Mbi 12 mijë vende vakante në radhët e ushtrisë kanadeze

Forcat e Armatosura Kanadeze po përballen aktualisht me një mungesë në rritje të personelit. Të dhënat e ditëve të fundit dëshmojnë se rekrutimi dhe trajnimi nuk ka ndjekur ritmin dhe planet e zgjerimit në numër të ushtrisë, duke lënë kësisoj më shumë se 12,000 pozicione të paplotësuara. Shifra e mësipërme është bërë publike nga The Canadian Press. Sipas agjencisë në fjalë, të dhënat u referohen deklarimeve të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneralit Wayne Eyre dhe disa oficerëve të tjerë të lartë.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm, shkaku kryesor për mosrealizimin e objektivit në rekrutimin dhe trajnimin e personelit të ri të shërbimit mbetet pandemia COVID-19, por analisti prof. David Perry, drejtor i Insitutit Kanadez për Çështjet Botërore, është i mendimit që ndikim në uljen e interesimit për profesionet ushtarake kanë patur edhe skandalet e fundit të bëra publike, lidhur me sjellje të pahijshme seksuale në radhët e ushtrisë, skandale që përfshinë dhe emra të njohur nga rangjet më të larta.
Planifikimi i periudhës kur qeverisnin konservatorët ishte që Forcat e Armatosura të kishin në përbërje 68,000 ushtarakë të forcave të rregullta, të mbështetur në çdo kohë nga 29,000 rezervistë. Me ardhjen e Liberalëve, shifrat ndryshuan me përkatësisht 71,500 dhe 30,000, pra gjithsej 4,500 forca shtesë.
Sipas politikave të qeverisë aktuale, kjo rritje në numër kondiderohet si thelbësore për të garantuar kapacitetet e reagimit të ushtrisë kanadeze, jo vetëm ndaj situatave globale të paqëndrueshme në rritje, në Evropë e Azi, por edhe ndaj situatave të tjera, si rreziqet hapësinore, sulmet kibernetike apo fatkeqësitë natyrore në vend dhe situata krize shëndetësore si pandemia COVID-19.
Megjithatë, ndërsa ushtria pritej të shtonte në radhët e saj një numër prej 4,500 vetësh, rezulton që radhët e saj janë zvogëluar me më shumë se 700 njerëz që nga fundi i vitit 2020. Aktualisht, ushtria kanadeze ka nevojë për më shumë se 6,750 personel në radhët e forcave të rregullta dhe gati 5,500 rezervistë shtesë. Madje këto shifra mund të rriten nëse detyrohen të lënë vendin e punës rreth 900 ushtarakë që nuk iu bindën urdhërit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Wayne Eyre për t'u vaksinuar. Pa folur për faktin që situata mund të komplikohet akoma më shumë, nëse u referohemi raportimeve sipas të cilave rreth 10,000 pjesëtarë të forcave të rregullta janë aktualisht të padisponueshëm në detyrë, ose sepse nuk janë të trajnuar siç duhet, ose sepse janë të sëmurë a të plagosur.
The Canadian Press raporton gjithashtu që Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjenerali Eyre, e ka pranuar kohët e fundit faktin që Forcat e Armatosura Kanadeze janë në një situatë delikate, sepse COVID-19 shkaktoi mjaft kufizime në rekrutimin dhe trajnimin e personelit të ri, në një kohë kur ushtrisë i duhet të përballet me kërkesa në rritje nga brenda dhe jashtë vendit, ku përfshihet mbështetja për fushatat provinciale të vaksinimit, ofrimi i ndihmës urgjente në përgjigje të fatkeqësive natyrore, si në rastin e British Columbia, apo dhe vazhdimi i operacioneve ushtarake në Evropë, Lindjen e Mesme dhe rajonin Azi-Paqësor.
Nga ana e tyre, edhe Forcat Ajrore Mbretërore Kanadeze po përballen aktualisht me pamjaftueshmërinë e pilotëve dhe teknikëve (madje para disa kohësh u fol edhe për rekrutim pilotësh profesionistë përmes programeve të emigracionit), ndërsa komandanti i Marinës Mbretërore Kanadeze, Zëvendës-admirali Craig Baines, ka deklaruar se ushtrisë i duhen 1000 marinarë shtesë, staf me kohë të plotë, për sigurimin e personelit të domosdoshëm për flotën e anijeve të reja.
Ndërkohë, edhe pse Gjenerali Wayne Eyre shpreh optimizëm dhe flet për një ringritje të ushtrisë pas pandemisë, profesor David Perry i Insitutit Kanadez për Çështjet Botërore, tregohet më i rezervuar dhe mendon që situata e tanishme do të ketë efekte afatgjata, sepse sistemi në fuqi i rekrutimit dhe trajnimit është konceptuar për të përballuar vetëm një numër të caktuar rekrutësh në të njëjtën kohë. Sipas tij, në të ardhmen do të ketë gjithashtu dallime në nivelet e përvojës së ushtrisë, gjë që do ta bëjë shumë më të vështirë menaxhimin e burimeve njerëzore, sidomos për faktin që deficiti në këto burime nuk zhduket me sustë, por në të kundërt, kërkon shumë kohë për t’u kapërcyer.
©Flasshqip me informacion nga The Canadian Press