Java Kanadeze - Lajme shkurt 10 Tetor
(Tobermory-Ontario)
Ottawa do çertifikojë provat vaksinale të provincave për udhëtimet ndërkombëtare
British Columbia, kërkohet rihapja e aeroportit ndërkombëtar të Kelowna
Alberta, një ari “mysafir” në një shtëpi të Fort McMurray
Saskatchewan, angazhohen ish-policë për kontrollin e rregullave sanitare
Manitoba, merr zjarr një kamping i improvizuar të pastrehësh në Winnipeg
Aeroportet e Halifax dhe Moncton mirëpresin vaksinimin e detyruar për udhëtarët e avionëve
Provinca Prince Edward Island do hapë për here të parë Fakultetin e Mjekësisë
Ottawa do çertifikojë provat vaksinale të provincave për udhëtimet ndërkombëtare
Siç ka deklaruar sot (10.10.21) në emisionin “Kulisat e pushtetit” të transmetuar nga Radio-Canada ministri i Çështjeve Ndërqeveritare Dominic LeBlanc, deri në krijimin së shpejti të një dokumenti në nivel federal, për udhëtimet ndërkombëtare të shtetasve kanadezë, qeveria federale ka vendosur të çertifikojë përmes Health Canada provat e vaksinave të lëshuara nga provincat.
British Columbia, kërkohet rihapja e aeroportit ndërkombëtar të Kelowna
Zyrtarë të sektorit të turizmit në British Columbia i kanë bërë thirrje qeverisë federale të riautorizojë fluturimet ndërkombëtare nga Aeroporti Ndërkombëtar i Kelowna-s (YLW), për shkak se vazhdimi i mbajtjes mbyllur mund të shkaktojë akoma mos arkëtimin e miliona dollarëve të ardhura. Ottawa i pat ndaluar fluturimet si masë për frenimin e pandemisë dhe për këtë shkak aeroporti ka humbur deri tani më shumë se 2.5 milion dollarë. Më parë, këto fluturime përbënin deri në 30% të trafikut të aeroportit. Përveç fluturimeve direkte drejt Kubës dhe Meksikës nga ky aeroport, shumë udhëtarë që duan të shmangin radhët e gjata në aeroportin e Vancouver e shfytëzonin më parë Kelowna-n për fluturime direkte me Seattle. Para pandemisë, Aeroporti i Kelowna-s ishte ndër 10 aeroportet më të frekuentuar në Kanada, ndërsa aktualisht është i vetmi në këtë renditje ku vazhdojnë të ndalohen fluturimet nga jashtë. Në një deklaratë, Transport Canada, pa dhënë një datë të saktë, pohoi se po shqyrtohet rikthimi së shpejti i fluturimeve ndërkombëtare në aeroportet rajonale si Kelowna.
Alberta, një ari “mysafir” në një shtëpi të Fort McMurray
Për banorët e Alberta-s veriore është me se e zakonshme të shohësh arinj të zinj, por ka pak të ngjarë ta shohësh një të tillë në shtëpinë ku jeton. Një suprizë të vërtetë ka përjetuar para disa ditësh një familje nga Fort McMurray. Ariu së pari ka depërtuar në garazhin e shtëpisë së familjes Reddy. Ndërkohë, i zoti i shtëpisë, Sean, ndodhej aty me dy nga katër fëmijët e tij. Më pas, pasi përshkoi korridorin ariu hyri në një nga dhomat e shtëpisë, i ka deklaruar Radio-Canada Sean Reddy. I armatosur me një alergjen kundër arinjve dhe i ndihmuar nga fqinji i tij, ky i fundit u barrikadua në korridor, pastaj hapi derën dhe e la ariun të kthehej prej nga kishte hyrë. Sipas tij, kafsha peshonte rreth 270 kilogramë dhe dukej mjaft e bindur. Në këtë periudhë të vitit, arinjtë janë gati të përgjumur, të shëndoshë, dembelë dhe të lodhur. Sipas të dhënave të autoriteteve provinciale, këtë vit u kapën gjithsej 70 arinj në zonën e Fort McMurray. Prej tyre 19 u zhvendosën sërish në pyje ndërsa 51 u asgjësuan.
