së kanadezëve, siç thotë historiani Peter A. Stevens, sepse ata 'kursyen gjakderdhjen' e Luftës Civile të SHBA.

Si festohet?

Nuk ka mënyrë specifike për të festuar Falenderimet, por zakonisht festohet me një tryezë të mbushur plot me familjen dhe miqtë gjatë fundjavës së gjatë. Meqë dita qëllon në vjeshtë, zakonisht ushqimet përgatiten me produkte të stinës si kunguj dhe patate, misra dhe arra. Anglezët kanë patur traditë patën e pjekur me rastin e festave, por meqënëse gjeli i detit është një nga shpendët më tipikë amerikanë, kanadezët preferuan gjelin në vend të patës. Kështu që falenderimet e kërkojnë patjetër një gjel të pjekur i cili sipas familjeve që ndjekin ritet me rigorozitet, gjeli pritet nga personi me status më të lartë në familje.

Photo by Tim Sackton

Në Québec “Thanksgiving” quhet “Action de Grâce” dhe zakonisht nuk përmban ndonjë darkë apo drekë të madhe në traditë. Gjithsesi edhe aty festohet, meqënëse është një moment i mirë për të reflektuar dhe falenderuar, për familjen, ushqimin apo njerëzit që ju rrethojnë.  

Burimi: www.cbc.ca