Ëndrra amerikane nxit trafikimin e qënieve njerëzore edhe në kufirin Kanada-SHBA
Dëshira për të jetuar ëndrrën amerikane i shtyn shumë emigrantë të paligjshëm të ndërmarrin të gjitha llojet e rreziqeve dhe nxit kësisoj zgjerimin e trafikimit të qënieve njerëzore në kufirin midis Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara. Kështu konkludon në një koment të djeshëm (22.01.2022) Radio-Canada, koment që i referohet ekspertëve të fushës, pas një tragjedie të para disa ditëve. Më saktë, të mërkurën e kaluar, 19 Janar, katër emigrantë të paligjshëm humbën jetën të ngrirë, në kushtet e një të ftohti esktrem, në Manitoba, në përpjekje për të kaluar kufirin e SHBA.
Sipas Ayodele Ojo, avokat i fushës së imigracionit që ushtron aktivitetin në Minesota, shpesh njerëzit bëjnë gjëra të çmendura sepse shpresojnë. Ajo që i shtyn ata është shpresa dhe ata besojnë, sepse dikush i ka bindur që ëndrra e tyre është e mundur të realizohet.
Ndërsa sipas deklaratës së një zyrtareje të Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare, Tonya Price, dëshpërimi i shtyn njerëzit të rrezikojnë në një udhëtim të rrezikshëm për një jetë më të mire dhe katër personat që u gjetën të vdekur mendohet të kenë qenë viktima të një operacioni më të madh trafikimi. “Realiteti është se njerëzit nga vendet e tjera duan të jetojnë ëndrrën amerikane dhe të vijnë këtu, sepse e dinë se këtu ka më shumë mundësi, ka më shumë vende pune, për të mos përmendur që edhe familjet e tyre janë shpesh këtu”, u ka pohuar ajo korrespondentëve të Radio-Canada.
Ndërkohë raportohet se i dyshuari kryesor (edhe për përfshirje në tre raste të tjera trafiku), Steve Shand, 47 vjeç, u arrestua teksa drejtonte një furgon 15-vendësh me dy persona brenda tij, Pesë persona të tjerë u ndaluan diku aty pranë në të njëjtën kohë dhe sipas autoriteteve, të shtatë personat ishin pjesë e të njëjtit grup me katër viktimat, por me siguri fatkeqët ishin ndarë prej grupit duke ndryshuar drejtim.

Nalini Reddy, avokate e imigracionit dhe refugjatëve që ushtron aktivitetin në Winnipeg, beson se skema e përdorur nga trafikantët është një skemë mashtrimi e cila kundrejt pagesës u mundëson personave të caktuar të hyjnë në Kanada me qëllim që më pas të kalojnë ilegalisht kufirin e SHBA.
Sipas deklarimeve të autoriteteve policore, të arrestuarit janë me shtetësi indiane dhe flasin dialektin gujarat (Gujarat është një nga shtetet e Indisë në kufi me Pakistanin, me mbi 60 milionë banorë). Nga ana e tij, Presidenti i organizatës jofitimprurëse Friends of Gujarat në Brampton të Ontarios, Akhil Shah, ka deklaruar se shumë indianë nga Gujarat, janë më të prirur për t'u vendosur në Shtetet e Bashkuara sepse mendojnë, apo se dikush i ka bindur, që SHBA janë i vetmi vend që ofron shumë mundësi. Madje sipas tij, ekziston dhe një lloj mentaliteti apo xhelozie që i bën ata të mendojnë, “kur ky person mund të shkojë në këtë vend, pse nuk mundem unë?” “Pra, ata zbarkojnë në Kanada dhe më pas përpiqen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara dhe të imigrojnë atje. Ky është motivimi i tyre kryesor, pa arritur të kuptojnë se Kanadaja ofron të njëjtat mundësi dhe ata mund të sigurojnë jetesën edhe këtu”, ka shprehur keqardhjen Akhil Shah.
Ndërsa zëvendëskomisarja e Xhandarmërisë Mbretërore Kanadeze në Manitoba, Jane MacLatchy, ka shpjeguar nga ana e saj që pas zgjedhjes së Donald Trump president, nga frika e dëbimit, shumë azilkërkues u larguan nga Shtetet e Bashkuara drejt Kanadasë, por prej më shumë se një viti ky fenomen është reduktuar në masë.
E pyetur në lidhje më këtë fenomen, zyrtarja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Tonya Price beson, megjithatë, se është ende herët për të nxjerrë konluzionin që kemi tashmë një prirje organizimi në drejtim të kundërt, nga Kanadaja në Shtetet e Bashkuara. Sipas saj, edhe pse rasti i fundit ishte një rast fatkeq, trafiku në Veri nuk është aq i përhapur sa në kufirin Jugor, por gjithsesi policia mbetet e angazhuar maksimalisht për të parandaluar përdorimin e rrugëve të njohura të trafikimit të personave.
Burimi: Radio-Canada
Foto: RCMP












