Aktualitet

Një direktivë e Service Canada për gjininë neutrale ngatërron politikën

Nëse jetoni në Kanada dhe së shpejti do t’ju rastisë të keni punë në ndonjë zyrë që ofron shërbime për qytetarët, do të vini re se nuk do t’ju drejtohen më me tituj Zoti, Zonja apo Zonjusha. Kjo pasi punonjësve të shërbimeve që lidhen direkt me marrëdhëniet me qytetarët u është kërkuar të përdorin gjuhë neutrale kur vjen puna te gjinia. Për shembull nëse do u duhet të plotësojnë një formular, nuk do jetë më emërtesa nëna apo babai por prindi.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Radio Canada, stafi i Front desk (që janë ata që ofrojnë shërbime ndaj klientëve) duhet të përdorë gjuhë me gjini neutrale ose gjuhë me gjini-gjithë përfshirëse. Kjo shang paragjykimet në bazë të seksit ose gjinisë-thuhet në dokumentin e shpërndarë për menaxherët dhe drejtuesit.

Është me rëndësi që “Service Canada”, të reflektojë diversitetin e popullatës dhe të sigurohet se pikëpamjet dhe interesat e kanadezëve të merren parasysh kur zhvillojmë politika, programe, shërbime dhe inisiativa- thuhet në direktivë.

Në këtë direktivë përmendet që termat “nënë” dhe “baba” janë gjini specifike dhe prandaj duhen zëvendësuar me termin “prind”. E njëjta gjë do të aplikohet edhe për titujt Zoti, Zonja, Zonjusha. Punonjësit do t’u drejtohen klientëve me emrin e tyre të plotë ose do ti pyesin se si preferojnë t’u drejtohen.

“Service Canada” ofron ndihmë për kanadezët në raport me disa programe qeveritare, sic janë sigurimet shoqërore, plani i pensionit dhe sigurimi për moshën e tretë. Udhëzimi përcakton që “Service Canada” është në proces të amendimit të disa formateve të shërbimeve, përfshirë dhe formatin e aplikimit për numrin e sigurimeve shoqërore. Udhëzimi i ri parashikon se punonjësit do të vëzhgohen nëse do ta ndjekin protokollin siç duhet.

Sipas një zyrtari, i cili ka preferuar të mbetet anonim, meqënëse nuk është i autorizuar të flasë për këtë cështje, direktiva e re ka filluar të zbatohet duke i vënë nënpunësit civilë në vështirësi kur u drejtohen qytetarëve. “Ndodh që kur u themi njerëzve si quhet prindi numër një- ata nuk na kuptojnë”.-tregon zyrtari.

Helen Kennedy, drejtore ekzekutive e grupit Egale Canada për të drejtat  LGTB thotë se është e kënaqur për këto ndryshime. Ajo mendon se qeveria duhet të trajnojë zyrtarët lidhur me termat e rinj në mënyrë që të shmangen konfuzionet.

Deputeti i konservatorëve Gérard Deltell shprehet se qeveria ka çështje më të rëndësishme për t’u përqëndruar në këto momente. “Ndoshta një ditë kjo qeveri do të vendosë të anullojë edhe festën e nënës apo babait”- shprehet ai. 

Por liberali dhe Ministri i Zhvillimit Social Jean-Yves Duclos, dikasteri i të cilit mbikëqyr “Service Canada”, ka sqaruar në Tweeter se qeveria do vazhdojë të përdorë titujt gjatë ndërveprimit me qytetarët kanadezë, por gjithashtu do të marrë në konsideratë edhe dëshirën e njerëzve për titullin që preferojnë t’u drejtohen.

Kryeministri Justin Trudeau ka refuzuar të komentojë duke thënë se i nevojitet më tepër kohë për të shqyrtuar këtë çështje.