Aktualitet

Java kanadeze 21 Mars - Lajme shkurt

-Canadian Pacific blen Kansas City Southern për 36 miliardë dollarë

-Erin O’Toole apelon Konservatorët të ndryshojnë mentalitet

-Një kanadeze rimerr shtetësinë gjermane të konfiskuar nga nazistët

-Të martën në Québec 10,000 mësues në grevë

-Të paktën një e pesta e viktimave femra të krimit janë me origjinë autoktone

-Pezullohen dy ish-trajnere të ekipit kombëtar kanadez të Notit Artistik

-Kërkohet zgjidhje diplomatike për dy kanadezët e burgosur në Kinë

 

-Canadian Pacific blen Kansas City Southern për 36 miliardë dollarë

Kompania hekurudhore Canadian Pacific bleu Kansas City Southern për 36 miliardë dollarë, duke krijuar krijuar kësisoj rrjetin e parë hekurudhor mes Kanadasë, Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. Rrjeti do të bashkohet në Kansas City, Missouri, në zemër të Shteteve të Bashkuara. Ky transaksion do të jetë transformues për Amerikën e Veriut dhe do të ketë ndikime të konsiderueshme pozitive për punonjësit, klientët tanë, komunitetet tona dhe aksionerët tanë përkatës, pohoi Keith Creel, president i Canadian Pacific në një njoftim për shtyp. Sipas tij, me këtë blerje, më e madhja e këtij lloji deri tani për këtë vit, gjithashtu do të bëhet i mundur integrimi i rrjeteve të furnizimit të kontinentit, një përparësi që është bërë thelbësore qysh nga nënshkrimi i marrëveshjes së tregëtisë së lirë midis të tre vendeve. Bazuar në të dhënat e vitit 2020, pas bashkimit të Kansas City Southern me Canadian Pacific, kompania do të operojë më shumë se 32,100 kilometra hekurudhë dhe do të gjenerojë të ardhura totale prej afërsisht 8.7 miliardë dollarë.

 

-Erin O’Toole apelon Konservatorët të ndryshojnë mentalitet

Erin O'Toole

Partia Konservatore e Kanadasë duhet të ndryshojë dhe të paraqesë ide të reja, tërheqëse për qytetarët, nëse dëshiron t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme përballë Justin Trudeau. Kështu ka deklaruar të premten lideri konservator Erin O’Toole gjatë një takimi me aktivistët e partisë së tij të zhvilluar në platformën Zoom. Kreu konservator i zgjedhur në krye të partisë para 7 muajsh, paraqiti edhe një rezolutë lidhur me ndryshimet klimatike, dokument që nuk arriti të marrë shumicën e nevojshme. Megjithatë kjo nuk e ka penguar O’Toole që në përfundim të takimit të deklarojë se ndryshimet klimatikë janë një realitet që tashmë nuk mund të mohoet. Ndërkohë ai ka premtuar gjithashtu miratimin e një ligji antikorrupsion nëse Konservatorët marin pushtetit.

 

-Një kanadeze rimerr shtetësinë gjermane të konfiskuar nga nazistët

Dokumenti i Elsbeth Heinsheimer, gjyshja e Carla Wainwright

Më shumë se 80 vjet pasi gjyshërit e saj u larguan nga Gjermania naziste, Carla Wainwright, banore e Prince George në Kolumbinë Britanike, rifiton shtetësinë gjermane. Kjo shtetase kanadeze u drejtoi në vitin 2019 një kërkesë autoriteteve gjermane në mënyrë që tre fëmijët e saj dhe ajo të mund të rimerrnin edhe shtetësinë e paraardhësve të tyre. Ishte kjo një mënyrë për të respektuar sipas saj kujtimin e gjyshërve hebrenj, të dëbuar nga regjimi nazist, por edhe ritikthimi te një pjesë e identitetit të trashëguar dhe për të mos harruar se prej ku erdhi familja e saj në Kanada.

