Java Kanadeze - Lajme shkurt 19 Dhjetor
(Mont Saint-Sauveur, Région des Laurentides-Québec)
British Columbia, ushtria federale përfundon misionin pas përmbytjeve
Universiteti i Alberta-s rigjen fosile të harruara prej 100 vjetësh
Saskatchewan, Food Bank në Regina synon përgatitjen e 90,000 racioneve për Krishtlindje
Manitoba, kërkohet ndihma federale në pavionet e kujdesit intensiv
New Brunswick, miratohet Ligji për reformën e bashkive
Programi pilot për emigrimin në provincat e Atlantikur bëhet i përhershëm
Québec, përfundon greva në Kompaninë e Tregëtimit të Pijeve Alkoolike
Ontario, hyjnë në fuqi masa të reja anti-Omicron
British Columbia, ushtria federale përfundon misionin pas përmbytjeve
Ministri i Sigurisë Publike të Kolumbisë Britanike falënderoi të Premten (17.12.2021) personelin e Forcave të Armatosura Kanadeze dhe partnerët provincialë për ndihmën e tyre ndaj komuniteteve që u goditën nga përmbytjet. Mike Farnworth pohoi në një deklaratë për mediat se kontigjenti ushtarak e përfundoi misionin, pas një muaji ndihme në përgjigje të situates së shkaktuar nga reshjet e paprecedent, që shkaktuan rrëshqitje vdekjeprurëse dherash dhe përmbytje shkatërrimtare. Në total 748 persona dhe 9 avionë ushtarakë operuan në ndihmë të zonave të përmbytura. Ndërhyrja përfshiu mbushjen dhe vendosjen e thasëve me rërë për të mbrojtur shtëpitë dhe bizneset, ndërtimin e një dige për të ndaluar dëmtimin në autostradën 1 dhe dërgimin e më shumë se 31,000 kilogramëve ushqim, vaksina dhe furnizime të tjera në Kamloops, Chilliwack, Kelowna, Vernon dhe Merritt. Me përmirësimin e kushteve, ministri Farnworth njoftoi se përpjekjet për rimëkëmbjen e zonave të dëmtuara do të menaxhohen nga kontraktorë, organizata joqeveritare dhe një kontigjent i posaçëm nga radhët e Shërbimit provincial që merret me kontrollin dhe parandalimin e zjarreve në pyje. Mike Farnworth falënderoi gjithashtu provincat Ontario, Manitoba, Saskatchewan dhe Alberta, për mbështetjen e dhënë në momentet e para pas përmbytjeve.
Universiteti i Alberta-s rigjen fosile të harruara prej 100 vjetësh
Universiteti i Alberta-s ka rigjetur fosile nga rezervat e tij që u mblodhën gjatë gërmimeve në provincë rreth vitit 1920, disa prej të cilave mund të avancojnë zbulimet shkencore të deritanishme. Shefi i programit të kërkimit mbi dinosaurët të universitetit, Clive Coy, i cituar nga Radio-Canada, ka treguar që Departamenti i Paleontologjisë, përfitoi nga periudha e pandemisë për t’iu rikthyer verifikimit të materialeve të grumbulluara prej një shekulli. Kështu u bë e mundur që të gjendej edhe një kuti e cila ruhej prej shumë vitesh në një hapësirë magazinimi jashtë kampusit. Mbi të kishte një shtresë të mirë pluhuri, njolla myku dhe insekte të ngordhura. Brenda saj u zbuluan rreth 20 objekte, disa në madhësinë e një molle, të tjerë në madhësinë e një pjepri, të mbështjellë nga disa shtresa gazete dhe të lidhur me një fije. Disa kanë ende etiketat e tyre origjinale dhe mbishkrimet janë qartësisht të dukshme. Kjo ishte mënyra se si Clive Coy zbuloi se ato ishin fosile të mbledhura gjatë një ekspedite në vitet 1920 dhe 1921, të zhvilluar në Parkun Provincial të Dinosaurëve. Kjo ekspeditë ka qenë drejtuar nga paleontologu i parë i Universitetit të Alberta-s, George Sternberg.
