Aktualitet

Java Kanadeze - Lajme shkurt 9 Janar 2022

Maxime Bernier duke manifestuar dje në Montréal

 

Trudeau paralajmëron Iranin për tragjedinë ajrore të 8 Janarit 2020

Alberta, vaksina anti-Covid nuk do jetë e detyrueshme, pohon Jason Kenney

I ftohti arktik mbërrin në Manitoba dhe Saskatchewan

Moti i keq shkakton probleme në provincat e Atlantikut

Montréal, qindra manifestues në rrugë kundër kufizimeve sanitare

Kanadaja fiton kupën ATP në tenis

 

Trudeau paralajmëron Iranin për tragjedinë ajrore të 8 Janarit 2020

Kanadaja "nuk do të gjejë qetësi" derisa Irani të konsiderohet përgjegjës për rrëzimin e avionit të linjës ajrore Ukraina International Airlines pak pas nisjes nga Teherani dy vjet më pare, më 8 Janar 2020. Kryeministri kanadez Justin Trudeau e bëri këtë deklaratë përmes një video-konference të shtunën (08.01.2022), gjatë një ceremonie virtuale në Toronto, dy vjet pas tragjedisë që mori 176 jetë, duke përfshirë rreth 100 persona me shtetësi kanadeze, apo që kishin lidhje familjare e profesionale me Kanadanë. “Ju premtoj se do të vazhdojmë gjithmonë të luftojmë për llogaridhënien, transparencën dhe drejtësinë që meritoni”, u shpreh kryeministri.

 

Alberta, vaksina anti-Covid nuk do jetë e detyrueshme, pohon Jason Kenney

Kryeministri Jason Kenney pohoi se provinca e Alberta-s nuk ka plane për ta bërë të detyrueshme vaksinën anti COVID-19. Ky deklarim ishte një kundërpërgjigje ndaj Ministrit Federal të Shëndetësisë, Jean-Yves Duclos, i cili u shpreh të premten (07.01.2022) se vaksinimi i detyrueshëm, përgjegjësi e provincave, do të jetë mënyra e vetme për ta rikthyer Kanadanë "në një situatë dhe jetë normale". Duclos personalisht beson që një ditë e tillë nuk do të jetë e largët. Nga ana e tij, Jason Kenney, kujtoi në Twitter se qeveria e tij e abrogoi vaksinimin e detyrueshëm në Alberta vitin e kaluar. “Provinca nuk do ta ndryshojë këtë vendim. Ne inkurajojmë të gjithë qytetarët të marrin vaksinën, por kjo është ende një zgjedhje personale”, theksoi ai.

 

I ftohti arktik mbërrin në Manitoba dhe Saskatchewan

Environment Canada publikoi në fundjavë një paralajmërim për mot të ftohtë esktrem në shumicën e rajoneve të provincave Manitoba dhe Saskatchewan. Erërat e ftohta dhe të ashpra arktike vazhdojnë rrugetimin në Saskatchewan dhe vazhdojnë drejt Manitoba-s. Intensiteti i tyre do jetë shumë i fortë gjatë kësaj fundjave, paralajmëroi agjencia shetërore e motit. Ndërkohë, erërat e forta veriperëndimore e ulën temperaturën -40°C deri -50°C në pjesë të Jugut të Saskatchewan mbrëmë (08.01.2022) dhe gjatë natës. I ftohti polar do jetë prezent në rajon deri të martën. Më pas priten temperatura sezonale ose mbi normat sezonale. Erërat e forta veriperëndimore dhe temperaturat e ulëta me efektin e kombinuar do e ulin mërkurin e termometrave nga -40 ° C deri në -45 ° C edhe mbi disa zona të caktuara në Manitoba gjatë ditës së sotme (09.01.2022). Era -40 ° C do të riformohet dhe do të përhapet në të gjithë Manitoba-n jugore gjatë natës sonte deri nesër në mëngjes.

