Aktualitet

Java Kanadeze - Lajme shkurt 26 Dhjetor

British Columbia dhe Alberta përfshihen nga i ftohti ekstrem

Në Manitoba dhe Saskatchewan paralajmërohen stuhi dëbore

Në Quebéc ndalohen festat private me më shumë se gjashtë persona

Nova Scotia, rikuperimi i vonesave për disa kirurgji parashikohet pas dy vitesh

Ontario, më shumë se 9800 raste të reja me COVID-19

 

British Columbia dhe Alberta përfshihen nga i ftohti ekstrem

Environment Canada ka paralajmëruar valë të ftohti ekstrem dhe ulje temperaturash gati rekord për gjithë territorin e provincës Alberta si dhe për pjesën më të madhe të territorit të British Columbia. Në Alberta, agjencia federale parashikon që me efektin ftohës të erës, temperaturat mund të ulen nga -40 deri në -50 gradë. "Ruani lëkurën nga ekspozimi ndaj të ftohtit", ka qenë paralajmërimi drejtuar qytetarëve. Në British Columbia, është njoftuar që i ftohti ekstrem do prekë gjithë rajonin kufitar me Alberta, disa rajone në Veri si dhe një pjesë të madhe në qendër të provincës, përfshirë Prince George, Vancouver dhe Fraser Valley.

 

Në Manitoba dhe Saskatchewan paralajmërohen stuhi dëbore

Në pjesën Jugperëndimore të Manitoba dhe atë Juglindore të Saskatchewan, nga sot (26.12.2021) deri nesër parashikohen stuhi dëbore dhe niveli i akumulimit mund të arrijë deri në 20 cm. Në Manitoba, paralajmërimi i Environment Canada përfshin pjesën nga kufiri me Saskatchewan në Parkun Kombëtar Riding Mountain, zonën përgjatë kufirit me Shtetet e Bashkuara si dhe zonën e Steinbach. Qytetet më të prekura nga stuhia e dëborës pritet të jenë Brandon, Morden dhe Winkler. Në Saskatchewan, komunitetet Estevan dhe Moosomin, janë subjekt i paralajmërimeve gjithashtu.

 

Në Quebéc ndalohen festat private me më shumë se gjashtë persona

Sot (26.12.2021) hynë në fuqi kufizimet e reja të vendosura nga qeveria e Québec për të frenuar rritjen e shpejtë të numrit të rasteve me COVID-19. Organizimet në shtëpi private tani janë të kufizuara në maksimumi gjashtë persona ose dy grupe familjare që jetojnë në adresa të ndryshme. Po kështu, në restorante, në tavolina mund të ulen maksimumi gjashtë persona ose banorë të dy rezidencave të ndryshme. Të njëjtat kufizime vlejnë për tubimet private në vende publike, përveç dasmave dhe funeraleve, të cilat janë të kufizuara në 25 persona. Baret, tavernat dhe kazinotë mbeten të mbyllura deri në një njoftim të dytë. Në rezidencat private të të moshuarve, qeveria caktoi si numër maksimal të njerëzve që mund të vizitojnë një të afërm që jeton atje, dy në ditë. Në Boxing Day pas Krishtlindjeve, objektet tregtare mbeten të hapura, por ato duhet të reduktojnë hyrjen në 50% të kapacitetit të tyre.

 

Nova Scotia, rikuperimi i vonesave për disa kirurgji parashikohet pas dy vitesh

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të provincës Nova Scotia, periudha për kryerjen e disa lloj ndërhyrjeve kirurgjikale të planifikuara, por të shtyra për shkak të pandemisë, mund të jetë deri në dy vite. Bëhet fjalë sidomos për ndërhyrjet për zȇvendësimin e e ijeve apo gjurit. Krahasuar me vitin 2019, numri i operacioneve të kryera çdo muaj në provincë ra 14% nga Marsi 2020 deri në Qershor 2021. Mesatarisht gjatë kësaj periudhe llogariten 1100 operacione kirurgjikale më pak në muaj. Rënia mesatare mujore është 6% për operacionet në zemër dhe ato për trajtimin e kancerit, 9% për heqjen e kataraktit dhe 24% për zëvendësimin e ijeve ose gjurit. Aktualisht spitalet i japin prioritet kujdesit ndaj pacientëve me kancer dhe atyre me probleme të zemrës.

 

Ontario, më shumë se 9800 raste të reja me COVID-19

Provinca Ontario raportoi sot (26.12.2021) 9,826 raste të reja me COVID-19. Njoftimi u bë përmes Twitter nga ministrja e Shëndetësisë Christine Elliot. Ndërkohë, 373 persona të infektuar me Coronavirus ndodhen në spitale, nga të cilët 168 në terapi intensive. Elliot specifikoi se jo të gjitha shtrimet në spital raportohen në ditët e festave ose fundjavave. Për herë të parë qysh nga fillimi i pandemisë, Ontario e kaloi shifrën e 10,000 rasteve të reja në ditë të shtunën (25.12.2021). Sidoqoftë, sipas Public Health Ontario, këto shifra mund të mos përshkruajnë tablonë e saktë. Në një deklaratë po të shtunën, autoritetet shëndetësore të provincës kërkuan që të dhënat të interpretohen me kujdes, sepse informacioni nuk konsiderohet ende i plotë. Varianti Omicron, paraqitet aktualisht më dominuesi në provincë. Në nivel kombëtar, Kanadaja ka kaluar zyrtarisht dy milionë raste që nga fillimi i pandemisë.

©Flasshqip me informacione nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada