Java Kanadeze - Lajme shkurt 12 Dhjetor
(Platforma Hebron - Newfoundland)
British Columbia, shpiket një bateri e përthyeshme që i reziston dhe ujit
Alberta, një hotel në Edmonton shndërrohet në strehimore për të pastrehët autoktonë
Saskatchewan, iniciativë për dhurimin e topave të basketbollit fëmijëve
Nouveau Brunswick, rikthehet në skenën e Teatrit Capitol në Moncton baleti “Arrëthyesi”
Nova Scotia, mbërrin një grup me 100 refugjatë nga Afganistani
Newfoundland, rritet prodhimi i naftës së rëndë bruto në brigjet e provincës
Ontario, Doug Ford fton Justin Trudeau të marrë pjesë në Samitin për tregun e banesave
Quebéc, qeveria merr masa parandaluese ndaj piratimit dhe mbyll 3992 faqe interneti të institucioneve
British Columbia, shpiket një bateri e përthyeshme që i reziston dhe ujit
Një grup studiuesish në Universitetin e British Columbia në Vancouver, kanë njoftuar se kanë shpikur një bateri fleksibël të ringarkueshme që mund të lahet. Sipas profesorit të inxhinierisë kompjuterike dhe elektrike, John Madden, kjo bateri funksionon si një bateri e zakonshme alkaline, por përveçse mund të rimbushet, mund edhe të përthyhet dhe rishtrihet. “Imagjinoni një bateri që mund ta merrni në duar, ta zgjasni për të dyfishuar gjatësinë, ta përdridhni ose ta fusni në lavatriçe dhe të funksionojë, pavarësisht gjithçkaje”, i ka përshkruar ai Radio-Canada. Përmbajtja e saj është e përbërë nga zink dhe dioksid mangani, të inkuadruar brenda një qeske të prodhuar nga polimere plastike. Këta përbërës ofrojnë avantazhin (ndryshe nga litiumi) e të mos qënit toksikë, çka mundëson që kjo lloj baterie të mbahet edhe afër lëkurës. Një treg potencial për këtë shpikje mbeten veshjet që inkorporojnë elektronikën apo dhe pajisjet mjekësore që duhen mbajtur në trup për më tepër se 24 orë për efekt matjesh të ndryshme.
Alberta, një hotel në Edmonton shndërrohet në strehimore për të pastrehët autoktonë
Një ish-hotel pranë Yellowhead Trail në pjesën Verilidore të Edmonton-it, së shpejti do të strehojë autoktonë të pastrehë. Sands Inn & Suites, në 12 340 Fort Road, do të transformohet plotësisht për të ofruar strehim afatgjatë dhe me pagesë të përballueshme. Niginan Housing Ventures, një organizatë jofitimprurëse që ofron strehim për autoktonët, do marrë në pronësi dhe operojë objektin, i cili do quhet Sands Supportive Living Home. Organizata gjithashtu do të drejtojë punimet për rinovimin e ish-hotelit. Niginan Housing Ventures ka marrë në dispizicion gjithsej 10.8 milion dollarë për të blerë hotelin e vjetër dhe për ta shndërruar në godinë banimi, nga të cilat 5.8 milionë nga qeveria federale dhe 5 milionë nga Bashkia Edmonton. Një marrëveshje që i hap rrugën projektit u miratua nga Bashkia muajin e kaluar. Objekti i rinovuar do të ketë 53 apartamente dhe në të mund të strehoen deri në 90 banorë të pastrehë. Ndër ta, 15 apartamente do shërbejnë për strehimin e grave autoktone. Parashikohet gjithashtu që Niginan Housing Ventures t'u sigurojë banorëve shërbime gjithëpërfshirëse kulturore dhe sociale gjatë gjithë kohës që ata do jetojnë në objektin e rinovuar.
