Legalizimi i kanabisit në Kanada. Ja rregullat kryesore
Kanadaja është vendi i dytë pas Uruguait që ka legalizuar posedimin dhe përdorimin e kanabisit. Tashmë që kanabisi u ligjërua në të gjithë Kanadanë, mund të ketë ndonjë paqartësi mes qytetarëve kanadezë rreth asaj çfarë lejohet dhe s’lejohet në provincat ku jetojnë.
Për të qartësuar gjithçka CTVNews.ca përmes një artikulli të cilit FlasShqip po i referohet ka publikuar rregullat që çdo banor duhet të dijë rreth blerjes, kultivimit dhe përdorimit të marijuanës.
Në gjithë Kanadanë
Të rriturit mbi 18 ose mbi 19 vjeç (në varësi të provincave) mund të blejnë kanabis të freskët, kanabis të thatë, vaj kanabis, fara kanabis dhe bimë të kanabisit nga shitësit e autorizuar.
Përdoruesit do të lejohen të posedojnë deri në 30 gram kanabis të thatë ose ekuivalentin e tij në formë jo të thatë.
Kanadezët mund të kultivojnë deri në 4 rrënjë të kanabisit për familje për përdorim personal (me përjashtim të Quebec dhe Manitoba).
Të rriturit mund të ndajnë me njëri-tjetrin deri në 30 gram kanabis
Banorët mund të bëjnë, gatuajnë apo prodhojnë në shtëpi gjëra të ndryshme që përmbajnë kanabis përsa kohë që nuk do të përdorin tretës organikë të rrezikshëm.
Edibles, (tip keku me marijuanë) nuk do të jenë në shitje edhe për një vit tjetër pasi rregullat mbi prodhimin dhe shpërndarjen e tyre ende janë duke u përpiluar.
Ashtu si për alkoolin, do të ketë tolerancë zero për drejtimin e automjetit nën efektin e kanabisit. Dënimi për ngarjen e mjetit nën ndikimin e lëndës varion nga provinca në provincë. Oficerët e policisë do të zbulojnë drejtuesit që kanë konsumuar duke përdorur teste të ndryshme, përfshirë testimin e pështymës për THC - përbërësin psikoaktiv në kanabis.
Ligji për Kanabisin ndalon shitjen ose dhënien e marijuanës personave nën moshën e caktuar me ligj nga provinca përkatëse. Shkelja e këtij ligji parashikon një dënim maksimal deri në 14 vjet në burg.
Për ata që udhëtojnë marrja e kanabisit ose produkteve që përmbajnë kanabis përtej kufijve ndërkombëtarë është ende e paligjshme. Kanadezët nuk mund as të sjellin kanabis e as të çojnë kanabis jashtë vendit, madje edhe në SHBA, ku droga është e ligjshme në shtete të caktuara, por jo në nivelin federal.
Referenca: ctvnews.ca