Aktualitet

Planifikoni 9 qershorin! Ermal Meta në Orillia.

Vendosur mes dy liqeneve, me një pamje mahnitëse si në dimër e në verë, i njohur në Ontario si ‘Qyteti i Diellit’, Orillia do të shkëlqejë më shumë (sidomos për shqiptarët e Kanadasë) në datën 9 qershor të këtij viti. Në ambientet e Casino Rama Resort të këtij qyteti do të këndohet live në gjuhën italiane “Non abbiamo armi”, “Non mi avete fatto niente”, “Vietato morire” dhe “Piccola anima”.

Po po, vjen Ermal Meta, këngëtari i famshëm shqiptaro-italian, fama e të cilit e ka kapërcyer Europën. Biletat kanë filluar të shiten dhe sigurisht plot bashkëatdhetarë kanë planifikuar që tani ditën e 9 qershorit të ndjekin nga afër Ermal Metën.

Ky koncert nuk do të jetë i pari për Ermalin në Kanada. Ai ka qenë herë tjetër në Toronto në nëntor të vitit 2017 si dhe gjatë këtij viti.

Duket se Ermal Meta ka lënë mbresa në publikun kanadez. Ndoshta për këtë arsye Chin Radio dhe Tv International-një kompani e njohur mediatike me fokus në kulturën italiane, portugeze dhe kineze kanë sponsorizuar sërish ardhjen e këngëtarit shqiptaro-italian në Kanada. Sigurisht që Ermali do të prezantohet me këngë italiane, por shqiptarët do të gëzojnë njëlloj për bashkëatdhetarin e tyre fama e të cilit si artist shqiptaro-italian po shënon rritje ndër kontinente.

Mirësevjen gjithmonë Ermal Meta!

 

@FlasShqip