Aktualitet

Historike: Për herë të parë një autoktone Guvernatore e Përgjithshme e Kanadasë

Kryeministri kanadez Justin Trudeau, nga ambientet e Muzeut Historik Kanadez njoftoi sot më 6 Korrik, ëmërimin e ish-diplomates me origjinë autoktone Mary Simon në postin e Guvernatores së Përgjithshme të Kanadasë. Simon do te jetë e 30-ta në radhën e atyre që kanë përfaqësuar Monarkinë Britanike në Kanada në 154 vjet dhe e para ndër ta me origjinë autoktone. Ky është padyshim një emërim historik dhe sigurisht i ndikuar edhe nga zhvillimet e fundit në vend, pas zbulimit të mbi 1000 varreve anonimë fëmijësh autoktonë në territorin e disa ish-shkollave rezidenciale në British Columbia dhe Saskatchewan.

Guvernatorja e re e Përgjithshme njihet gjithashtu si avokate e të drejtave dhe kulturës Inuit. Ajo është Inuke me origjinë nga Kangiqsualujjuaq-Nunavik. Zonja Simon ka përfaqësuar Inuit-ët pranë qeverisë së Kanadasë dhe Kombeve të Bashkuara. Ajo ka shërbyer gjithashtu si Ambasadore e Kanadasë për Çështjet e Arktikut si dhe ka qenë Ambasadore e Kanadasë në Mbretërinë e Danimarkës 1999-2002. Gjithashtu ka mbajtur pozicione drejtuese në Korporatën Makivik, Këshillin e Arktikut, Fondacionin e Fëmijëve dhe Rinisë Arktike si dhe Komitetin Kombëtar të Edukimit Inuit.

Emërimi i Mary Simon në postin e Mëkëmbëses së Mbretëreshës është aprovuar tashmë edhe nga Elizabeth II, kryetarja e shtetit kanadez. Ndërkohë, posti i Guvernatorit të Pergjithshëm ishte vakant qysh nga Janari 2021, kur Julie Payette dha dorëheqjen pas një skandali të dokumentuar në një raport zyrtar ku përshkruheshin marrëdheniet e tendosura të saj me administratën e Rideau-Hall. Gjatë periudhës së vakancës, funksionet e Guvernatorit të Përgjithshëm i ushtroi kreu i Gjykatës së Lartë Kanadeze, Richard Wagner. 

Mary Simon përveç shumë vlerësimeve dhe dekoratave ka marrë gjithashtu 11 herë titullin Doktor Honoris Causa në Jurisprudencë nga këto universitete kanadeze: McGill, Guelf, Trent, Universiteti i Alberta, Memorial, Carleton, Queens, Loyalist College, Mount Saint Vincent, Universiteti i British Columbia, Universiteti i Victoria. Ajo ka qenë gjithashtu Kancelare e Trent University.

©Flasshqip.ca