Aktualitet

Java Kanadeze - Lajme shkurt 1 Gusht 2021

New Brunswick

Mary Simon merr zyrtarisht funksionet e Guvernatores së Përgjithshme

Ngjitje në majën më të lartë të Kanadasë për qëllime studimore

Miliarda dollarë nga Ottawa për një projekt hidroelektrik në Newfoundland

Varianti Delta aktualisht varianti dominues në Kanada

Tokio - Andre De Grasse fiton medaljen e bronzit në 100 m

 

Mary Simon merr zyrtarisht funksionet e Guvernatores së Përgjithshme

Nën shkrehjen protokollare të 21 goditjeve me top, Mary Simon mori zyrtarisht të Hënën e kaluar, 26 Korrik 2021, funksionin e Guvernatores së Përgjithshme të Kanadasë. Ajo bëri betimin në një ceremoni me prezencë të reduktuar (vetëm 44 vetë) para Kryetarit të Gjykatës së Lartë Kanadeze Richard Wagner dhe Kryeminstrit Justin Trudeau. Fjalimi i saj zyrtar zgjati rreth 15 minuta dhe u prononcua në anglisht, inuktitut (gjuha e saj e nënës) dhe në frengjisht. Gjatë fjalës së saj, Zonja Simon shpalli dhe prioritetet e mandatit që do ushtrojë, ku perveç procesit në vazhdimësi të pajtimit mes kanadezëve dhe popujve autoktonë, ajo përmendi mbrojtjen a rajonit të Arktikut nga ndryshimet klimatike si dhe problemet e shëndetit mendor.

 

Ngjitje në majën më të lartë të Kanadasë për qëllime studimore

Rebecca Haspel, Toby Harper-Merrett, Alison Criscitiello dhe Zac Robinson në majën e malit Logan, Maj 2021

Me qëllim studimin e të kaluarës por edhe ndryshimet klimatike, një grup shkencëtarësh nga Universiteti i Albertas-s sapo kanë kryer një mision studimor 5 javor në akullnajat dhe në majën e malit Logan në territorin e Yukon (5,957 m), më i larti në Kanada. Sipas drejtoreshës së Laboratorit Kanadez për Akullnajat, Alison Criscitiello, një mal i lartë si Logan, është ndër vendet më të vështira ku mund të kryhen studime shkencore, ndaj dhe sfida ka qenë shumë e madhe. Këto lloj eskpeditash janë shumë më të rralla se ato në Polet e Veriut dhe Jugut, por informacioni i marrë prej tyre shpesh eshtë shumë i vlefshëm. Një ndër konstatimet më të rëndësishme të kësaj ekspedite ishte që duke filluar nga lartësia 3000 metra, sasia e borës ishte më pak e bollshme se tre vjet më parë. Ndërsa në lartësinë mbi 5000 metra, ky lloj ndryshimi është shumë i vogël dhe tenmperaturat vazhdojnë të jenë shumë të ftohta.

 

Miliarda dollarë nga Ottawa për një projekt hidroelektrik në Newfoundland

Qeveria federale dhe ajo e provincës Newfoundland dhe Labrador, kanë arritur një marreveshje me shumën 5,2 milardë dollarë (2 miliardë financim dhe 3,2 miliardë garanci huaje), për ristrukturimin financiar të njërit prej projekteve më të mëdha hidroelektrike në vend, atij të Muskrat Falls. Projekti pat nisur në vitin 2012, por për shkak të vonesave, kostoja ka pësuar rritje deri në masën 77%. Justin Trudeau, ka shkuar vetë në St. John’s ku është takuar me kryeministrin provincial Andrew Furey. Sipas këtij të fundit, ndihma federale do krijojë mundësinë që tarifat e energjisë elektrike të mos rriten menjëherë pas kompletimit të këtij megaprojekti (824 Megawat) që parashikohet të përfundojë në muajin Nëntor të këtij viti. Ndihma e dhënë nga Ottawa është kritikuar nga Federata Kanadeze e Takspaguesve, sepse kostoja fillestare e projektit që ishte rreth 6,2 miliardë tani parashikohet të kapërcejë shifrën 13 miliardë.

 

Varianti Delta aktualisht varianti dominues në Kanada

Dr. Theresa Tam

Varianti Delta, i zbuluar për herë të parë në Indi në Tetor 2020 para se të përhapej në të gjithë botën, përbën aktualisht shumicën e rasteve të COVID-19 në Kanada dhe në shumë vende të tjera. Përhapja i këtij varianti më ngjitës ka krijuar alarm në radhët e autoriteteve të shëndetit publik që dyshojnë se Kanadaja mund të jetë në fillimin e valës së katërt. Parashikimet afatgjata të publikuara të Premten, 30 Korrik 2021, gjithashtu japin indikacione për një rritje shumë të konsiderueshme të numrit të rasteve me COVID-19 për shkak të variantit Delta, nëse kufizimet shëndetësore vazhdojnë të lehtësohen pa u rritur shkalla e vaksinimit. Ky variant thuhet se është ngjitës si lija i dhenve, më rezistent ndaj vaksinave dhe më i rrezikshëm se llojet e vjetra, kjo edhe sipas deklarimeve nga zyrtarë amerikanë. Si rezultat i përparimit të tij, numri i rasteve ditore të COVID-19 në mbarë vendin mund të kalojë 10,000 në Shtator.

 

Tokio - Andre De Grasse fiton medaljen e bronzit në 100 m

Andre De Grasse

Sprinteri kanadez Andre De Grasse, përsëriti sot në Tokio suksesin e tij në Lojërat Olimpike të Rio-s, duke fituar bronzin në garën e vrapimit 100 metra. 26-vjeçari me origjinë nga Scarborough (Toronto) realizoi gjatë garës finale dhe një rekord personal duke arritur kohën 9.89 sekonda. Ndërkohë, medaljen e artë e fitoi Lamont Marcel Jacobs i Italisë që realizoi kohën 9.80 sekonda. Jacobs pason Usain Bolt, tre herë kampion olimpik i kësaj distance. Nga ana e tij, amerikani Fred Kerley, ka përfunduar i dyti duke marrë dhe medaljen e argjendtë me një kohë prej 9.84 sekonda. De Grasse është fituesi i medaljes së parë kanadeze për meshkuj në Lojërat e Tokios. Ai tani do provojë fatin në garat 200 metra dhe stafetën 4x100 metra, gara ku pat fituar përkatësisht medalje argjendi dhe bronzi para 5 vitesh në Brazil.

©Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada