Java Kanadeze - Lajme shkurt 20 Qershor
Autoktonët do mund të mbajnë emrin tradicional në pasaportë
Departamenti Amerikan i Transportit reklamon 25 milionë dollarë nga Air Canada
Parlamenti Federal njeh të drejtën e Québec për amendimin e kushtetutës
Borxhi i hipotekave kontraktuar në Prill 2021 arrin shifrën 18 miliardë dollarë
Opozita kërkon largimin e Ministrit të Mbrojtjes, Trudeau e merr në mbrojtje
Autoktonët do mund të mbajnë emrin tradicional në pasaportë
Marc Miller dhe Marco Mendicino
Qeveria kanadeze i është përgjigjur pozitivisht një kërkese tjetër të Komisionit të së Vertetës dhe Pajtimit. Tash e tutje, të gjithë kanadezët autoktonë, mund të përdorin në dokumentat e tyre të identitetit (përfshi dhe pasaportën) emrin e tyre tradicional. Për një pjesë të konsiderueshme, emrat kanë qenë modifikuar në kohën kur ata ndiqnin me detyrim sistemin e shkollave rezidenciale. Njoftimin e ka dhënë Ministri i Shërbimeve Autoktone Marc Miller, sipas të cilit ky vendim përfshin gjithe autoktonët Inuit dhe Metis e disa mijëra të tjerë. Ndërkohë, sipas Ministrit të Imigracionit dhe Shtetësisë, Marco Mendicino, procesi i rinovimit të dokumenteve do të kryhet falas dhe ky proces nuk do ketë vetëm një karakter simbolik, por do jetë edhe një proces rikthimi identiteti për qytetarët kanadezë me origjinë autoktone.
Departamenti Amerikan i Transportit reklamon 25 milionë dollarë nga Air Canada
Departamenti i Transportit të fqinjit Jugor, shpreson që përmes një procesi civil të rikuperojë nga Air Canada një shumë prej 25,5 milionë dollarësh, për shkak se kompania kanadeze “është jashtëzakonisht e vonuar” dhe ende nuk ka dëmshpërblyer një numër të konsiderueshëm udhëtarësh, pas anulimeve masive të fluturimeve për shkak të pandemisë. Air Canada ka njoftuar që do ta kontestojë këtë procedurë. Padia civile është depozituar pranë një gjykatësi administrativ nga organizmi përkatës për mbrojtjen e konsumatorit pranë Departamentit Amerikan të Transportit. Ky i fundit pretendon që qysh nga 1 Marsi 2020, ka pranuar mbi 6000 ankimime nga qytetarë të ndryshëm, të cilëve u është refuzuar rimbursimi për fluturime të anuluara apo të modifikuara. Ndërsa transportuesi ajror kanadez nga ana e vet ka deklaruar që deri tani ka rimbursuar një shumë totale prej 1,2 miliard dollarësh, madje sipas programit që është financuar nga qeveria federale, ka filluar edhe rimbursimin e klientëve kanadezë ose amerikanë, të cilët kishin blerë bileta të parimbursueshme. Kujtojmë që pas humbjeve të llogaritura vitin e kaluar në rreth 5 miliardë dollarë, Air Canada u detyrua të shkurtonte gjysmen e personelit të vet, që arrinte shifrën totale 21,700 punonjës.
