Kanada - Emërohen pesë senatorë të rinj me propozimin e Trudeau
Me propozimin e Kryeministrit Justin Trudeau, Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë Mary Simon, ka miratuar pesë senatorë të rinj, të cilët do të plotësojnë pesë vendet vakante në Dhomën e Lartë të Parlamentit kanadez, që përbëhet nga 105 anëtarë me të drejtë qëndrimi deri në moshën 75 vjeç. Njoftimin e bëri dje publik kabineti i kreut të qeverisë. Me emërimet e djeshme, numri i senatorëve të pavarur të propozuar qysh nga momenti që Trudeau u bë shef i egzekutivit shkon në 60.
Të sapoemëruarit janë David Arnot, që përfaqëson Saskatchewan, Michèle Audette, Amina Gerba dhe Clément Gignac që të tre përfaqësojnë Québec, si dhe Karen Sorensen, që përfaqëson Alberta.
David Arnaud është jurist dhe PhD në Jurisprudencë, ish-prokuror, ish-gjykatës dhe ish-drejtues i Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Saskatchewan.
David Arnaud
Michèle Audette, me origjinë autoktone, ka qënë Komisionere e Hetimit kombëtar mbi gratë dhe vajzat autoktone të zhdukura ose të vrara si dhe drejtuese e shoqatave përkatëse të grave autoktone për Québec dhe Kanada.
Michèle Audette
Amina Gerba, e lindur në Kamerun vjen nga bota e biznesit në Québec dhe njihet si shumë aktive në mbështetjen e lidhjeve ekonomike mes Kanadasë dhe Afrikës.
Amina Gerba
Clément Gignac, ekonomist me profesion, ka qenë deputet provincial në Québec dhe dy herë ministër i Partisë Liberale në kohën e kryeministrit Jean Charest. Ai ka mbajtur portofolet e Zhvillimit Ekonomik dhe Faunës e Burimeve Natyrore.
Clément Gignac
Senatorja e sapoemëruar e Alberta, Karen Sorensen, deri tani ka mbajtur postin e kryetares së Bashkisë në qytetin Banff për tre mandate radhazi dhe është eksperte e industrisë së hotelerisë dhe turizmit.
Karen Sorensen
Sipas njoftimit të Kabinetit të Kryeministrit për mediat, “të gjithë senatorët e rinj janë rekomanduar nga Komiteti i Pavarur Këshillimor për Emërimet në Senat dhe janë përzgjedhur përmes një procesi të bazuar në merita, proces i hapur për të gjithë, që garanton pavarësinë e të ëmëruarve dhe diversitetin kulturor kanadez”.
©Flasshqip me informacione nga Radio-Canada