Java kanadeze - Lajme shkurt
Nova Scotia - Iain Rankin, deputeti 37 vjeçar i kontesë Timberlea-Prospect, pas një kongresi virtual u zgjodh të shtunën e kaluar kryetar i Partisë Liberale në Nova Scotia. Kësisoj, ai do të jetë kryeministri i ardhshëm i njerës prej provincave të Atlantikut dhe do të zëvendësojë në këtë post Stephen McNeil, në krye të qeverisë prej vitit 2013. Ky i fundit pat deklaruar tërheqjen nga politika Gushtin e vitit të kaluar.
Iain Rankin
Québec - Rrjeti i njohur ontarian i dyqaneve Second Cup, u ble për 14 milion dollarë paguar në favor të kompanisë Aegis Brands nga sivëllai i Quebéc, rrjeti Foodtastic, që me këtë transaksion financiar synon rritjen e kredibilitetit të markave të tjera që ka në zotërim. Second Cup është krijuar në vitin 1975 dhe aktualisht ka më shumë se 180 dyqane nga të cilat rreth 45 në Quebéc. Kjo blerje, konsiderohet si më e madhja deri më sot nga Foodtastic.
Ottawa - Qeveria kanadeze aprovoi blerjen nga Air Canada të kompanisë Air Transat, aktualisht në një situatë të vështirë. Lajmi u komunikua të enjten menjëheherë pas mbylljes së tregjeve financiare. Argumentet e qeverisë Trudeau në favor të këtij vendimi të marrë në konteksin e Pandemisë COVID-19, ishin në radhë të parë ruajtja e nivelit aktual të shërbimit ndaj qytetarëve kanadezë, situata financiare e sektorit të transportit ajror dhe konkurenca.
Montréal - Një adoleshente 16 vjeçare humbi jetën të dielën e kaluar pas një përplasjeje me armë zjarri mes bandave rivale në rrugën Valdombre në territorin e minibashkisë Saint-Léonard në Montréal. Meriem Boundaoui quhej vajza me origjinë algjeriane e cila u ndodh në vendin e gabuar në momentin e gabuar. Ajo prej dy vitesh kish ardhur të studionte në Kanada me mbështetjen e motrës së saj. Pas ngjarjes në fjalë, kryetarja e Bashkisë Montréal, Valérie Plante, ka shprehur në mënyrë të përsëritur shqetësimin e saj në lidhje më armët e shumta në qarkullim veçanërisht në zonën veriore të qytetit. Sërish ajo u ka bërë thirrje qeverisë federale dhe asaj provinciale të ndërhyjnë me masa më të forta ligjore pë ta luftuar këtë fenomen që cënon rëndë sigurinë e qytetarëve.
Ottawa - Sipas Global News, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Kanadeze, Gjenerali Jonathan Vance, do ti nënshtrohet një hetimi pas publikimit të një raporti ku prezumohet që ai ka dëshmuar sjellje të papërshtateshme në raport me dy prej vartësve të tij femra. Vance është larguar nga funksioni që mbajti 5 vjet para rreth tre javësh pasi doli në pension dhe u zëvendësua në këtë post nga Gjenerali Art McDonald. Ky i fundit pas publikimit të raportit u është drejtuar me një mesazh forcave të armatosura duke shprehur shqetësimin që ngjarje të tilla mund të minojnë kredibilitetin e lidershipit brenda radhëve të ushtarakëve. Raporti në fjalë bazohet në burime të cilat kanë ruajtur anonimatin për të mos pasur pasoja mbi karrierën e tyre.
Jonathan Vance
Vancouver - Për herë të parë në historinë e qytetit, një rrugë do të mbajë emrin e një gruaje nga komuniteti black. Kjo rrugë që ndodhet në sektorin në zhvillim Strathcona ku do të ndërtohet spitali i ri Saint-Paul, do të quhet rruga Nora Hendrix, e cila është gjyshja e kitaristit me famë botërore Jimi Hendrix. Nora Hendrix konsiderohet si një nga figurat më të rëndësishmë të komunitetit me origjinë nga Afrika që jeton në Vancouver. Ajo ka qenë bashkëthemeluesja e e kishës episkopale metodiste Fountain Chapel në lagjen Strathcona ku jetonte dhe punonte në një restorant. Kjo kishë ishte e para kishë black e metropolit të provincës British Columbia.