Saskatchewan, Food Bank në Regina synon përgatitjen e 90,000 racioneve për Krishtlindje
Me afrimin e Krishtlindjes, Regina Food Bank ka organizuar të Shtunën (18.12.2021) një aktivitet për grumbullimin e donacioneve në ushqime që nuk prishen, për realizimin e objektivit të përgatitjes së 90,000 racioneve që do ofrohen apo shpërndahen për personat në nevojë, gjatë sezonit të festave. Organizatës i duhej të mblidhte 4,500 kilogramë ushqim që do vendoseshin përkohësisht në disa autobusë të vënë në dispozicion nga Bashkia Regina. Krahas artikujve që nuk prishen, Regina Food Bank synonte dhe grumbullimin e ndihmave në të holla dhe deklaroi se është në gjendje të sigurojë deri në tre vakte me vetëm një dollar. Food Bank Regina ka bërë të ditur se qysh nga fillimi i pandemisë, kërkesat për shërbimet që ajo ofron janë rritur në mënyrë të konsiderueshme.
Manitoba, kërkohet ndihma federale në pavionet e kujdesit intensiv
Autoritetet shëndetësore të provincës Manitoba njoftuan javën e kaluar se i kanë dërguar një kërkesë zyrtare qeverisë federale për të marrë ndihmë për konsolidimin e shërbimeve të kujdesit intensiv, për të përballuar valën e katërt të COVID-19. Një prej zëdhënësve të Health Manitoba, i cituar nga Radio-Canada, ka pohuar se janë kërkuar 15 deri 30 infermierë të specializuar për kujdesin intensiv, për një periudhë rreth gjashtë javë. Kërkesa i është drejtuar Ministrit Federal për Emergjencat Bill Blair, Ministres së Shëndetësisë së Manitoba Audrey Gordon dhe Ministrit të Infrastrukturës Ron Schuler. Qeveria e Manitoba nuk ka marrë ende një përgjigje nga qeveria federale. Health Manitoba ka deklaruar se 102 pacientë ndodheshin nën kujdes intensive në fillim të javës, 17% më shumë se javën e mëparshme, përfshirë edhe 35 që vuanin nga COVID-19. Reagimi i autoriteteve provinciale erdhi një ditë pas publikimit të një letre të nënshkruar nga 10 mjekë të Manitoba-s, që bënin thirrje për ndihmë të menjëhershme për zgjidhjen e krizës në sistemin e kujdesit shëndetësor. Ata kërkonin, ndër të tjera, edhe ndihmën e ushtrisë.
New Brunswick, miratohet Ligji për reformën e bashkive
Projektligji për reformën e qeverisjes vendore në New Brunswick kaloi leximin e tretë në Parlament të Enjten dhe mori miratimin nga Lejtënant-Guvernatori të Premten (17.12.2021). Vetëm disa deputetë votuan kundër. Projektligji tani është ligj formal dhe qeveria mund të ndërmarrë reformën e cila parashikon një reduktim të konsiderueshëm të numrit të bashkive, nga 340 në 90. Ministri i Pushtetit Lokal, Daniel Allain, e vlerësoi këtë hap dhe pohoi që edhe shumica e qytetarëve e përkrahin reformën. Qëllimi i saj është të reduktojë mbivendosjet dhe të koordinojë më mirë shërbimet rajonale. Ish-komisioneri Jean-Guy Finn propozoi ndryshime të ngjashme 13 vjet më parë, por qeveria e Shawn Graham në atë kohë nuk i mori në konsideratë rekomandimet e tij. Dy qeveritë e mëpasme, ato të David Alward dhe Brian Gallant, e shmangën reformën gjithashtu. Të tre qeveritë besonin se qytetarët duhet t’i miratonin ndryshimet me referendum, por qeveria e Blaine Higgs e shmangu këtë pengesë duke u mjaftuar me konsultime.
