Aktualitet

Java kanadeze - Lajme shkurt 23 Maj

Qeveria e British Columbia organizon sondazh për komunitetin Black

Në Alberta lindja e një bizoni të bardhë konsiderohet si ogurmirë

Manitoba i kërkon Justin Trudeau ta ndihmojë me infermierë

Provinca Prince Edward Island së shpejti me Ombudsman

Priten sërish uragane në zonën e Atlantikut

Prodhuesit e verës në Niagara në pritje të turistëve

 

 

Qeveria e British Columbia organizon sondazh për komunitetin Black

Për të kuptuar më mirë përvojat e komunitetit Black që jeton në provincë, qeveria e British Columbia ka ndërmarrë kryerjen e një studimi që do të bazohet mbi një sondazh. Sondazhi është pjesë e një projekti më të madh të quajtur “The Black in British Columbia Convener Project”, i iniciuar si përgjigje ndaj shqetësimeve në lidhje me racizmin dhe ekspozimin e komunitetit Black ndaj këtij fenomeni në të gjithë botën gjatë vitit 2020. Projekti do të realizohet në bashkëpunim me Qendrën Issamba, një organizatë e komunitetit Black që e ushtron aktivitetin në Victoria. Felix Kongyuy, menaxheri i projektit, i ka pohuar Radio-Canada se ky komunitet në British Columbia përbehet nga rreth 61,000 vetë. Sondazhi do ketë si fokus të paktën 3,000 persona që do t’u përgjigjen pyetjeve lidhur me eksperiencat e tyre në fusha të tilla si arsimi, strehimi, siguria në komunitet, angazhimi demokratik, aksesi në drejtësi dhe kujdesi shëndetësor fizik dhe mendor. Z, Kongyuy shpreson që informacioni i mbledhur do të përdoret për të përmirësuar politikat publike në funksion të nevojave të komunitetit Black, por edhe për të luftuar racizmin sistemik. Sondazhi do jetë i hapur deri në Gusht dhe do të kryhet përmes faqes së internetit të Qendrës Issamba.

 

Në Alberta lindja e një bizoni të bardhë konsiderohet si ogurmirë

Një bizon i vogël i bardhë ka ardhur në jetë në fermën e Siksika First Nation, në lindje të Calgary. Atë e kanë pagëzuar Snow Moon. “Për ne, vendasit, kjo ngjarje është e mbushur me simbole. Bizonët janë kafshë shumë të shenjta”, ka shpjeguar për Radio-Canada Carlon Big Snake pronari i fermës. Sipas tij, bizonët ndihmuan paraardhësit e tij të mbijetonin dhe siç dihet, bizonët më pas pothuajse u zhdukën. Prindërit e Snow Moon janë bizonë të bardhë me nuanca dominuese të kafesë. Carlon Big Snake megjithatë nuk e priste lindjen e bizonit të bardhë sepse shanset ishin 50-50. Për fermerin albertan dhe gruan e tij, Lisa, ky bizon i bardhë i porsalindur është një ogur i mirë. Ata ndihen të bekuar. Ndërkohë, sipas Shoqatës Kanadeze të Ruajtjes së Kafshëve të Egra, bizonët numëroheshin shekuj më parë me milonë në Amerikën e Veriut. Ata u zhdukën në fund të shekullit të 19-të. Në 1888, nuk kishte më as edhe një në Kanada. E vetmja tufë që mbeti ishte në Parkun Kombëtar Yellowstone në Shtetet e Bashkuara. Riprodhimi i tyre filloi në vitin 1905. Sot ka gati 2200 bizonë nëpër zona fushore dhe afërsisht 11000 të tillë në pyjet kanadeze.

 

Manitoba i kërkon Justin Trudeau ta ndihmojë me infermierë

Manitoba i ka bërë thirrje qeverisë federale të dërgojë punonjës të kujdesit shëndetësor rezervë në provincë për përballimin e rasteve të reja të COVID-19. Kryeministri Brian Pallister ka folur në telefon me Kryeministrin e Kanadasë Justin Trudeau të premten në mëngjes dhe i ka kërkuar atij dërgimin e 50 infermierëve të urgjencës dhe 20 terapistëve të frymëmarrjes. Ai gjithashtu ka kërkuar deri në 50 gjurmues të kontaktit nga Statistics Canada. “Shpresojmë se do të jetë një çështje e përkohshme dhe afatshkurtër, por sa më shpejt që të kemi përforcime aq më mire do jetë”, i ka deklaruar The Canadian Press Brian Pallister. Vala e tretë e COVID-19 duket se ka qenë më e vështira për Manitoba-n. Këtë javë, provinca pati një numër rekord të rasteve të reja ditore si dhe një numër rekord të pacientëve në kujdes intensiv. Ndërkohë, pesë pacientë të kujdesit intensiv me COVID-19 u dërguan në Ontario për të krijuar më shumë kapacitet pritës në spitale. Zyra e Kryeministrit Trudeau i konfirmoi kërkesat nga Manitoba dhe deklaroi që po punon intensivisht për t’i plotësuar ato. Edhe kryebashkiaku i Winnipeg Brian Bowman komunikoi gjithashtu me Justin Trudeau të premten. Në bisedë Bowman nuk e ka fshehur zhgënjimin për menyrën se si autoritetet provinciale i janë pergjigjur situatës së pandemisë.

