Aktualitet

SPECIALE COVID-19: Si po përjetohet nga shqiptarët në Manitoba. Flet Dr. Kozeta Miliku

20 Mars 2020,  Manitoba iu bashkua provincave të tjera Kanadeze me shpalljen e Gjendjes së Emergjencës. Edhe pse janë identifikuar vetëm 17 raste qeveria e Manitobës po merr masat e nevojshme që pandemia e shkaktuar nga Coronavirus COVID-19 mos përhapet më tej. 

Fatmirësisht, asnjë nga 17 rastet e identifikuar pozitiv me COVID-19 në Manitoba nuk është nga komuniteti Shqiptar. Simptomat e 16 rasteve të infektuar janë të lehta dhe pacientët janë vetë-izoluar, ndërsa një rast është në gjendje më të rënduar dhe është hospitalizuar.

Si masa parandaluese, si shoqatë vendosëm të ndërpresim mbarevajtjen e klasave të gjuhës Shqipe, por ndërkohë jemi duke punuar me mësueset e shkollës rreth mënyrave si ta vazhdojmë procesin mësimor online. Gjithashtu kemi vënë në suspansë edhe aktivitetet e tjera të planifikuara si Mbledhja e Përgjithshme në një-vjetorin e themelimit të shoqatës apo Festën e Nënës, duke respektuar kështu rregullat e vënë nga autoritetet e provincës. 

Jemi në kontakt të vazhdueshëm me anëtarët e komunitetit. Shumë prej tyre vazhdojnë punë normalisht, të tjerë punojnë nga shtëpia, dhe ka nga ata që bizneset ku punojnë janë mbyllur provizorisht. Por kemi edhe nga ata heronj si Flora Tolaj dhe Klevis Iliriani që janë duke punuar turne extra dhe janë në frontin e parë të luftës me COVID-19.

Po mundohemi që vazhdimisht të komunikojmë dhe përcjellim mesazhe informative apo këshilla nëpërmjet faqes tonë të Facebook. Para pak ditësh bëmë një thirrje për cdo anëtar të komunitetit që është duke u përballur me vështirësi apo nevoja të ndryshme të na kontaktojnë. Këtu njëri-tjetrin kemi!

Nga kontaktet që kam pasur me anëtarë të komunitetit duket se një pjesë e mirë janë të ndërgjegjësuar për situatën që po kalojmë. Frika dhe Paniku ekziston në secilin nga ne! E shoh këtë gjatë komunikimeve, pyetjeve të ndryshme që marr por edhe nga postimet ndërgjegjësuese në mediat sociale nga Shqiptarët në Manitoba. 

Si  mjeke dhe epidemiologe e ndjej si detyrë që me cdo kënd që flas të përcjell edhe njëherë rekomandimet për të parandaluar shpërhapjen e virusit. Duke mos dashur të bëhem e bezdisur me këshillat e larjes së duarve që i shikojmë dhe dëgjojmë herë pas here shfrytëzoj mundësinë e dhënë nga FLASSHQIP për të theksuar dy mesazhe:

1 - Distancimi Social

2 - Shëndeti Mendor   

Edhe pse shumë nga ne kane kaluar sfida edhe më të vështira në jetë, kurrë më parë se kemi përjetuar këtë gjendje - ndaj Bëni Kujdes!

Ruani veten por edhe të gjithë ata që ju rrethojnë. Ky virus (COVID-19) nuk njeh gjini, moshë apo etnicitet. Edhe pse të gjithë jemi të predispozuar për t’u infektuar nëse nuk mbrohemi; jo të gjithë do i përjetojmë pasojat njësoj, sepse kjo varet nga sistemi imunitar i secilit nga ne. Personat pa probleme të tjera shëndetësore dhe kryesisht të rinjtë, përgjithësisht e kalojnë sëmundjen pa komplikacione, madje janë raportuar edhe raste pa asnjë shenjë klinike. Megjithatë, këta persona përbëjnë rrezikshmëri më të lartë në shpërndarjen e virusit, duke infektuar njerëzit që i rrethojnë, si prindërit, gjyshërit apo edhe të tjerë të cilët mund të kenë sëmundje të tjera dhe për pasojë pasojat e infeksionit janë më të rënda por edhe vdekjeprurëse. Ndaj JU LUTEM ruani distancimin social. Distancimi social, sot është mbrojtja më e mirë që mund të bëjmë! Mundohuni shmangni vizitat e panevojshme nëpër familjarë, miq, shokë, rrallojini vizitat nëpër supermarkete apo ambiente të populluara.

Gjithashtu, ju lutem të mendoni dhe kujdeseni për shëndetin tuaj mendor. Periudha që po kalojmë po ngjall shumë ankth dhe panik, ndaj flisni me njeri-tjetrin se si ndiheni, telefononi familjaret, miqtë apo të afërmit tuaj në Shqipëri, Kosovë apo mbarë botën. Përpiquni të qëndroni aktivë, ecni nëpër shtëpi, dilni në dritare, oborre, ballkone. Meditoni! Hapni lexoni një libër apo shikoni dokumentare, ndiqni live emisionet që po organizohen nga kopshte zoologjike nëpër botë-fatmirësisht e kemi teknologjinë. Kthejuni kujtimeve nëpërmjet fotografive të kohëve të kaluara. Mundohuni të shmangi ndjenjën e frikës dhe ankthit sepse na alterojnë sistemin imunitar.

Do të kalojmë periudhë të vështirë dhe me keqardhje ju them se në bazë të studimeve shkencore për ne duket se ky është vetëm fillimi.

Dikush i mencur ka thënë: “Më të fuqishmit ndër të gjithë luftëtarët janë koha dhe durimi". Forca! Edhe pse është periudhë e vështirë, me pozitivitet do ia kalojmë!

Dr. Kozeta Miliku- Drejtuese e Albanian-Canadian Community of Manitoba.