Saskatchewan, iniciativë për dhurimin e topave të basketbollit fëmijëve
Një iniciativë për të ofruar topa basketbolli për fëmijët në Saskatchewan është bërë publike javën që shkoi. Ball for All është një partneritet midis Buckets and Borders, Canada Basketball, Saskatchewan Basketball, Scott Collegiate dhe Living Skies Indigenous Basketball League, liga e parë e basketbollit autokton e provincës. Qëllimi është zhvillimi i kulturës së basketbollit tek të rinjtë, por edhe promovimi i mirëqenies dhe aktivitetit fizik të tyre. Kompania Buckets and Borders po financon iniciativën përmes dyqanit të saj online. Kështu për çdo top basketboll të blerë me 60 dollarë, dy topa do t’u jepen falas fëmijëve të përfshirë në organizatat partnere të projektit.
Nouveau Brunswick, rikthehet në skenën e Teatrit Capitol në Moncton baleti “Arrëthyesi”
Është rikthyer sërish në skenën e Teatrin Capitol në Moncton, New Brunswick, shfaqja tradicionale vjetore e Baletit “Arrëthyesi” të Çajkovskit. Megjithëse kufizimet sanitare për shkak të pandemisë janë ende të shumta dhe paraqesin sfida për ekipin realizues të shfaqjes, Akademia Dieppe e Baletit Klasik dhe Kërcimit Modern është gati të mirëpresë më në fund spektatorët, pas anulimit të shfaqjes në vitin 2020. “Artistët janë vërtetë shumë të lumtur që do rikthehen në skenë para publikut”, ka pohuar drejtoresha e Akademisë, Suzanne Bourque, e cituar nga Radio-Canada. E gjithë trupa artistike është praktikuar me maska për muaj të tërë dhe para çdo seance prove pjesëmarrësit u janë nështruar testeve të shpejta depistuese.
Nova Scotia, mbërrin një grup me 100 refugjatë nga Afganistani
Rreth 100 refugjatë afganë që zbritën në aeroportin e Halifax të Mërkurën (08.12.2021), do nisin më në fund një jetë të re në Nova Scotia. Grupi i sapo mbërritur përbëhet nga rreth dhjetë familje. Ky është grupi i dytë më i madh që mbërrin në provincat e Atlantikut, qysh kur qeveria federale u angazhua të strehojë qytetarët afganë që punuan për Kanadanë gjatë luftës në Afganistan. Në aeroport atyre u ka uruar mirëseardhjen kryeministri i Nova Scotia, Tim Houston dhe pak pas mbërritjes në tokën e premtuar ata kanë përjetuar dhe stuhinë e parë të dëborës. Për refugjatët është kujdesur shoqata provinciale për shërbimet ndaj emigrantëve, e cila ka siguruar që ata të transportohen në një strehim të përkohshëm, vendndodhja e saktë e të cilit mbahet konfidenciale, për hir të ruajtjes së privatësisë.
Newfoundland, rritet prodhimi i naftës së rëndë bruto në brigjet e provincës
Platforma Hebron
Sipas raportit të fundit vjetor të Agjencise Rregullatore për Industrinë, sasia e naftës së rëndë bruto të nxjerrë përgjatë brigjeve ka pësuar rritje krahasur me sasinë totale të hidrokarbureve të prodhuara nga provinca Newfoundland. Kjo rritje prodhimi vë në pikëpyetje retorikën e qeverive provinciale dhe federale në lidhje me naftën e lehtë të Newfoundland dhe sasinë relativisht të vogël të emetimeve të gazit me efekt serë të shkaktuar nga sektori i naftës në provincë. Të dhënat nga Bordi i Naftës në det të hapur Kanada-Newfoundland dhe Labrador, dëshmojnë se deri në 2020-2021, nga 100 milionë fuçi të prodhuara në rezervat kryesore të naftës jashtë ishullit, më shumë se gjysma erdhi nga projekti i Hebronit. Shumica dërrmuese e prodhimit të Hebronit zhvillohet në rezervuarin Ben Nevis, nafta e të cilit ka një densitet API prej 19.8 dhe për këtë arsye është një naftë e rëndë bruto, sipas përcaktimeve të Agjencisë Rregullatore Kanadeze për Energjinë dhe Shoqatës Kanadeze të Prodhuesve të Naftës. Nafta e rëndë e Hebronit ka një strukturë të ngjashme me atë të mjaltit. Për krahasim, struktura e naftës së lehtë bruto nga megaprojektet Hibernia dhe White Rose, të cilat kanë densitet API midis 30 dhe 40, është më shumë e ngjashme me strukturën e ujit.
