Aktualitet

Montréal do të përjetësojë kontributin e Martin Luther King Jr.

Bashkia Montréal ka vendosur zyrtarisht të përjetësojë kontributin e mirënjohur të Martin Luther King Jr. në mbrojtje të të drejtave qytetare dhe luftës kundër diskriminimit racial duke e integruar emrin e tij në toponiminë e qytetit.

Sipas Radio Canada, ka qenë këshilltarja e opozitës Mary Deros që i ka paraqitur propozimin Këshillit Bashkiak, propozim i cili është miratuar unanimisht në seancën e djeshme.

Gjithsesi, ende nuk dihet se çfarë do të vendosë konkretisht Bashkia në nderim të Reverend King. Ndoshta një rrugë a një park do të marrë emrin e tij, por mund të vendoset mbase edhe një monument. Duket se vendimi përfundimtar do të jetë produkt i konsultimit mes administratës së Valérie Plante dhe shoqatave që përfaqësojnë komunitetin me ngjyrë.

Kësisoj, Montréal do të jetë “nga të parat qytete kanadeze që vlerëson zyrtarisht kontributin e Martin Luther King Jr. për ndërtimin e një shoqërie të drejtë që përjashton diskriminimin sistemik të bazuar në origjinën racore”- thuhet në tekstin e Mocionit të propozuar nga Mary Deros dhe të miratuar nga këshilli bashkiak. 

Në 4 prill 2018, mbushen plot 50 vjet nga vrasja në një atentat e Pastorit amerikan, simbol i luftës për të drejtat e popullsisë me ngjyrë në SHBA dhe jo vetëm. Kujtojmë se Bashkia Montréal, më 2005, pat vendosur gjithashtu që e hena e tretë e muajit Janar të njihet si “Dita e Martin Luther King Jr.”.

Burimi: Radio Canada

@FlasShqip.ca