Programi pilot për emigrimin në provincat e Atlantikur bëhet i përhershëm
Komunitetet dhe bizneset e provincave të Atlantikut do vazhdojnë të mbështeten në një program federal që lehtëson imigrimin në rajon. Programi Pilot i Imigracionit në Atlantik, i nisur në vitin 2017, parashikohej të përfundonte më 31 Dhjetor 2021, por sipas deklaratës së Ministrit të Emigracionit, Refugjatëve dhe Shtetësisë, Sean Fraser, publikuar të Premten (17.12.2021), ky program do jetë pjesë e përhershme e sistemit të imigracionit të Kanadasë. Që nga 1 Janari 2022, programi do quhet Programi i Emigracionit në Kanadanë Atlantike dhe do vazhdojë të ndihmojë punëdhënësit kanadezë të provincave Atlantike të punësojnë punëtorë të huaj që dëshirojnë të emigrojnë në rajon si dhe studentë ndërkombëtarë që dëshirojnë të qëndrojnë atje pas diplomimit. Deri më sot, ky programi ka tërhequr më shumë se 10,000 rezidentë të rinj të përhershëm në Atlantic Canada.
Québec, përfundon greva në Kompaninë e Tregëtimit të Pijeve Alkoolike
Më në fund, marrëveshja në parim e lidhur midis Société des Alcools du Québec (SAQ) dhe 800 punonjësve të qendrave të saj të shpërndarjes u ratifikua në masën 86.3% të Shtunën (18.12.2021). Sipas Unionit Kanadez të Punonjësve Publikë, kushtet e punës, në marrëveshjen e re, pagat fillestare dhe kompensimi për të gjitha shkallët e pagave janë përmirësuar ndjeshëm. Kohëzgjatja e kësaj marrëveshjeje kolektive është gjashtë vjet, nga data 1 Prill 2021 deri më 31 Mars 2027. Në një deklaratë për shtyp, Presidentja e SAQ, Catherine Dagenais, pohoi se ratifikimi i marrëveshjes bëri të mundur të shihet drejt të ardhmes dhe, mbi të gjitha, zgjidhi problemin e furnizimit në terren. Sipas SAQ, do duhen disa javë që stoqet e 400 dyqaneve të rimbushen, veçanërisht për shkak të kërkesës shumë të lartë javët e fundit që gati i zbrazi shumë syresh.
Ontario, hyjnë në fuqi masa të reja anti-Omicron
,
Provinca e Ontarios vendosi sërish masa kufizuese shëndetësore për të kontrolluar më mirë përhapjen e variantit Omicron, i cili, sipas të dhënave të Shëndetit Publik, përbën më shumë se gjysmën e rasteve në provincë. Dr. Adalsteinn Brown, bashkëkryetar i Grupit Këshillues Shkencor të Ontarios për COVID-19, i cituar nga Radio-Canada, theksoi se kjo ka të ngjarë të jetë vala më e vështirë e pandemisë. Në mesnatën e sotme (20.12.2021) hyjnë në fuqi rregullat e mëposhtme: Takimet do të jenë të kufizuara me 10 persona në ambiente të mbyllura dhe jashtë, kufiri i lejuar do të jetë 25. Kapacitetet e pritjes do kufizohen në disa objekte, duke përfshirë restorantet, baret, qendrat tregëtare, dyqanet dhe parukeritë. Numri i personave në tavolina në restorante do të jetë i kufizuar në 10. Restorantet detyrohen të ndalojnë shitjen e alkoolit në orën 22:00 dhe të mbyllen në orën 23:00, por shpërndarja nëpër shtëpi e porosive dhe porositë take-out do të vazhdojnë të lejohen. Arenat dhe stadiumet ku zhvillohen aktivitete sportive, sallat e shfaqjeve dhe kazinotë në veçanti, nuk mund të shërbejnë ushqim ose pije. Përjashtime nga kufijtë e kapacitetit të lejuar janë parashikuar për vendet e kultit, ceremonitë e dasmave dhe funeralet.
©Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada/The Canadian Press