Aktualitet

Zgjedhjet e 3 Nëntorit, më të sigurtat në histori sipas autoriteteve përgjegjëse amerikane

Nuk ka asnjë dëshmi të një sistemi votimi që ka fshirë, humbur apo ndryshuar fletëvotimet, ose që të jetë piratuar me qëllim falsifikimin e rezultateve.

Sipas Agjencisë France-Presse, të cilës i është referuar Radio Canada në një publikim të sajin sot në mbrëmje para rreth një ore, disa autoritete zgjedhore amerikane kanë pohuar në një deklaratë të përbashkët më shumë se një javë pas zgjedhjeve presidenciale, se nuk kanë gjetur "asnjë provë të fletëve të votimit të humbura ose të modifikuara, apo të sistemeve të piratuara të votimit”. “Ndërsa ne e dimë që procesi ynë zgjedhor është subjekt i shumë pretendimeve të pabazuara dhe fushatave dezinformuese, ne mund t'ju sigurojmë se kemi besim absolut në sigurinë dhe integritetin e zgjedhjeve tona”, thuhet në deklaratën e përbashkët për shtyp.

Zgjedhjet e 3 Nëntorit ishin më të sigurtat në historinë e SHBA, sipas autoriteteve lokale dhe kombëtare përgjegjëse për sigurinë e sondazhit, përfshirë Agjencinë e Sigurisë Kibernetike dhe të Infrastrukturës (CISA), e cila raporton në Departamentin e Sigurisë Kombëtare.

Presidenti në ikje Donald Trump transmetoi informacione të paverifikuara në Twitter pas mbylljes së procesit zgjedhor duke pretenduar që sistem votimi i quajtur Dominion kishte zhdukur 2.7 milion vota në favor të tij në të gjithë vendin dhe rialokuar qindra mijëra në favor të rivalit të tij demokrat Joe Biden në Pensilvani dhe shtete të tjera. Informacioni u mohua kategorikisht nga autoritetet zgjedhore të shtetit të Pensilvanisë dhe kompania përgjegjëse për sistemin.

Sipas mediave amerikane, Donald Trump po konsideron të shkarkojë shefin e agjencisë qeveritare CISA, Chris Krebs, i cili ka hedhur poshtë akuzat për mashtrim që vinin në dyshim fitoren e Joe Biden, deklaruar fitues të shtunën e kaluar.

Presidenti në ikje Trump ende nuk e ka pranuar humbjen duke komplikuar kësisoj periudhën e tranzicionit për presidentin e zgjedhur Biden, i cili pritet të marrë detyrën në 20 Janar 2021.

Radio Canada