 

Moti i keq shkakton probleme në provincat e Atlantikut

Reshjet e shumta të dëborës mes të premtes (07.01.2022) dhe të shtunës krijuan jo pak probleme në provincat e Atlantikut, përfshirë ndërprerje të energjisë, anulim fluturimesh dhe rrugë të pakalueshme. Gjithsesi, situata po kthehej në normalitet nga mesdita e djeshme (08.01.2022) dhe shumica e akseve kryesore u bënë sërish të kalueshme.  Në disa zona të New Brunswick-ut jugor dhe Prince Eduard Island, sasia e dëborës vajti deri në 40 cm, ndërsa në Nova Scotia ranë rreth 30 cm. Gati 16,000 banesa në Nova Scotia ishin ende pa energji deri dje në orën 16:30, ndërsa në pikun e stuhisë të premten mbrëma, rreth 70,000 të tilla u prekën nga ndërpreja e energjisë. Në situate të ngjashme ishin dhe rreth 10,000 banesa në Prince Edward Island dhe rreth 1000 banorë në New Brunswick. Mbrëmë (08.01.2022) situata pothuaj u kthye në normalitet, përfshi dhe aeroportet ku të gjithë fluturimet e planifikuar për të premten në mbrëmje dhe herët në mëngjesin e së shtunës ishin anuluar. Fluturimet e planifikuar për dje në mesditë mundën të kryheshin sipas programit normal.

 

Montréal, qindra manifestues në rrugë kundër kufizimeve sanitare

Qindra kundërshtarë të kufizimeve sanitare demonstruan të shtunën (08.01.2022) në qendër të Montrealit dhe në zonën e Portin të Vjetër. Në veçanti, ata denoncuan rikthimin e ndalim-qarkullimit, kërkesën për një doze të tretë vaksinimi kundër COVID-19 dhe detyrimin për të paraqitur pasaportën vaksinale para hyrjes në shitoret shtetërore ku tregëtohet alkool dhe kanabis, duke filluar nga 18 Janari. Sipas gazetarëve të Radio-Canada, shumica e demonstruesve kanë manifesstuar pa maskë dhe nuk nuk kanë respektuar rregullat e distancimit fizik. Demonstruesit valëvitën flamuj dhe pankarta që denonconin masat kufizuese të vendosura nga qeveria Legault. Në fund ata u mblodhën në Montrealin e Vjetër, ku u mbajtën fjalimet rastit, përfshirë dhe fjalimi i Maxime Bernier, liderit të Partisë Popullore të Kanadasë. “Le të vazhdojmë luftën për liri, sepse liria do të triumfojë gjithmonë në fund”, deklaroi Bernier, një video të shpërndarë në llogarinë e tij në Twitter pas manifestimit.

 

Kanadaja fiton kupën ATP në tenis

Kanadaja fitoi sot në Sydney të Australisë (09.01.2021) kupën ATP në një përballje kundër Spanjës, duke pasuar si fituese Rusinë, në këtë turne ekipesh, edicioni i parë i të cilit daton në vitin 2020. Ishin fitoret e Félix Auger-Aliassime dhe Denis Shapovalov që realizuan suksesin kanadez. Auger-Aliassime, 21 vjeç dhe lojtari i 11-të në botë, mori pikën e fitores duke triumfuar 7-6 (7/3) dhe 6-3 ndaj Roberto Bautista Agut (19). Ndërsa para tij, Shapovalov (14) fitoi me Pablo Carreno Busta (20) në dy sete 6-4 dhe 6-3. Turneu nuk pat nisur mirë për kanadezët të cilët shorti i hodhi në një grup shumë të vështirë ku u mundën nga Shtetet e Bashkuara 3-0 në takimin e tyre pare, por më pas ata u rikuperuan duke triumfuar ndaj Gjermanisë së Alexander Zverev dhe Britanisë së Madhe të Cameron Norrie, përpara se të mposhtnin Rusinë mbrojtëse të Daniil Medvedev në gjysmëfinale të shtunën.

©Flasshqip me informacione nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada dhe AFP