Aktualitet

Kanada - Betohen 38 ministrat e kabinetit Trudeau 3

Ashtu siç ishte paralajmëruar ditë më parë, është zhvilluar sot në mëngjes (26.10.21) në Rideau Hall, rezidencën e Guvernatores së Përgjithshme Mary May Simon, ceremonia e betimit të qeverisë së re në minorancë Trudeau 3, qeveri që dekretohet pas fitores së Liberalëve në zgjedhjet e parakohshme federale të 20 Shtatorit. Numri i përgjithshëm i anëtarëve të kabinetit është gjithsej 38 dhe përbërja respekton përsëri barazinë gjinore. Lista përmban shumë emra nga qeveria e mëparshme, të cilët kanë këmbyer portofolet, sikurse dhe disa emra të rinj. Disa nga ministrat e mëparshëm janë konfirmuar gjithashtu në të njejtin post. Ndërkohë e vetmja që ishte rikonfirmuar në post pas zgjedhjeve, ishte Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Financave Chrystia Freeland.

Një nga emërimet më të spikatura është ai i Mélanie Joly, në detyrën e Ministres së Punëve të Jashtme duke zëvendësuar Marc Garneau që nuk do jetë më pjesë e qeverisë. Ish-astronauti i shquar pritet të marrë një post ambasadori. Mélanie Joly ka mbajtur më parë portofolet e Zhvillimit Ekonomik dhe atë të Gjuhëve Zyrtare. Sipas komenteve në kulisa, Trudeau ka shpërblyer performancën e saj në drejtimin e fushatës në Québec.

Një tjetër emërim që tërheq vëmendjen është dekretimi i Anita Anand në rolin e Ministres së Mbrojtjes e cila është e dyta grua që merr këtë post, pas Kim Campbell në 1993. Ish-ministri i Mbrojtjes Harjit Sajjan ka marrë këtë radhë portofolin e Zhvillimit Ndërkombëtar. Anand në qeverinë e mëparshme ka drejtuar dikasterin Shërbimeve Publike dhe Furnizimit që pilotoi procesin e blerjes së vaksinave për COVID-19. Duhet theksuar se ajo e merr postin e ri në një periudhë kur Forcat e Armatosura Kanadeze po kalojnë një situatë të trazuar, pas bërjes publikë të disa aferave sjelljesh të pahijshme seksuale, në të cilat rezultoi të jenë përfshirë disa drejtues të rangjeve më të larta, deri edhe dy ish-shefa të Shtabit të Përgjithshëm. Një numër organizatash jo qeveritare dhe ekspertësh, i rekomanduan Jutin Trudeau kohët e fundit emërimin e një gruaje në këtë post.

Steven Guilbeault, i cili hyri në politikë në vitin 2019 pas një karriere të gjatë si aktivist mjedisor, është dekretuar sot në postin e Ministrit të Mjedisit dhe Ndryshimeve Klimatike, duke zëvendësuar Jonathan Wilkinson që kaloi te dikasteri i Burimeve Natyrore. Guilbeault merr detyrën më pak se një javë përpara hapjes së COP26, Konferencës së Kombeve të Bashkuara për klimën që do mbahet në Skoci, ku do marrë pjesë edhe kryeministri Justin Trudeau. Nga ana e tij, Pablo Rodriguez, drejtuesi politik i Liberalëve në Québec, zëvendëson Steven Guilbeault si Ministër i Trashëgimisë Kanadeze, një pozicion që ai e pat mbajtur për më shumë se një vit gjatë mandatit të parë të Justin Trudeau.

Një emërim e spikatur është konsideruar dhe kalimi i Jean-Yves Duclos nga Këshilli i Thesarit tek Ministria e Shëndetësisë, duke zëvendësuar Patty Hajdu, e cila bëhet Ministre e Shërbimeve për Autoktonët. Në postin e ri, Duclos do duhet të zhvillojë negociatat me provincat, të cilat kërkojnë rritje të konsiderueshme të transfertave shëndetësore federale. Nga Ministria e Shëndetësisë janë shkëputur disa sektorë dhe Carolyn Bennett ka marrë postin e ri të Ministres së Shëndetit Mendor njëherazi dhe Ministres së Asociuar të Shëndetësisë. Dikasteri i Marrëdhënieve Kurorë-Autoktonë i Carolyn Bennett, i ka kaluar Marc Miller, deri tani Ministër i Shërbimeve Autoktone. Ndërkohë në krye të Këshillit të Thesarit është dekretuar Mona Fortier.

