Aktualitet

Kanada - Ka nisur dje votimi i përshpejtuar për zgjedhjet federale të 20 Shtatorit

Prej ditës së djeshme, 10 Shtator, ka nisur në Kanada votimi i përshpejtuar për zgjedhjet e parakohshme federale të 20 Shtatorit. Ky votim do të vazhdojë deri të henën 13 Shtator dhe qendrat e votimit do të jenë të hapura prej orës 9 të mëngjesit deri në orën 9 të mbrëmjes. Ndërkohë ata që nuk do votojnë gjatë këtyre ditëve u mbetet ta ushtrojnë të drejtën e votës në datën 20.

Sipas Election Canada, në zgjedhjet e vitit 2019, ishin rreth 4,7 milionë qytetarë që votuan në mënyrë të përshpejtuar, ndërsa sivjet pritet që ky numër të jetë më i madh. Ndërkohë, mbi 750,000 kanadezë kanë kërkuar të votojnë sivjet përmes postës nga rreth 27 milionë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Zgjedhësve.

Në shumë qendra votimi të Rajonit Metropolitan të Montréal-it prej mengjesit të djeshëm radha e njerëzve ka qenë e gjatë, kjo edhe për faktin që procedurat janë më të ngadalta si rezultat i kushtëzimit prej rregullave të pandemisë. Radha ka qenë gjithashtu e gjatë edhe në një nga qendrat e votimit të zonës elektorale Beloeil-Chambly, ku ka votuar redaksia e Flasshqip rreth orës 6 pasdite. Në këtë qendër, sipas pohimeve të personelit të angazhuar me procesin e votimit, pjesëmarrja ka qenë e lartë qysh prej mëngjesit.

Mundet që ndikim në këtë pjesëmarrje të lartë gjatë ditës së djeshme të ketë patur edhe replikat e liderit të Block Québecois, Yves-François Blanchet (deputet i zonës) me moderatoren e debatit të shefave që u zhvilluar parmbrëmë në CBC, si dhe me kryetaren e Partisë së Gjelbër, Annamie Paul. Shkaku i përplasjes ishte tema e identitetit të Québec dhe e racizmit. Blanchet, i cili me shkathtësi diti ta shfrytëzojë debatin për të rritur kredibilitetin e forces që drejton, po ashtu e ka ushtruar dje të drejtën e votës, duke ftuar njëherazi edhe me një mesazh telefonik përkrahësit e tij të bëjnë të njejtën gjë

Kujtojmë që edhe Kryeministri i Québec, François Legault, u pozicionua gjithashtu në një linjë me shefin e Block Québecois, përmes një deklarimi qartazi nacionalist, madje bëri dhe thirrje që të mos votohet për Liberalët dhe NDP, pasi sipas tij janë dy parti me tendenca centralizuese dhe që me politikat e tyre mund të cënojnë autonominë e Québec. Sa do ndikojë kjo deklaratë në betejat e zonave ku diferencat parashikohen të ngushta, është vështirë të bëhen prognoza paraprake. Të presim e të shohim rezultatet që do shpallen në datën 21 Shtator.

E sigurt është që përplasja mes Liberalëve dhe Block Québecois do jetë e fortë. E sigurt gjithashtu është që emrin e kryeministrit të ardhshëm do ta përcaktojë Ontario (121 zona elektorale) dhe Québec (78 zona elektorale). Megjithatë, cilido të jetë emri, Trudeau apo O’Toole, gjasat janë që të qeverisë sërish në minorancë.

©Flasshqip.ca