Përfundojnë zgjedhjet në Kanada: Liberalët sërish në minorancë, Trudeau humbet bastin

Kanë përfunduar mbrëmë zgjedhjet e parakohshme federale kanadeze për rinovimin e Dhomës së Komunave me 338 deputetë. Sipas projeksioneve të Radio-Canada, Kanadaja do të gdhihet sërish me një qeveri liberale në minorancë. Liberalët pritet të kenë sërish 156-158 (157 morën në 2019) deputetë, pa arritur dot shifrën 170, e domosdoshme për të qenë në mazhorancë. Ashtu në fakt siç e kishin parashikuar në mënyrë të përsëritur edhe sondazhet pas fillimit të fushatës, që në mes të pandemisë zgjati 36 ditë. Kësisoj, Justin Trudeau nuk do t'i ketë dot sërish të dy duart në timon si në vitin 2015, siç shpreheshin gjatë fushatës disa ministra servilë. Ky është leksioni që i dhanë atij mbrëmë qytetarët e Kanadasë.
Edhe pse numërimi i votave vazhdon ende, sa i takon rezultatit mes dy forcave kryesore në garë, Liberalëve dhe Konservatorëve, diferenca me vënde në Parlament pritet të jetë gati e ngjashme me atë të zgjedhjeve të vitit 2019. Një rënie të vogël në numrin e deputetëve mund të ketë Block Québecois i Blanchet por mundet dhe një ose dy më shumë se në 2019. Edhe Neodemokratët e Jagmeet Singh duket se do kenë të paktën 1 ose 2 deputetë më shumë se para dy vitesh.
Rezultati i 20 Shtatorit mund të konsiderohen si basti i humbur i kryeministrit Justin Trudeau, i cili i kërkoi zgjedhjet e parakohshme vetëm më një synim, marrjen e mazhorancës që nuk arriti ta fitonte në vitin 2019, në kushtet kur nuk kishte asnjë shkak ligjor për ta çuar vendin në zgjedhje, në kohën kur Kanadaja po përfshihej nga vala e katërt e pandemisë. Pra 700 milionë dollarë kanë shkuar kot, vetëm për egon personale të shefit të Liberalëve. Pa ndrojtje, këto zgjedhje mund të konsiderohen edhe si zgjedhjet më të panevojshme në historinë e Kanadasë. Ndërkohë, duhet pritur rezultat final për një analizë më të thellë dhe për një lexim më të detajuar të rezultatit tek i cili do përfshihen dhe votat me postë.
Erin O’Toole, prej një viti lider i Konservatorëve, duket se përsëriti edhe ai të njejtin rezultat si paraardhësi i tij Andrew Scheer. Në rang vendi, Konservatorët parashikohet që do të kenë sërish më shumë vota popullore dhe thuajse të njejtin numër deputetësh, ose ndofta 1 ose 2 më shumë apo më pak.
Të Gjelbrit, me rreth 2.2% do kenë sërish 2 deputetë, ndërsa liderja e partisë, Annamie Paul, e humbi për herë të tretë brenda dy viteve garën në zonën Toronto-Center dhe mbase shumë shpejt do deklarojë dhe dorëheqjen. Një lloj surprize, ndofta edhe nga fushata antivaksinë, ka krijuar Maxime Bernier i Partisë Popullore Kanadeze. Edhe pse nuk është zgjedhur vetë deputet, në rang vendi pritet që partia e tij të ketë mbi 5% të votave.
Paskëtaj një gjë ështe thuajse e sigurt, jetëgjatësia e qeverisë Trudeau 3, zor se do ti kalojë 18 muajt.
©Flasshqip.ca