Aktualitet

Kanada - Arrihet marrëveshje mes partive federale për rregullat zgjedhore në kohë pandemie

Partitë politike federale kanadeze të perfaqësuara në Dhomën e Komunave kanë rënë dakord në parim për përmbajtjen e një projekt-ligji që përcakton rregullat zgjedhore të cilat nëse do të linde nevoja, do të aplikohen në rast zgjedhjesh në kushtet e pandemisë COVID-19.

Projekt-ligji C-19 ka kaluar etapën e leximit të dytë dhe është kundërshtuar vetëm nga deputeti i pavarur Derek Sloan. Tashmë dosja i ka kaluar një komisioni të posaçëm parlamentar ku teksti do të shqyrtohet në detaje dhe mund t’i nënshtrohet ndryshimeve të mëtejshme. Lidhur me këtë projekt, Ministri i Çështjeve Ndërqeveritare, Dominic LeBlanc, i konfirmoi Radio-Canada se qeveria mbetet shumë e hapur ndaj propozimeve për përmirësime të mëtejshme.

Vjeshtën e kaluar, Drejtori i Përgjithshëm i Zgjedhjeve të Kanadasë, Stéphane Perrault, u kërkoi me insistim deputetëve të miratonin sa më shpejt një projekt-ligj që rrit kompetencat e Elections Canada për t’i përshtatur sa më mirë rregullat dhe procedurat e zgjedhjeve me situatën e pandemisë.

Projekt-Ligji C-19 do të mundësojë që periudha e të drejtës për të votuar individualisht të zgjatet deri në tre ditë, çka do ta lehtësojë mjaft organizimin e vendvotimeve të lëvizshme në institucionet e kujdesit afatgjatë. Po kështu kjo krijon mundësinë që në përpilimin e rezultateve përfundimtare të merren në konsideratë një numër më i madh fletëvotimesh të dërguara përmes postës.

©Flasshqip.ca