Kanada - Qeveria bën thirrje për anulimin e udhëtimeve jo esenciale jashtë kufijve
Nisur nga shifrat dhe konstatimet e autoriteteve të Shëndetit Publik, për të penguar përhapjen e variantit Omicron në vend, qeveria e Kryeministrit Justin Trudeau i ka ndryshuar sot rekomandimet e saj për udhëtimet jashtë Kanadasë, duke bërë thirrje njëkohësisht që të evitohet çdo udhëtim jo esencial jashtë kufijve. “Për ata që planifikojnë të udhëtojnë, u them shumë qartë: nuk është koha”, ka deklaruar sot (15.12.2021) në konferencë shtypi ministri Federal i Shëndetësisë, Jean-Yves Duclos. Fjala kryesore është "kujdes", ka theksuar ministri Duclos, i shoqëruar nga ministrja e Financave Chrystia Freeland, ministri i Transportit Omar Alghabra dhe ai për Çështjet Ndërqeveritare Dominic LeBlanc.
Ndërkohë, rekomandimi përkatës, drejtuar gjithë shtetasve kanadezëve, pavarësisht nga statusi i imunizimit, është publikuar dhe në faqen internet të Global Affairs Canada. Masat e shpallura sot do të jenë në fuqi për një periudhë prej katër javësh. Qeveria federale synon gjithashtu të rrisë aftësitë dhe kapacitetin e saj për kontrollin e kufijve dhe se së shpejti pritet të ketë më shumë njoftime për këtë temë.
Sipas ministrit të Shëndetësisë, çdo kanadez që udhëton jashtë kufirit, është i ekspozuar ndaj riskut për ta kontraktuar virusin dhe për këtë shkak, mund t’i ndodhë të pengohet të hypë në avion në një shtet tjetër duke mos pasur kësisoj mundësi të kthehet në shtëpi. Për kanadezët që kanë blerë tashmë biletat e tyre të avionit dhe që gjithsesi do vendosin të udhëtojnë, Jean-Yves Duclos paralajmëroi që çdo opsion është i mundur, duke përfshirë edhe vendosjen e një karantine të detyrueshme në kthim, nëse e kërkon gjendja e tyre shëndetësore.
Një skenar më i rreptë, ai mbylljes së kufirit për udhëtarët e huaj që kryejnë udhëtime jo esenciale u diskutua një ditë më parë, gjatë një takimi urgjent që mblodhi së bashku Kryeministrin Justin Trudeau dhe homologët e tij të provincave. Mësohet se këta të fundit nuk kanë qenë shumë në favor të kësaj ideje, që nuk dihet ende nëse do të konkretizohet apo jo më pas.
Lidhur me kufizimin e udhëtimit ndërmjet provincave, ministri Duclos sqaroi gjatë konferencës për shtyp se këtë përgjegjësi e kanë qeveritë provinciale, ndërsa prioriteti aktualisht në vend për qeverinë federale mbetet përshpejtimi i shpërndarjes së dozës së tretë të vaksinave kundër COVID-19 si dhe përdorimi i testeve të kontrollit të shpejtë.
©Flasshqip.ca
Foto: Radio-Canada/Ivanoh Demers; The Canadian Press/Patrick Doyle