 

Provinca Prince Edward Island së shpejti me Ombudsman

Sipas ekspertëve, krijimi i institucionit të Ombudsman-it pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në mjedisin politik të provincës Prince Edward Island si dhe në nivelin e shërbimeve të ofruara nga qeveria ndaj qytetarëve. Projekt-ligji për krijimin e këtij institucioni ishte një nga çështjet e fundit që u trajtuan në sesionin parlamentar të pranverës. Teksti e kaloi etapën e leximin të dytë në 11 Maj. Politologu i Universitetit të provincës Don Desserud, pohoi që në të ardhmen Ombudsman-i do të ushtrojë presion mbi qeverinë provinciale për përmirësimin e ofertës së saj të shërbimeve në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve. Ombudsman-i do jetë një zyrtar i pavarur i emëruar nga Asambleja Legjislative, që do të hetojë ankesat nga publiku në lidhje me shërbimet qeveritare si dhe do i paraqesë, sipas rastit, rekomandime qeverisë.

 

Priten sërish uragane në zonën e Atlantikut

Bob Robichaud

Qendra Kanadeze e Uraganeve paralajmëroi qytetarët e provincave të Atlantikut të enjten që stina mund të jetë sërish e trazuar, madje "mbi normalen" për shkak të temperaturave të larta të ujit në oqeane. Të gjitha të dhënat e konfirmojnë një parashikim të tillë ka argumentuar meteorologu Bob Robichaud gjatë konferencës vjetore të para-sezonit që u zhvillua këtë javë. Vitin e kaluar, pati 30 stuhi, një rekord ky i lartë qysh prej periudhës që kanë filluar të regjistrohen të dhëna statistikore për uraganet. Sipas Robichaud, një stuhi e parë duket se po formohet në mes të Atlantikut dhe ka probabilitet 90% që të vijë drejt Kanadasë. Stuhia është pikasur rreth 1,100 kilometra në lindje të Bermuda-s. Nëse ky sistem me presion të ulët shndërrohet në një stuhi tropikale, uragani do quhej Ana. Ky do të jetë sezoni i shtatë radhazi i uraganeve që do fillojnë më herët së zakonisht. Mesatarisht, katër stuhi në vit penetrojnë në zonën e përgjegjësisë të Qendrës Kanadeze të Uraganeve.

 

Prodhuesit e verës në Niagara në pritje të turistëve

Në Ontario, fundjava e gjatë në fund të Majit zakonisht shënon fillimin e sezonit turistik në vreshtat e Niagarës dhe kantinat e prodhimit të verës. Për momentin, masat kundër pandemisë nuk e mundësojnë këtë gjë, por kjo nuk e ka penguar intensifikimin e përgatitjeve nga ana e prodhuesve të verës. Temperaturat gjithashtu duken të favorshme dhe produkti i vjeljes parashikohet të jetë i mbarë. Nëse do ishim në periudhë normale, sot do ishin dyndur me mijëra njerëz drejt vreshtave dhe kantinave të Niagarës. Realiteti ka krijuar jo pak pasiguri financiare për prodhuesit, të cilët duket se do përgatiten për më shume se një skenar gjatë ketij sezoni, vizitat e të cilit mund të nisin më 1 Korrik ose më përpara. Ndërkohë, pezullimi i vizitave në vreshta dhe kantina që nga vjeshta e kaluar i ka detyruar bizneset e Niagarës të orientohen më shumë drejt shitjeve në internet. Kërkesa e lartë i ka ndihmuar kësisoj shumë kompani të mbijetojnë. Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, adhuruesit e verës mund të kthehen në Niagara në mes të Qershorit. Plani i rihapjes në Ontario do lejojë testime produktesh në natyrë në grupe të vogla, me maksimumi 4 klientë të ulur në një tryezë të vetme.

©Flasshqip.ca

Fotot: Radio-Canada