Kanada - Qeveria jep 40 miliardë dollarë për fëmijët autoktonë, nga të cilët 20 miliardë dëmshpërblim
Ministri federal për Marrëdhëniet mes Kurorës dhe Autoktonëve Marc Miller dhe ajo për Shërbimet Autoktone Patty Hajdu, sëbashku në një konferencë për mediat deklaruan sot (04.01.2022) detajet e një marrëveshjeje në parim me autoktonët e Kanadasë, marrëveshje sipas të cilës, do të akordohen 20 miliardë dollarë për të reformuar sistemin e mbrojtjes së fëmijëve të popujve autoktonë si dhe 20 miliardë të tjera për të dëmshpërblyer fëmijët autoktonë që kanë qenë viktima të keqtrajtimit apo të larguar me urdhër ligjor prej familjes ku kanë lindur në përiudhën midis 1 Prillit 1991 dhe 31 Marsit 2022.
Kjo marrëveshje në parim do duhet megjithatë të miratohet nga Gjykata Kanadeze për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykata Federale. Të dy palët kanë deklaruar se shpresojnë që ky miratim të merret brenda vitit, në mënyrë që shpërndarja e fondeve të fillojë jo më vonë se Dhjetori 2022.

Marc Miller
Sipas The Canadian Press, negociatat janë përmbyllur natën e Vitit të Ri duke i dhënë fund kësisoj një maratone gjyqësore për të drejtat e njeriut të nisur 14 vjet më parë. Kjo sagë e gjatë juridike ka qenë një nga pikat më të komplikuara në procesin e pajtimit me autoktonët e Kanadasë, pasi qeveritë federale të mëparshme dhe ajo aktuale patën shpenzuar miliona dollarë për ta kontestuar dosjen në gjykatë.
Beteja gjyqësore ka nisur qysh në vitin 2007, kur Shoqata e Kujdesit për Fëmijët dhe Familjet Autoktone të Kanadasë dhe Asambleja e Popujve Autoktonë depozituan një ankesë në fushën e të drejtave të njeriut, duke argumentuar që financimi i pamjaftueshëm për mbrojtjen e fëmijëve që jetonin nëpër rezerva ishte diskriminues në raport me shërbimet që përfitonin të gjithë fëmijët e tjerë nga qeveritë provinciale. Pas disa apelimeve të pasuksesshme nga ish-qeveria konservatore, ankesa u mor në shqyrtim nga Komisioni Kanadez për të Drejtat e Njeriut në 2013 dhe 2014. Më pas, në vitin 2016, Gjykata Kanadeze për të Drejtat e Njeriut njohu faktin që qeveria federale i kishte diskriminuar fëmijët e popujve autoktonë.
Pas konferencës për mediat të ministrave Miller dhe Hajdu, përfaqësues të Asamblesë së Popujve Autoktonë të Kanadasë dhe Asamblesë Autoktone Québec-Labrador e konsideruan si historike marrëveshjen e arritur me qeverinë Trudeau.
©Flasshqip me informacion nga The Canadian Press
Foto: The Canadian Press