 

-Të martën në Québec 10,000 mësues në grevë

Rreth 10,000 mësues profesionistë dhe staf jo-mësimdhënës i kolegjeve (CEGEP) në Québec do të zhvillojnë një grevë të martën e ardhshme më 30 Mars. Sipas sindikatës përkatëse që ka marrë mandatin për grevën nga anëtarët e saj, kjo masë është një paralajmërim ndaj qeverisë provinciale, negociatat me të cilën kanë hyrë në një fazë ngërçi si dhe për faktin që Këshilli i Thesarit në mënyrë të njëanshme ka vendosur një kornizë financiare jo fleksibël. Greva në fjalë do prekë 15 kolegje.

 

-Të paktën një e pesta e viktimave femra të krimit janë me origjinë autoktone

Sipas raportit “CestunFémicide 2020” të Observatorit Kanadez të Vrasjeve ndaj Femrave (OCFJR) i publikuar të mërkurën, gjatë vitit 2020 në Kanada më shumë se një në pesë viktima të feminicideve ishin autoktone (nga 128 gra ose vajza viktimë të vrasjeve të kryera nga meshkuj, 30 ose 23%, e tyre ishin me origjinë autoktone). Një vlerësim minimalist, sipas raportit, sepse përpilimi i të dhënave zyrtare mbi përkatësinë etnike është shpesh jo plotësisht i saktë. Raporti ka konkluduar se gratë autoktone ka më shumë të ngjarë të vriten nga një i panjohur, të sulmohen seksualisht apo të përjetojnë dhunë nga partneri, sesa gratë dhe vajzat jo-autoktone Ky është një realitet që është denoncuar me forcë në mënyrë të përsëritur, i ka deklaruar Radio-Canada Lorraine Whitman, presidente e Shoqatës së Grave Autoktone të Kanadasë (NWAC).

 

-Pezullohen dy ish-trajnere të ekipit kombëtar kanadez të Notit Artistik

Meng Chen

Federata Kanadeze e Notit Artistik ka pezulluar përkohësisht dy trajnere të shënjestruara nga akuza për abuzim dhe neglizhencë, emri i të cilave është cituar në një apelim kolektiv ndaj federatës, të depozituar në 9 Mars. Trajneri i ekipit kombëtar Gabor Szauder nuk është pezulluar por do jetë edhe ai nën hetim. Meng Chen, trajnerja kryesore e Kanadasë nga 2012 deri në 2017 dhe pasardhësja e saj Leslie Sproule (2017-2018) janë pezulluar nga detyrat e tyre derisa hetimi zyrtar i federatës të përcaktojë nëse do jetë e nevojshme të merren masa të tjera bazuar në politikat e federatës për ushtrimin e sportit në kushte të sigurta. Pezullimi ka qenë me efekt imediat dhe do të zbatohet edhe në nivelin provincial. Meng Chen është gjithashtu ndihmës trajnere në Klubin e Notit të Sinkronizuar Pacific Wave dhe anëtare e bordit drejtues të Federatës së Notit Artistik të Kolumbisë Britanike.

 

-Kërkohet zgjidhje diplomatike për dy kanadezët e burgosur në Kinë

Michael Kovrig dhe Vina Nadjibulla

Në vigjilje të gjykimit ndaj ish-diplomatit kanadez Michael Kovrig, i akuzuar për spiunazh, që pritet të nisë nesër në Pekin, bashkëshortja e tij Vina Nadjibulla i bëri thirrje Kanadasë, Shteteve të Bashkuara dhe Kinës për të gjetur një zgjidhje diplomatike që do të realizonte lirimin e tij dhe të biznesmenin Michael Spavor. Në një intervistë me Rosemary Barton Live në CBC, ajo i vlerësoi pozitivisht komentet e fundit publike nga ana e Kryeministrit Justin Trudeau, Presidentit të SHBA Joe Biden dhe Sekretari të Shtetit Antony Blinken në mbështetje të “Dy Michaels”, siç njihen ata tashmë në të gjithë botën. Është koha që këto fjalë të kthehen në vepra që do kenë për rezultat lirimit të tyre sa më shpejt të jetë e mundur, pohoi Vina Nadjibulla. Ndërkohë, sipas njoftimit të Global Affairs Canada, asnjë përfaqësues kanadez nuk është autorizuar të jetë prezent gjatë gjykimit të Michael Kovrig.

©Flasshqip.ca

(Fotot Radio-Canada)