Java kanadeze 11 Prill - Lajme shkurt
-Projekt pilot për vaksinimin e punëtorëve sezonalë të bujqësisë;
-Zbulohet një rrjet trafiku medikamentesh të falsifikuara në Longueuil QC;
-Një autokton gradohet Lejtënant-Gjeneral i ushtrisë kanadeze;
-Në kongresin e NDP kritikohen Liberalët për administrimin e pandemisë;
-Kongresi i Liberalëve dhe fjalimi i Trudeau krijon përshtypjen që zgjedhjet nuk janë larg;
Projekt pilot për vaksinimin e punëtorëve sezonalë të bujqësisë
Ka nisur dje në Aeroportin Pearson të Torontos zbatimi i projektit pilot për vaksinimin kundër Covid-19 të punëtorëve sezonalë të fermave bujqësore. Programi parashikonte vaksinimin e 200 punëtorëve të kësaj kategorie që mbërritën dje nga Meksika. Pasi kanë kaluar testin e detyrueshëm anti-Covid pas hyrjes në Kanada, ata kanë marrë dje dozën e parë të vaksinës Moderna. Doza e dytë atyre do t’u jepet pranë njësisë shëndetësore që korrespondon me vendin e tyre të punës. Programi parashikohet të aplikohet më pas për të gjithë punëtorët sezonalë që priten ende të mbërrijnë në javët e ardhshme. Gjithçka do koordinohet nga zyrtarë të ministrive të Shëndetësisë e Bujqësisë në bashkëpunim më Konsullatën e Meksikës në Toronto.
Zbulohet një rrjet trafiku medikamentesh të falsifikuara në Longueuil QC
Policia lokale e Longueuil dhe ajo Federale (RCMP) kryen të mërkurën e kaluar një operacion për zbulimin e një rrjeti trafikimi të medikamenteve të falsifikuara. Pas pesë bastisjesh në zonën e vjetër të qytetit dhe në Saint-Hubert, u ndaluan dy persona. Rrjeti po vëzhgohej prej disa muajsh nga agjentët e Njësisë së Përbashkët Speciale për Hetimin e Krimit të Organizuar. Edhe pse nuk u zbulua asnjë laborator klandestin përpunimi, policia mundi të sekuestrojë disa qindra mijëra tableta të falsifikuara që dyshohet se përmbajnë etizolam dhe metamfetaminë. Sipas policisë, ky është një rrjet shpërndarjeje dhe eksporti në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara për barnat e falsifikuara, në veçanti Xanax, një ilaç psikotropik kundër ankthit, veçanërisht i popullarizuar në mesin e adoleshentëve dhe amatorëve të barnave sintetike. Dy të dyshuarit e arrestuar, të cilët do të përballen me disa akuza, përfshirë trafikimin dhe eksportimin e substancave të paligjshme, pas marrjes në pyetje u lanë të lirë në pritje të gjykimit.
Një autokton gradohet Lejtënant-Gjeneral i ushtrisë kanadeze
Jocelyn Paul
Ushtaraku autokton Huron-Wendat me origjinë nga rezerva Wendake në periferi të qytetit Québec, Jocelyn Paul, u gradua të premten Lejtënant-Gjeneral i Forcave të Armatosura Kanadeze ku ai shërben prej vitit 1988 dhe ka drejtuar gjatë karrierës deri në 13,000 trupa. Kjo është grada e fundit madhore që i paraprin gradës së gjeneralit. Kanë kaluar kësisoj 33 vjet që kur ai zgjodhi një familje të tretë, ushtrinë. Ai kishte të parën atë të Wendake, komuniteti ku lindi si dhe atë të Pessamit, nga është me origjinë bashkëshortja e tij Innu. Në një komunikim me mediat, Jocelyn Paul ka pohuar me modesti që nëse ka arritur deri këtu ku ndodhet sot, suksesi ishte një përzierje faktorësh. Sipas tij, duhet pak fat, të jesh në vendin e duhur në kohën e duhur, të jesh i durueshëm, të dëgjosh vartësit apo kolegët, të pranosh këshilla dhe të jesh një drejtues korrekt. Paul u regjistrua si rezervist në Regjimentin "Saguenay" në 1988. Ai zgjodhi këtë bazë ushtarake sepse në të njëjtën kohë ai po ndiqte studimet për histori në universitetin Québec në Chicoutimi. Më pas, në Montreal ai kreu një master në antropologji dhe iu bashkua Regjimentit "De Maisonneuve".
Në kongresin e NDP kritikohen Liberalët për administrimin e pandemisë
Jagmeet Singh
Në ditën e fundit të kongresit virtual të NDP që u zhvillua këtë fundjavë, lideri i saj, Jagmeet Singh, nuk i kurseu kritikat e forta në adresë të qeverisë Liberale lidhur me administrimin e situatës së shkaktuar nga pandemia Covid-19. “Mik i korporatave dhe ndërmarrjeve të mëdha farmaceutike apo aleat i rremë i ambientalistëve”, ishin disa nga shigjetimet e Singh në adresë të kryeministrit Trudeau, etiketime këto që ngjanin me ato të fushatës zgjedhore të vitit 2019. Duke kujtuar skandalin UNIS, kreu Neodemokrat theksoi se ky ishte një shembull që provoi se Liberalët më shumë mendojnë për elitën se sa për gjithë qytetarët kanadezë. Sipas tij, pandemia e theksoi akoma më shumë këtë aspekt, sepse në një kohë kur shumë njerëz apo biznese po rrezikoheshin, qeveria bëri vetëm minimumin. Po kështu, mosfinancimi sa duhet i provincave me transferta, kontribuoi në përkeqësimin e kushteve në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit. “Këta të fundit i paguan shpenzimet e pandemisë me jetën e tyre dhe ky ishte një një turp kombëtar”, deklaroi ashpër Jagmeet Singh.
Kongresi i Liberalëve dhe fjalimi i Trudeau krijon përshtypjen që zgjedhjet nuk janë larg
Justin Trudeau
Ashtu si Neodemokratët, edhe Liberalët kanadezë zhvilluan kongresin e tyre këtë javë, takim që përfundoi dje pasdite vonë dhe që sipas analistëve, la shijen që së shpejti, në Verë apo në Vjeshtën e këtij viti, vendi do shkojë në zgjedhje të parakohshme. Aktiviteti u mbyll më një fjalim të gjatë të kryeministrit Justin Trudeau, ku ai bëri bilancin e arritjeve, sipas tij, në pesë vitet e fundit dhe paraqiti njëkohësisht dhe prioritetet për të ardhmen. Në mënyrë të veçantë ai e vuri theksin te Plani i Gjelbër i Rimëkëmbjes si dhe iu adresua drejpërdrejt elektoratit të provincës së Quebéc, ku siç dihet partia e tij është në konkurencë me Block Québecois dhe jo me Konservatorët. Sipas Trudeau, nëse Block bën sikur mbron interesat e provincës frankofone, ndërkohë Liberalët i kanë realizuar premtimet për mbështetjen e saj. Kryeministri ka shigjetuar gjithashtu edhe kundërshtarin e tij të drejpërdrejtë, liderin e Konservatorëvë Erin O’Toole, i cili sipas tij, është i paqartë dhe konfuz në atë që synon t’u ofrojë qytetarëve kanadezë. Pas dy ditësh debate, aktivistët liberalë votuan dje për 40 rezoluta që synojnë të orientojnë platformën e tyre të ardhshme zgjedhore, nga të cilat vetëm 26 prej tyre u miratuan.
©Flasshqip.ca
Fotot: Radio-Canada/The Canadian Press