Karina Gould, e cila në qeverinë e mëparshme drejtoi dikasterin e Zhvillimit Ndërkombëtar ka kaluar në Ministrinë e Familjes, Fëmijëve dhe Zhvillimit Social, ku do duhet të negociojë me provincat krijimin e shërbimit të kujdesit për fëmijët me kosto 10 dollarë nga një oqean në tjetrin. Këtë post deri më tani e ka mbajtur Ahmed Hussen, i cili mbetet në kabinet si Ministër i Strehimit. Hussen do të jetë gjithashtu përgjegjës për Diversitetin dhe Gjithëpërfshirjen.

Seamus O'Regan, i cili ka drejtuar Burimet Natyrore, kalon në postin e Ministrit të Punës, duke zëvendësuar Filomena Tassi, e cila zëvendëson Anita Anand si Ministre e Shërbimeve Publike dhe Furnizimit. Drejtimin e dikasterit të Peshkimit, Oqeaneve dhe Rojës Bregdetare e ka rimarrë Joyce Murray, ndërsa posti i ministres së Qeverisjes Digjitale që ajo mbante deri tani është suprimuar.

Disa prej ministrave do vazhdojnë të mbajnë postet e tyre të mëparshme. Ata janë François-Philippe Champagne (Inovacioni, Shkenca dhe Industria), Marie-Claude Bibeau (Bujqësia), Omar Alghabra (Transporti), David Lametti (Drejtësia) dhe Dominic LeBlanc (Çështjet Ndërqeveritare). Ky i fundit mori madje edhe një promovim, duke iu besuar edhe përgjegjësia e Infrastrukturës dhe Komuniteteve. Lawrence McCaulay (Çështjet e Veteranëve) dhe Diane Lebouthillier (Të ardhurat), Carla Qualthrough (Punësimi), Mary Ng (Tregtia Ndërkombëtare, Biznesi i Vogël, Zhvillimi Ekonomik) dhe Dan Vandal (Çështjet e Veriut) mbeten dhe ata në postet që kanë patur.

Steven Guilbeault (Ambienti), Mélanie Joly (Punët e Jashtme), Anita Anand (Mbrojtja)

Ndërkohë, deputetët Randy Boissonnault, Sean Fraser, Pascale St-Onge, Marci Ien, Kamal Khera, Gudie Hutchings dhe Helena Jaczek janë ministrat e rinj të Kabinetit Trudeau 3, ndërsa Ginette Petitpas Taylor, e cila më parë ishte Ministre e Shëndetësisë rikthehet si ministre e Gjuhëve Zyrtare.

Boissonnault, që i ka rikthyer një mandat deputeti Liberalëve në Alberta të cilët u fshinë nga harta elektorale e kësaj province në vitin 2019, do drejtojë Ministrinë e re të Turizmit, portofol i krijuar me sa duket enkas për t’i dhënë një impuls të ri kësaj industrie të goditur rëndë që nga fillimi i pandemisë. Ai do të jetë gjithashtu edhe Ministër i Asociuar i Financave.

Deputeti i Nova Scotia Sean Fraser bëhet Ministër i Emigracionit, Refugjatëve dhe Shtetësisë. Ai pason Marco Mendicino-n, i cili shkon tek Rendi Publik për të zëvendësuar Bill Blair. Ky i fundit, megjithatë, ruan postin e tij si Ministër i Mbrojtjes Civile dhe gjithashtu bëhet President i Këshillit Privat. Pascale St-Onge, ish-liderja sindikaliste e zgjedhur me rezultat shumë të ngushtë në Brome-Missisquoi (Québec) ka marrë drejtimin e një Ministrie të re të Sporteve. Ajo do të ketë gjithashtu nën përgjegjësi Agjencinë Federale të Zhvillimit Ekonomik për Rajonet e Québec.

Marci Ien, një ish-prezantuese e CTV që fitoi mandatin në një zonë elektorale në qendrën e Torontos, do të jetë ministrja e re për Gratë, Barazinë Gjinore dhe Rininë.  Kamal Khera, me profesion infermiere, është dekretuar ministre për të Moshuarit, Gudie Hutchings do të jetë ministre e Zhvillimit Ekonomik Rural, ndërsa Helena Jaczek ministre përgjegjëse për Agjencinë Federale të Zhvillimit Ekonomik për Jugun e Ontarios.

©Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canada

Foto: The Canadian Press/Adrian Wyld