Flamuri shqiptar valëvitet në Kanada!
Shqiptarët e Kanadasë valëvitën edhe këtë vit flamurin kuq e zi me rastin e 106-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Shqiptarët në Kalgari ishin të parët që ngritën flamurin këtë vit. Ata i kishin organizuar mjaft bukur festimet. Më tej flamuri u ngrit zyrtarisht para bashkisë së Otavës, e pasuar nga pritja që ambasada kish organizuar për këtë rast. Ndërkohë që sot, më 2 Dhjetor në Toronto u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit para parlamentit të Ontarios.
Por festa e flamurit shqiptar është nderuar jo vetëm prej shqiptarëve. Në seancën parlamentare të 28 Nëntorit, deputetja liberale e Torontos Julie Dabrusin ka mbajtur një fjalim në parlamentin kanadez për nder të 28 Nëntorit.
“Sot është Dita e Pavarësisë së Shqipërisë”. Pas 5 shekujsh nën pushtimin e Perandorisë Osmane, Shqipëria shpalli pavarësinë më 28 nëntor 1912. Në këtë ditë, shqiptarët ngritën flamurin në Vlorë, ditë e cila prej atëherë njihet si “Dita e Flamurit”. Në fund të fjalës së saj deputetja Dabrusin ka uruar shqiptarët në gjuhën shqipe “Gëzuar Festën e Pavarësisë!”
Kjo seancë parlamentare u ndoq në sallë edhe nga Ambasadori i Shqipërisë në Otava Ermal Muça, i cili pas përfundimit të seancës u takua me deputeten duke i shprehur asaj mirënjohjen dhe falenderimet në emër të komunitetit shqiptar.
Flamuri me shkabën dykrenare është ngritur për herë të parë në vitin 2008 në Toronto. Kjo ngjarje është shënuar në memorien e shqiptarëve të Kanadasë si një arritje dhe hap i rëndësishëm në konsolidimin e komunitetit shqiptar.
Kanadaja multikulturale i jep hapësirë çdo komuniteti të shpalosë nisma që mbartin trashëgiminë kulturore të vendit të origjinës. Kështu që shqiptarët e Kanadasë mjafton të kenë ide, dëshirë dhe vullnet për të përcjellë vlerat shqiptare si komunitet në çdo muaj të vitit.
©FlasShqip