Aktualitet

Java kanadeze - Lajme shkurt 25 Prill

Québec do investojë 6,4 miliardë dollarë për infrastrukturën e transportit

Mungesa e vaksinave krijon shqetësim në zonat e “nxehta” të Torontos

New-Brunswick së shpejti me komisioner për racizmin sistemik

Lojërat Verore Kanadeze 2025 do zhvillohen në Newfoundland-Labrador

Një projekt interesant fshati ekologjik në British Columbia

 

Québec do investojë 6,4 miliardë dollarë për infrastrukturën e transportit

Ministri i Transportit të Québec, François Bonnardel, njoftoi në fillim të javës një investim prej 6.4 miliardë dollarësh me synim mirëmbajtjen dhe përmirësimin e infrastrukturës së transportit rrugor, hekurudhor, detar dhe aeroporteve. Sipas qeverisë Legault, kjo shumë përbën investimin më të madh kushtuar këtyre infrastrukturave dhe ky program do kontribuojë në mënyrë të konsiderueshme për rimëkëmbjen ekonomike të Québec. Ndarja e investimeve sipas sektorëve do të jetë: 1.6 miliardë për riasfaltimet e rrugëve; 2.5 miliardë për riparimin e strukturave prej betoni; 1.9 miliardë për të përmirësuar efikasitetin dhe sigurinë e rrjeteve të transportit; 167 milionë për projekte hekurudhore; 109 milionë për projektet e aeroporteve; 13 milionë për mirëmbajtjen e strukturave të vendosura në kalimet hekurudhore të braktisura dhe 1.6 milionë për projekte detare. Rajoni i Montrealit, ku nevojat janë të konsiderueshme, do të marrë 1.2 miliardë dollarë për riparimin e infrastrukturës së tij rrugore. Kjo shumë do të përdoret, ndër të tjera, për rindërtimin e trotuarit të betonit të Autostradës 40 në perëndim të Montrealit, për rindërtimin e mbikalimit në Bulevardin e Galeries-d'Anjou, mbi Autostradën 40 si dhe për riparimin e tunelit Louis-Hippolyte-La Fontaine.

 

Mungesa e vaksinave krijon shqetësim në zonat e “nxehta” të Torontos

Mungesat e vaksinave në disa klinika të lëvizshme në Toronto duket se kanë shkurajuar shumë banorë në të ashtuquajturat zona të “nxehta”, me më shumë të infektuar nga Coronavirusi. Frustrimin e tyre e ka bërë të ditur Radio-Canada, pas vizitave në terren. Ndërkohë, qeveria e Ontarios ka deklaruar vazhdimisht se do t'i japë përparësi vaksinimit të banorëve në rajonet më të prekura nga pandemia duke ngritur klinika lëvizëse të vaksinimit për qytetarët e moshës 18 vjeç e lart. Dje një pjesë e tyre janë kthyer në shtëpi pa mundur ta marrin vaksinën edhe pse kane pritur disa orë në radhë.

 

New-Brunswick së shpejti me komisioner për racizmin sistemik

Aplikimet për pozicionin e Komisionerit për luftën ndaj racizmit sistemik sapo kanë nisur të dorëzohen pranë qeverisë së New Brunswick. Provinca është në kërkim të dikujt që zotëron ekspertizën e mjaftueshme për këtë fushë me ndjeshmëri të lartë. Ndër kualifikimet thelbësore për këtë pozicion që krijohet pë herë të parë, qeveria provinciale synon të gjejë kandidatë që njohin mirë kontekstin demografik, social, ekonomik, kulturor dhe gjuhësor të New Brunswick si dhe të kenë njohuri të thelluara mbi legjislacionin që rregullon të drejtat e njeriut. Zotërimi i dy gjuhëve zyrtare figuron gjithashtu në listën e kritereve të shpallura. Kandidati i suksesshëm do ketë për detyrë të mobilizojë palët e interesuara për të kuptuar më mirë natyrën dhe ndikimin e racizmit sistemik në provincë si dhe të hartojë një raport përfundimtar deri më 31 Mars 2022.

 

Lojërat Verore Kanadeze 2025 do zhvillohen në Newfoundland-Labrador

Qyteti Saint-John në Newfoundland dhe Labrador, është zgjedhur zyrtarisht mikpritës i Lojërave Verore të Kanadasë për vitin 2025. Këto lojëra multidisiplinore bashkojnë çdo dy vjet, duke alternuar midis verës dhe dimrit, më shumë se 2000 atletë me dhe pa aftësi të kufizuara. Në total, më shumë se 40 sporte e bëjnë atë ngjarjen sportive më të madhe në vend. Në versionin veror, atletika, basketbolli, noti dhe futbolli janë pjesë e listës së konkurimit. Njoftimi zyrtar u bë të enjten në Newfoundland dhe Labrador Sports Center nga Këshilli i Lojërave Kanadeze. Këto do të jenë lojërat e treta që do të mbahen në Newfoundland dhe Labrador, pas Lojërave Dimërore 1999 në Corner Brook dhe Lojërave Verore 1977 në Saint-John. Këto lojëra janë zhvilluar të paktën një herë në çdo provincë që prej organizimit të tyre për here të parë në Quebéc, me rastin e njëqindvjetorit të Kanadasë në 1967. Lojërat e radhës në kalendar janë ato në Niagara, në verën e vitit 2022.

 

Një projekt interesant fshati ekologjik në British Columbia

Golden - BC

Kush nuk ka ëndërruar qoftë edhe një herë të vetme të lërë gjithçka për të jetuar në një “ishull” të veçuar, larg qendrave të mëdha e të zhurmshme urbane... veçanërisht në kontekstin aktual pandemik? Një projekt i tillë sapo ka nisur mbi një sipërfaqe 36 hektarë në Blueberry, në veri të Municipality of Golden të British Columbia. Projekti mori shkas nga një libër, por edhe nga imagjinata e çiftit Marc-Antoine dhe Flore Bar, dy banorë të Blueberry me origjinë franceze që jetojnë në Kanada prej tre vitesh. Ëndrra e çiftit ishte ngritja e një ferme komunitare dhe në librin “Të jetosh ndryshe” të Diane Leaf, duket se ata kanë gjetur shumë ide që përkojnë me projektin e tyre. Libri i frymëzoi ata për ndërtimit e një hapësire jetese shumëbrezash me emrin Blueberry Creek Village, emër i zgjedhur për shkak të boronicave të shumta që gjenden anës përroit që rrjedh mespërmes terrenit prej 36 hektarësh. Si çdo eko-fshat, Blueberry Creek Village ka si parim kryesor respektin për ekologjinë dhe vetë-mjaftueshmërinë e burimeve të jetesës. Anëtarët, që si fillim janë 8 persona të moshës nga 24 deri në 38 vjeç, do të ndërtojnë banesa ekologjike të pajisura me panele diellore dhe do të përdorin energji të ripërtëritshme Gjithashtu ata do rrisin kafshë shtepiake dhe do kultivojnë fruta dhe perime.

©Flasshqip.ca

Fotot: Radio-Canada