Kanada - Erin O’Toole zgjidhet lider i Partisë Konservatore
Ish-Ministri i Veteranëve në qeverinë e Stephen Harper, ish-oficer i Royal Canadian Air Force, avokati dhe aktualisht deputeti federal i Torontos, 47 vjeçari Erin O'Toole, u zgjodh të dielën duke u gdhirë e hëna kryetar i Partise Konservatore të Kanadasë. Ai fitoi 57% të votave në raundin e tretë në përballjen me Peter MacKay, i konsideruar si favoriti i garës pas doreheqjes së Andrew Scheer.
“Ju më dhatë një mision të qartë, për të bashkuar këtë parti, për t'i bërë vlerat tona konservatore të triumfojnë”, deklaroi para aktivistëve të partisë në fjalimin e tij të fitores udhëheqësi i ri, i cili është me origjinë nga Montréal.
Duket se votat e Quebéc kanë luajtur rol në fitoren e O’Toole. 61% e anëtarëve nga provinca frankofone kanë votuar në favor të tij në raundin e tretë. Sipas politologut Daniel Béland, drejtor i Institutit McGill për Studime Kanadeze, “fakti i krijimit të një platforme specifike për Quebéc shpjegon performancën e tij të shkëlqyer.” Mbështetje gjithashtu pas raundit të pare ai ka arritur të marrë edhe prej një pjese të përkrahësve të dy kandidatëve të tjerë, Derek Sloan dhe Leslyn Lewis,
Lideri i ri konservator në fjalën e tij të fitores u përqëndrua sidomos në sfidat ekonomike të vendit, pas krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19, duke u shprehur i gatshëm për përballje në fushatën zgjedhore qysh këtë vjeshtë, nëse është e nevojshme. “Por unë nuk do të kritikoj vetëm Liberalët, pasi ne do të japim vizionin tonë për një Kanada më të fortë, më të bashkuar dhe më të prosperuar”, ka pohuar ai.
Rezultatet e zgjedhjeve konservatore u vonuan shumë gjatë të dielës në mbrëmje për shkak të çështjeve teknike që shkaktuan vonesa në numërimin e votave. Një zëdhënës i Partisë Konservatore deklaroi se problemet teknike u shfaqën për shkak të një makinerie të përdorur për të hapur zarfet. Disa fletëvotime u dëmtuan dhe informacionet që ato përmbanin duheshin rishikuar për të vazhduar numërimin. Kësisoj, rezultatet e raundit të parë nuk u publikuan dot deri pas mesnatës.
O’Toole tentoi qysh në vitin 2017 të fitonte kreun e Konservatorëve Kanadezë, por në atë kohë, në garën e fituar nga Andrew Scheer ai u rendit i treti. Prej 31 Gushtit 2018 ai ka qenë kritik i Opozitës zyrtare në Dhomën e Komunave për çështjet e Politikes së Jashtme. Lideri i ri konservator është i martuar prej vitit 2000 me Rebecca O’Toole dhe ata janë prindër të dy fëmijëve, vajzës Mollie dhe djalit Jack.
Erin O’Toole tashmë ka mbi supe barrën e ruajtjes së unitetit të partisë dhe rikthimit të konservatorëve në pushtet në përballje me Justin Trudeau. Sfida pritet të jetë jo e lehtë…
©Flasshqip.ca