Java Kanadeze - Lajme shkurt 31 Tetor
(Funerali i zjarrfikësit Pierre Lacroix në Montréal)
Papa Françesku do vizitojë Kanadanë vitin e ardhshëm
Heather Stefanson, kryeministrja e re e provincës Manitoba
Një kabëll nënujor do çojë internet me shpejtësi të lartë te Inuitët në Labrador
Në Halifax pas 104 vjetësh dëgjohen sërish këmbanat e dëmtuara më 1917
Montréal, funeral madhështor dedikuar zjarrfikësit Pierre Lacroix
Papa Françesku do vizitojë Kanadanë vitin e ardhshëm
Të mërkurën 27 Tetor, Vatikani komunikoi zyrtarish që kreu i Kishës Katolike, Papa Françesku, do vizitojë Kanadanë në vitin 2022. Sipas komentatorëve të ndryshëm, lajmërimi i kësaj vizite duket se është një hap i rëndësishëm drejt paraqitjes së faljes zyrtare në adresë të komuniteteve autoktone, për keqtrajtimin dhe gjenocidin kulturor të ushtruar ndaj fëmijëve autoktonë në ish-shkollat rezidenciale, pjesa më e madhe e të cilave administrohej nga Kisha Katolike. Ndërsa për RoseAnne Archibald, shefe e Asamblesë Kanadeze të Popujve Autoktonë, realizimi i kësaj vizite nuk do të thotë aspak që drejtësia u vu në vend. “Vazhdoj të insistoj që Kisha Katolike duhet të mbajë përgjegjësi për rolin e saj në asimilimin e dhunshëm dhe gjenocidin ndaj fëmijëve, familjeve dhe komuniteteve autoktone, prandaj dhe dikush duhet të akuzohet penalisht e komunitetet përkatëse të dëmshpërblehen”, ka deklaruar ajo në Twitter. Sipas Raymond Poisson, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Kanadasë, përgatitja e një vizite papale shkon rreth 6 muaj. Kësisoj Papa pritet të shkelë mbi tokën kanadeze gjatë verës ose fillimit të vjeshtës vitin e ardhshëm.
Heather Stefanson do jetë kryeministrja e re e provincës Manitoba
Heather Stefanson
Të Shtunën (30.10.21) ka përfunduar në Manitoba gara për kreun e Partisë Progresiste Konservatore. Ka qenë një garë e ngushtë në përfundim të të cilës, Heather Stefanson ka fituar vetëm me rreth 360 vota diferencë ndaj Shelly Glover. Votimi është kryer nëpërmjet postës dhe në të kanë marrë pjesë 64% e anëtareve. Stefanson dhe Glover, kanë qenë të dyja ministre në kabinetin e Brian Pallister, liderit konservator që u dorëhoq pak kohë më parë. Stefanson e kanë uruar ndërkohë kryeministri Justin Trudeau dhe lideri i opozitës konservatore Erin O’Toole.
Një kabëll nënujor do çojë internet me shpejtësi të lartë te Inuitët në Labrador
Inuitët e Labradorit do përfitojnë shërbimi interneti me shpejtësi të lartë në vitin 2022, falë një projekti të rrjetit nënujor që lidh Kanadanë veriore me Norvegjinë. Projekti do zbatohet në një bashkëpunim mes CanArtic Inuit Networks dhe Bulk Infrastructure, një prodhues qendrash të të dhënave dhe rrjetesh fibrash. Të dy kompanitë propozojnë të instalojnë një kalim kabllor 1904 km në Nunavut dhe Nunatsiavut, toka në pronësi të Inuitëve në Labradorin verior. Përpara se të mbërrijë në Iqaluit, kablli SednaLink do kalojë nga Makkovik, Postville, Hopedale, Natuashish, Nain dhe miniera e Voisey's Bay. Faza e dytë e kabllit SednaLink do kalojë në Arktikun e Lartë dhe do të mbulojë 2960 km shtesë. Pjesa jugore e kabllit do bashkohet me kabllin nënujor me fibër optike të Bulk Infrastructure, të cilën kompania e quan Leif Erikson për nder të eksploruesit të njohur. Ky kabëll do të lidhë një zonë pranë gjirit Happy Valley-Goose me një pikë terminale të vendosur në distancë 4200 km në Norvegji.
Në Halifax pas 104 vjetësh dëgjohen sërish këmbanat e dëmtuara më 1917
Pas një heshtjeje 104 vjeçare, dy këmbana masive u riinstaluan të Shtunën (30.10.21) në kullën e sahatit të Bashkisë Halifax. Një nga këto dy relike historike ishte dëmtuar gjatë shpërthimit të tmerrshëm që shkatërroi një pjesë të qytetit në vitin 1917, shkaktuar nga një përplasje mes dy anijeve, njëra prej të cilave transportonte materiale luftarake. Bashkia, e projektuar në stilin viktorian, u ndërtua midis viteve 1887 dhe 1890, ndërsa më pas kullës iu shtua Ora në vitin 1904. Koha e saktë e heqjes së këmbanave nuk dihet saktësisht, por sipas të dhënave lokale, operacioni u krye brenda një intervali 20-vjeçar pas shpërthimit. Që nga viti 1995, një regjistrim i këmbanave të Big Ben-it të Londrës është transmetuar përmes altoparlantëve për të imituar tingujt e këmbanave origjinale. Këmbanat e sapo instaluara janë programuar të kumbojnë automatikisht çdo çerek ore.
Montréal, funeral madhështor dedikuar zjarrfikësit Pierre Lacroix
Në një ceremoni madhështore, i është dhënë lamtumira e fundit të Premten (29.10.21) në Montréal, zjarrfikësit Pierre Lacroix, i cili humbi jetën aksidentalisht, në një gjest heroik, teksa po u vinte në ndihmë dy qytetarëve në rrezik për t’u mbytur në zonën e njohur me emrin Les Rapides de Lachine të lumit Saint-Laurent, ku lundrimi është thuajse i pamundur për shkak të shkëmbinjve të shumtë. Marshimi i kortezhit filloi nga Porti i Vjetër dhe përfundoi në Bazilikën Notre-Dame, ku u zhvilluar mesha funebre dhe në Place d’Armes ajo u ndoq përmes një ekrani gjigand nga mbi 1200 zjarrfikës, një pjesë e të cilëve kishin ardhur nga SHBA. “Sakrifica e Pierre Lacroix nuk do të harrohet kurrë. Sot jemi mbledhur brenda dhe jashtë kësaj salle për t'i bërë një homazh të fundit një njeriu që sakrifikoi jetën e tij për të shpëtuar jetën e të tjerëve. Është sakrifica më e madhe dhe më e bukur”, ka deklaruar kryetarja e Bashkisë Montréal e cila e mori fjalën e para. 58 vjeçari Pierre Lacroix, i cili ka lënë në zi bashkëshorten dhe dy fëmijët, ishte pjestar i Kazermës 64, të Shërbimit të Zjarrfikësve të Montréal-it.
©Flasshqip me informacione nga Radio-Canada
Foto: Radio-Canada