Saskatchewan, angazhohen ish-policë për kontrollin e rregullave sanitare
Dr. Johnmark Opondo, mjeku higjenist i Autoritetit Shëndetësor të Saskatchewan
Provinca e Saskatchewan do rekrutojë ish-oficerë policie për të kompensuar mungesën e inspektorëve të shëndetit publik përgjegjës për zbatimin e rregullave sanitare. Mjeku higjenist i Autoritetit Shendetësor provincial, Johnmark Opondo, deklaroi të Enjten (07.10.21) para mediave se një ekipi i ri është në krijim e sipër dhe roli i tij do të jetë të ndihmojë inspektorët e shëndetit publik për shqyrtimin e ankesave në lidhje më mosrespektimin e rregullave të vaksinimit nga bizneset ose publiku. Ekipi përbëhet nga oficerë policie në pension. Përveç rekrutimit të ish-oficerëve të policisë, Autoriteti Shëndetësor po përgatit gjithashtu një qendër të sigurt izolimi në Spitalin e North Battleford.
Manitoba, merr zjarr një kamping i improvizuar të pastrehësh në Winnipeg
Sipas deklaratës së Bashkisë, një kamp i improvizuar nga të pastrehët në qendër të Winnipeg u shkatërrua nga flakët të Premten (08.10.21) në mbrëmje. Për fat nuk ka patur asnjë të lënduar. Kur zjarrfikësit e qytetit mbërritën rreth orës 19:40 në vendngjarje, të gjithë “banorët” ishin larguar dhe ata vetëm sa konstatuan dëmin dhe arritën të vënë nën kontroll zjarrin që kishte dëmtuar edhe disa shtylla të transmetimit të energjisë elektrike.
Aeroportet e Halifax dhe Moncton mirëpresin vaksinimin e detyruar për udhëtarët e avionëve
Autoritetet Aeroportuale të Halifax (Nova Scotia) dhe Moncton (New Brunswick) i kanë mirëpritur masat e shpallura të Mërkurën (06.10.21) nga qeveria federale, që detyrojnë nga 30 Tetori të gjithë udhëtarët që marrin avionët, trenat apo anijet, të jenë të pajisur me pasaportë vaksinimi. Gjithsesi, një periudhë tolerance një mujore do t'u jepet udhëtarëve të pavaksinuar që duan të përdorin këto mjete transporti, por ata do jenë të detyruar të paraqesin një test me rezultat negativ. Në një email drejtuar Radio-Canada, ekipi drejtues i aeroportit të Halifax ka deklaruar se e mbështet politikën e qeverisë për vaksinimin e detyrueshëm për udhëtarët dhe pret të mësojë më shumë rreth procesit në javët e ardhshme. Të njejtën deklaratë ka bërë edhe Bernard LeBlanc, President i Aeroportit Ndërkombëtar Greater Moncton.
Provinca Prince Edward Island do hapë për here të parë Fakultetin e Mjekësisë
Universiteti i Prince Edward Island do të ketë për herë të parë Fakultetin e vet të Mjekësisë, që parashikohet të hapë dyert në Vjeshtën e vitit 2023. Programi do të ofrohet në bashkëpunim me Universitetin Memorial. Diskutimi mes dy institucioneve për këtë projekt të rëndësishëm ka nisur qysh vitin e kaluar. Sipas marrëveshjes, emrat e të dy institucioneve do të figurojnë gjithashtu edhe në diplomat që do t’u akordohen studentëve në përfundim të programit mësimor. Kuota e vitit të parë për studentët e Prince Edward Island do jetë 20 vende, një nga të cilët do rezervohet për një student autokton. Universiteti i Prince Edward Island ka deklaruar gjithashtu për Radio-Canada, që planifikon të rrisë me 18 kuotat në shkencat e Infermierisë si dhe të zgjerojë Qendrën e Shëndetit dhe Mirëqenies Sociale. Për kryerjen e ketyre projekteve në gjashtë vitet e ardhshme do të nevojitet një financim rreth 129 milionë dollarë.
©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada