Java kanadeze - Lajme shkurt 16 Maj

Hydro-Québec synon furnizimin me energji elektrike të New York
Aviacioni Ushtarak do angazhojë pilotë nga jashtë Kanadasë
Parcs Canada propozon një projekt për mbrojtjen e drerëve në Alberta
Kanadaja siguron edhe tre vende në kanotazh për Lojërat Olimpike të Tokios
Një skuadër e re policore në Saskatoon të Saskatchewan
Kroçjerat drejt Alaskës mund ta shmangin sërish British Columbia këtë verë
Hydro-Québec synon furnizimin me energji elektrike të New York
Gjigandi i prodhimit të energjisë elektrike Hydro-Québec po synon sërish realizimin e një projekti të madh me fqinjin verior. Pas një kontrate furnizimi me energji elektrike të Massatchusetts, tani fokusi është drejtuar nga shteti i New York. Kompania njoftoi të mërkurën që sëbashku me partnerin amerikan Transmission Developers do propozojnë ndërtimin e një linje transmetimi për të furnizuar pjesërisht Manhatanin dhe minibashkitë e tjera të NYC me një kombinim të hidroenergjisë nga Quebéc dhe energjisë elektrike të rinovueshme, prodhuar në New York. Sipas Hydro-Québec, projekti i quajtur Champlain Hudson Power Express (CHPE) - do të prodhojë gati 10 Terawat orë (TWh) energji elektrike në vit, ose rreth një të pestën e konsumit të qytetit të New York-ut. Për faktin se qasja e Hydro-Québec do përqendrohet tek energjitë e rinovueshme, ky lloj inputi parashikohet të zvogëlojë emetimet e karbonit me rreth 3.9 milion tonë metrikë në vit, çka do të ishte ekuivalente me heqjen e 44% të makinave nga rrugët e New York. Projekti i është paraqitur Autoritetit të Kërkimit dhe Zhvillimit të Energjisë së Shtetit të New York (NYSERDA) dhe pritet të konkurojë me projektet e tjera të paraqitura nga prodhues të energjive të rinovueshme.
Aviacioni ushtarak do angazhojë pilotë nga jashtë Kanadasë
Aktualisht Aviacioni Ushtarak, ose siç njihet ndryshe Aviacioni Mbretëror Kanadez, po përballet me mungesa në efektivin e pilotëve më eksperiencë dhe sipas komandatit të kësaj force, Gjeneral-Lejtënant Al Meinzinger, Ministria e Mbrojtjes po bashkëpunon aktualisht me Ministrinë e Imigracionit për të uniformizuar procedurat e punësimit të pilotëve ushtarakë nga vende të tjera. Mungesa e krahut të kualifikuar të punës në këtë sektor është sinjalizuar prej kohësh edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit sepse kjo është një çështje që lidhet direkt me sektorin e mbrojtes dhe sigurisë në Kanada. Aktualisht numri i domosdoshëm i pilotëve për Forcat Ajrore është rreth 1500, por në realitet numri i tyre për momentin është 1275. Ndërkohë vetëm 15 pilotë nga aviacioni civil kanë pranuar të rekrutohen nga Aviacioni Ushtarak, ndërsa pilotët e tjerë që do të angazhohen do të jenë nga shtete anëtare të NATO-s ose nga India.
Parcs Canada propozon një projekt për mbrojtjen e drerëve në Alberta
Më qëllim garantimin e riprodhimit dhe mbijetesën e species në Parkun Kombëtar Jasper në Alberta, Parcs Canada ka propozuar një projekt me vlerë 25 milion dollarës për të vendosur 40 femra dhe pesë meshkuj drerë të tipit Karibu në një sipërfaqe krejt të mbyllur nën ruajtje, afërsisht 1 kilometër katror. Sipërfaqja do të rrethohet nga një gardh i elektrizuar. Agjencia shtetërore, përmes kësaj strategjie të re shpreson që kjo strukturë e posaçme mund të riprodhojë deri në 20 pasardhës në vit, gjë që do ta sillte numrin e drerëve të tipit karibu në zonën e sipërpërmendur në një nivel të qëndrueshëm brenda 10 viteve të ardhshme. Mbrojtja e kësaj specieje, përveç monitorimit të kushteve klimaterike, në raste të veçanta kërkon dhe asgjësimin e ujqërve, por në Parkun Jasper, numri i këtyre të fundit është relativisht i vogël.
Kanadaja siguron edhe tre vende në kanotazh për Lojërat Olimpike të Tokios
Gjatë një gare eliminatore të zhvilluar sot në Zvicër, atletët kanadezë të kanotazhit arritën të sigurojnë edhe tre kualifikime të tjera për në Lojërat Olimpike të Tokios. Patrick Keane dhe Maxwell Lattimer fituan lehtësisht garën me rezultatin 6:28:53/100. Ontariani Trevor Jones e siguroi gjithashtu pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike duke përfunduar i dyti në garën me skiff, pas rusit Alexander Vyazovkin (6:56.90). Edhe katërshja kanadeze Jakub Buczek, Luke Gadsdon, Gavin Stone dhe William Crothers, gjithashtu u rendit e dyta pas Afrikës së Jugut me një kohë 6:07.84. Pas garave të sotme, Kanadaja tashmë është kualifikuar në 10 disiplina të kanotazhit, 6 me ekipe femrash dhe 4 me ekipe meshkujsh, pjesëmarrja më e lartë kjo, qysh nga Lojërat Olimpike të Atlantas më 1996.
Një skuadër e re policore në Saskatoon të Saskatchewan
Shërbimi Policor i Saskatoon njoftoi rekrutimin e pesë policëve të rinj, të organizuar në një skuadër të posaçme për të mbështetur kolegët e sektorëve të tjerë. Oficerët e rinj do të kryejnë detyra të tilla si transporti i të burgosurve apo marrja e deklaratave të dëshmitarëve. Ata gjithashtu do t’u vijnë në ndihmë qytetarëve që telefonojnë për të kërkuar mbrojtjen e policisë. Për t'u dalluar nga oficerët e sektorëve të tjerë, oficerët e skudrës së re do të pajisen me uniforma në ngjyrë gri dhe dhe do kenë automjete me shenja të veçanta. Financimi për këtë iniciativë ishte parashikuar qysh më parë në buxhetin e Departamentit të Policisë të kryeqytetit të provinces Saskatchewan për vitin 2021.
Kroçjerat drejt Alaskës mund ta shmangin sërish British Columbia këtë verë
Sipas burimeve nga autoritetet provinciale, sapo të hiqen kufizimet e vendosura për shkak të pandemisë, anijet e kroçjerave turistike që lundrojnë drejt Alaskës, mund t’i rikthehen sërish akostimin në brigjet e British Columbia, ashtu si më parë në të kaluarën. Por ka të ngjarë që kjo të mos ndodhë për shkak të një ligji që është votuar në Senatin e SHBA të enjten, sipas të cilit u jepet e drejta anijeve turistike që kryejnë udhëtime nga shteti i Uashingtonit drej Alaskës të mos ndalojnë në Kanada. Para se të firmoset nga Presidenti Biden, ky ligj duhet të miratohet edhe nga Kongresi. Në kohën para pandemisë, sipas Aktit mbi Shërbimin e Anijeve të Pasagjerëve, anijet që lundronin drejt Alaskës duhej të kalonin një ditë në Vancouver ose Victoria, gjë që i sillte të ardhura të konsiderueshme sektorit të turizmit në British Columbia. Në mënyrë që të mos dëmtohej sezoni i lundrimit veror, Akti i Rimëkëmbjes së Turizmit në Alaskë u amendua për të anashkaluar kufizimet kanadeze për udhëtimin e anijeve të lundrimit midis dy shteteve këtë verë, por sipas autoriteteve të British Columbia, ky ligji parashikon që situata mund të kthehet si më parë sapo autoritetet kanadeze të heqin kufizimet.
©Flasshqip.ca
Fotot: Radio-Canada