Parlamenti Federal njeh të drejtën e Québec për amendimin e kushtetutës
Yves-François Blanchet
Dhoma e Komunave të Kanadasë ka miratuar të mërkurën 16 Qershor, një mocion të propozuar nga Blloku i Québec, sipas të cilit, qeveria provinciale e provincës frankofone ka të drejtë në mënyrë unilaterale të modifikojë ligjin themelor të Kanadasë për të shtuar aty formulimin që “Québec konsiderohet një komb, gjuha zyrtare dhe e përbashkët e të cilit është Frengjishtja”. 281 deputetë kane votuar në favor të mocionit, 2 kundër dhe 36 kanë abstenuar. Të tre shefat e partive kryesore, përveç Bllokut, liberali Justin Trudeau, konservatori Erin O’Toole dhe neodemokrati Jagmeet Singh kane votuar gjithashtu në favor të mocionit. Teksti i Mocionit i depozituar të mërkurën në mëngjes nga kreu i Bllokut Yves-François Blanchet thotë shprehimisht: “Dhoma e Komunave pajtohet që neni 45 i Aktit Kushtetues të vitit 1982 u jep Quebéc dhe provincave juridiksion ekskluziv për të modifikuar kushtetutat e tyre përkatëse; dhe merr parasysh dëshirën e Quebéc për të përfshirë në kushtetutën e tij që banorët e Quebéc formojnë një komb, se Frengjishtja është gjuha e vetme zyrtare e Québec dhe gjithashtu gjuha e përbashkët e kombit të Québec.”
Borxhi i hipotekave kontraktuar në Prill 2021 arrin shifrën 18 miliardë dollarë
Pandemia duket se nuk po i pengon aspak kanadezët për investime në pasuri të patundshme e për të blerë shtëpi përmes kredive. Përkundrazi. Në muajin Prill shifra e borxhmarrjes ka arritur në 18 miliardë dollarë, më e larta mujore e regjistruar nga çdo herë tjetër më parë, në një shifër totale borxhi gati prej 2000 miliardë dollarësh. Sipas Statistics Canada, konsumatorët duket se e kanë shtrënguar rripin për shpenzimet në përgjithësi, përjashto blerjen apo rinovimin e shtëpisë, gjë për të cilën duken gjithmonë dorëlëshuar. I njëjti institucion ka pohuar që shifra e borxhit hipotekor gjatë vitit të fundit është rritur me 7.8%. Nën shtysën e këtij borxhi të pasurive të patundshme, borxhi total u rrit për të arritur në 2,400 miliardë dollarë. Kjo është një rritje prej 0.9% në një muaj, rritja më e shpejtë mujore që nga viti 2011.
Opozita kërkon largimin e Ministrit të Mbrojtjes, Trudeau e merr në mbrojtje
Harjit Sajjan, Jonathan Vance dhe Justin Trudeau
Të premten, 18 Qershor, Dhoma e Komunave ka miratuar një mocion qortimi në adresë të Ministrit të Mbrojtes së Kanadasë Harjit Sajjan. Mocioni u propozua nga Partia Konservatore dhe u mbeshtet edhe nga Neodemokratët, edhe nga Blloku. Të tre partitë kanë kërkuar dorëheqjen e Ministrit Sajjan i cili, veç një çështjeje që lidhet me tërheqjen e avionëve gjuajtës kanadezë nga Iraku, është vënë në shënjestër të kritikave, sepse ka qenë në dijeni qysh në vitin 2018 për një histori sjelljeje moralisht të padenjë që implikonte Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së asaj kohe, Jonathan Vance. Ministri ka qënë informuar prej ish-Ombudsmanit Ushtarak Gary Walbourne në lidhje më një mesazh me përmbajtje të pahijshme që Vance i pat dërguar një vartëses së vet qysh në vitin 2012, para emërimit në krye të ushtrisë. Edhe pse skandali i sjelljeve të padenja në radhët e ushtrisë është një nga temat e nxehta të ditës, nga ana e tij, në mënyrë të përsëritur, kryeministri Trudeau nuk ka hezituar të marrë në mbrojtje Ministrin Sajjan, duke përsëritur që ai ka besimin e tij të plotë dhe që është personi më i përshtatshëm për atë post, të cilin ai e mban prej vitit 2015. Përpara hyrjes në politikë, 51 vjeçari Harjit Sajjan, me origjinë nga India, ka qenë fillimisht pjestar i trupave policore të Vancouver dhe më pas pjesë e ushtrisë kanadeze, ku ka patur si gradën më të lartë atë të lejtënant-kolonelit. Ai ka marrë pjesë gjithashtu në disa misione ushtarake në Bosnje dhe Afganistan.
©Flasshqip.ca
Fotot: Radio-Canada