Pullë postare dedikuar Nora Hendrix
Québec - Qeveria Legault, përmes Zëvendëskryeministres dhe ministres së Rendit Publik Geneviève Guilbault, njoftoi këtë javë organizimin e një hetimi të drejtuar nga gjykatësi Louis Dionne lidhur me arrestimin e gabuar të Mamadi Camara nga Policia e Montréal, pas një sulmi që pesoi një oficer policie në lagjen Parc Extension. Hetimi do të fokusohet te veprimet e kryera nga policia menjëherë pas ngjarjes nën optikën e kuadrit ligjor dhe praktikave në fuqi. Pritet që raporti të përmbajë disa rekomandime për t’u zbatuar, në mënyrë që situate të tilla të mos përsëriten në të ardhmen. Kujtojmë që Camara u arrestua gabimisht dhe qëndroi 7 ditë në burg. Në fillim Policia u përpoq të justifikohej pas lirimit të tij në sallen e gjyqit për mungesë provash. Më pas atij iu kërkua falje publike nga kryepolici Sylvain Caron. Ngjarja u shoqërua dhe me një komunikim të tensionuar mes Sindikatës së Policisë dhe kryebashkiakes Valérie Plante, e cila e mbrojti publikisht pafajësinë e Mamadi Camara dhe kërkoi hetim të menjëhershëm të ngjarjes nga qeveria.
Mamadi Camara
Saskatchewan - Sipas Agjencisë Metereologjike Kanadeze, 13 rajone të Saskatcheewan thyen rekorde temperaturash të ulëta të enjten që kaloi, për shkak të një rryme të ftohti polar që ka përshkuar këto ditë provincat e prerive. Në rajonin e Saskatoon rekordi datonte nga viti 1905, -38,9 gradë celsius, ndërsa këtë javë ky rekord u thye me -39,2. Në ketë rajon temperaturat kanë filluar të maten prej vitit 1900. Në Meadow Lake rekordi i viti 1979 -39,7 u tejkalua me -40,4 gradë celsius të enjten. Aty temperaturat maten prej vitit 1959. Ndërsa në Yorkton, ku matjet kanë filluar më 1941, rekordi i vitit 1967, -37,2, u tejkalua këto ditë me -39,1.
Manitoba - Bashkia Winnipeg ka filluar një proces konsultimi dhe diskutimi mbi ëmërtimet e rrugëve, vendeve apo vendosjen e monumenteve, pas një iniciative që mban emrin “Të rizbulojmë Winnipeg”. Synimi i iniciativës, sipas kryetari të Bashkisë Brian Bowman, është që ti jepet vendi që u takon në këtë drejtim veçanërisht komuniteteve dhe traditës autoktone.
Brian Bowman
Toronto - Sipas një raporti të përfunduar para disa ditëve dhe të cituar nga Radio Canada, në institucionet shkollore të Toronto Disctict School Board (TDSB), ekzistojnë probleme serioze racizmi. Raporti është i pari në llojin e vet dhe aty përmenden shumë incidente raciste anti-black të ndodhura gjatë vitit të kaluar shkollor në një numër më të larte se incidente të tjera. Raporti është hartuar nga Zyra e të Drejtave të Njeriut e TDSB dhe ka analizuar incidentetet e raportuara në një periudhe dy vjeçare 2018-2020.
Newfoundland Labrador - Për shkak të pandemisë COVID-19, zgjedhjet e parakohshme provinciale të 13 Shkurtit në Newfoundland dhe Labrador po zhvillohen prej dje vetëm me korrespondencë dhe votat e plotësuara do të pranohen deri më 1 Mars. Ky ka qenë vendimi që u mor të premten nga Drejtori i Përgjithshëm i Zgjedhjeve të provincës Bruce Chaulk, i cili anuloi votimin nëpër qendra votimi në të 40 zonat elektorale. Ky është rasti parë që kjo ndodh në kushte pandemie pas zgjedhjeve të parakoheshmë që u zhvilluan në vjeshtën e 2020 në New Brunsvick, Saskatechewan dhe British Columbia.
Montréal - Multinacionalia kanadeze e prodhimit të avionëve Bombardier ka njoftuar para dy ditësh shkurtimin e 1600 vendeve të punës si rezultat i krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19. Nga këto, 700 vende shkurtohen në Montréal, 100 në Ontario dhe 800 në SHBA. Sipas shefit të kompanisë, Éric Martel, vendimi ka qenë i vështirë, por i pashmangshëm në kushtet aktuale në të cilat ndodhet Bombardier, që synon rikthimin e rentabilitetit duke e përqëndruar kryesisht prodhimin tek tipet e avionëve Challenger dhe Global që përdoren kryesisht nga kompanitë private. Ky është shkurtimi i dytë i madh pas atyre të vitit të kaluar që ndodhën në Qershor dhe arritën numrin total 2500.
©Flasshqip.ca
Photo Credit: Radio Canada