Aktualitet

Shkarkohet lideri i opozitës në Kanada - Nga Nador Bakalli

Sapo u shënua fati i liderit të opozitës në Kanada! U deshën vetëm dy ditë!

Nëpërmjet një procedure ligjore si rezultat i një ligji të quajtur Akti Reformativ, të propozuar nga një deputet konservator dhe të miratuar nga parlamenti në vitin 2015, 20% e grupit parlamentar të një partie politike ka të drejtë të kërkojë rishikim të lidershipit dhe të detyrojë votim të fshehtë për shkarkimin e liderit të partisë.

Nëpërmjet kësaj procedure frymë-dhënëse për demokracinë e partive dhe, rrjedhimisht atë të vendit, Lideri i Opozitës konservatore, Erin O’Toole u shkarkua sot nga deputetët e partisë së tij.

Mungesa e përkrahjes së plotë ndaj protestës dinjitoze dhe qytetare të kamionistëve dhe njehsimi i qëndrimeve të tij me narrativën përçarëse, ofenduese dhe përçmuese të Trudeau ishin veprimet e fundit që çuan konservatorët në shkarkimin e liderit të tyre.

Ky leksion demokracie duhet të shërbejë për të gjitha vendet e pa zhvilluara, duke përfshirë Shqipërine tonë, për të kuptuar se permanenca në krye të opozitës duhet të testohet vazhdimisht me mekanizma të kesaj natyre.

Dëmet e qeverisë kalojnë më së shumti nga përgjumja dhe letargjia opozitare. Kanadezët e dinë mirë këtë! Po ne?

Koha për zgjim dhe reflektim të thellë!