Aktualitet

London, qyteti i pasur me dekorim të varfër - Nga Fazli Mazreku

Fazli Mazreku - London, Ontario

Kremtimi e festave të fundvitit tek familjet kanadeze është bërë tradicional, madje mpleks në vetvete më shumë frymë dhe sens kulturor sesa religjioz, sepse ato ditë të gjithë hypin në një “anije”: të pasur dhe të varfër, teistë, ateistë dhe agnostikë, për të festuar dhe për të dhëne e marrë dhurata.

Festa e Kërshëndellave është festa kryesore e vitit, kurse viti i ri është një lloj leftover, i cili kalohet lehtë dhe pa ndonjë përgatitje dhe pompozitet të veçantë. Sipas statistikave nga viti i kaluar, familjet kanadeze kanë shpenzuar mbi 30 miliard dollarë për kremtet e fundvitit. Ato shpenzime, zakonisht, shkojnë për dhurata, garderobë, dekorim të shtëpive dhe ambienteve familjare, si edhe për vizita jashtë vendit. Kudo e kahdo që shkon, ka atmosferë feste dhe ajo vërehet dukshëm në fytyrat e njerëzve.

Megjithatë, kur është fjala te dekorimi i shesheve të qytetit, rrugëve kryesore dhe parkut të qytetit, gjendja duket tërësisht ndryshe, sepse qyteti është i dekoruar shumë thjesht, me rekuizita dhe drita që përdoren ndoshta edhe për shumë dekada. Madje një pjesë të dekorimit e mbulojnë organizata dhe shoqata për të promovuar punën dhe aktivitetin e tyre.  Londoni edhe pse renditet në listën e qyteteve më të pasura të Kanadasë me të ardhurat për frymë, qytet me afro 400 mijë banorë, me mbi 250 mijë të punesuar dhe me buxhet tre vjeçar afër 3 miliard dollarë, nuk e shpenzon paranë publike në dekorime impozante, në drita të shtrenjta apo shpenzime të tjera festive.

Christmas Market London

Në praktiken demokratike kanadeze të qeverisjes lokale, kryetari i qytetit, i komunës dhe këshilltaret e këshillit të qytetit zgjidhen me votën e drejtpërdrejtë, pa logo dhe pa përkatësi partiake, në garën për postin që e pretendojnë. Buxheti dhe planifikimi i tij katëvjeçar është CV-ja e çdo kandidati që mëton ta fitojë votën e qytetarit.

©Fazli Mazreku