Ontario, Doug Ford fton Justin Trudeau të marrë pjesë në Samitin për tregun e banesave
Doug Ford dhe Justin Trudeau
Kryeministri i Ontarios, Doug Ford i ka adresuar të Premten (10.12.2021) një letër kryeministrit kanadez Justin Trudeau dhe e ka ftuar atë të marrë pjesë në një Samit që do mbahet më 16 Dhjetor kushtuar problemeve të tregut të pasurive të paluejtshme dhe vështirësive që hasin qytetarët për të patur akses në këtë treg. Në samit do marrin pjesë kryetarët e bashkive të qyteteve kryesore të Ontarios, presidentët rajonalë, ministri provincial i Strehimit, Steve Clark dhe kryeministri Ford. Doug Ford gjithashtu shpreson që Ministri Federal i Strehimit Ahmed Hussen të jetë i pranishëm. Në veçanti, në letrën e tij drejtuar Trudeau, kryeministri i Ontarios ka theksuar se “interesat e familjeve dhe blerësve nga Ontario, janë më të rëndësishme se interesat e spekulatorëve të huaj. Qeveria jonë është e gatshme të ndërmarrë veprime gjatë muajve të ardhshëm për të frenuar spekulimet nga investitorët e huaj në tregun e pasurive të paluajtshme të provinces. Ne shpresojmë që qeveria federale të miratojë gjithashtu masa plotësuese”. Qeveria e Doug Ford ka krijuar gjithashtu një grup studimi për strehimin e përballueshëm. Qëllimi është të gjenden mënyra për të thjeshtuar procedurat dhe për të përshpejtuar fillimin e zbatimit të ndërtimeve me kosto të përballueshme për blerësit. Më afrimin e zgjedhjeve provinciale të Qershorit 2021, duket se tema e strehimit do jetë një nga kuajt e betejës së Doug Ford për të marrë një mandat të dytë.
Quebéc, qeveria merr masa parandaluese ndaj piratimit dhe mbyll 3992 faqe interneti të institucioneve
Eric Caire
Në Québec, një situatë dobësie e sistemit që mund të lejojë potencialisht një haker të depërtojë në të, është bërë shkak për mbylljen e 3,992 faqeve qeveritare në Internet, si masë parandaluese, duke përfshirë ato të Shëndetësisë dhe Arsimit. Ministri Eric Caire, përgjegjës për Informacionin dhe Mbrojtjen e Informacionit Personal, e konfirmoi sot (12.12.2021) këtë situatë në një konferencë për mediat. Ai gjithashtu deklaroi që faqja për rezervimin e vaksinimeve, Clic Santé, është funksionale, por nuk qartësoi se kur gjithçka mund të kthehet në normalitet. Situata aktuale e konstatuar në servera e lejon një haker të depërtojë aty në mënyrë që të fusë më pas kodin dhe kështu të marrë kontrollin mbi serverin dhe të gjithë të dhënat që ai përmban. "Na duhet të skanojmë të gjitha sistemet tona. Është njëlloj si të kërkosh gjilpërën në kashtë”, është shprehur ministri Caire, i cituar nga Radio-Canada. Ndërkohë, që nga e Premtja në mbrëmje (10.12.2021), për shkak të një situate të ngjashme Cana Revenue Agency i mbylli shërbimet e saj në internet, shërbime të cilat u rikthyen sot. Revenue Québec bëri të njëjtën gjë të Shtunën në mbrëmje.
©Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada