Pierre Poilievre hyn në garën për kreun e Partisë Konservatore Kanadeze

Deputeti 43 vjeçar Konservator Pierre Poilievre, ka bërë të ditur sot përmes një videoje të postuar në rrjetet sociale Twitter dhe Facebook se do kandidojë për kryetar i Partisë Konservatore të Kanadasë.
Pierre Poilievre, dy herë ministër i qeverisë Harper, deputet i Parlamentit Federal prej vitit 2004, i zgjedhur në zonën elektorale Carlton të Ottawa (Ontario), synon të pasojë në drejtimin e partisë kryesore opozitare Erin O'Toole, i cili u shkarkua nga detyra nga deputetët e Grupit Parlamentar Konservator të mërkurën e kaluar (02.02.2022). Pas shkarkimit të O’Toole, drejtimin e Konservatorëve e ka marrë përsipër përkohësisht deputetja nga Manitoba Candice Bergen.
“Ju jeni ata që vendosni dhe unë do të kandidoj të bëhem Kryeministër që t'ju kthej kontrollin e jetës suaj”, deklaroi Poilievre në videon e publikuar sot. Synimi i tij është ta bëjë Kanadanë vendin më të lirë në botë dhe sipas tij, qytetarët kanadezë duhet të kenë lirinë për t’i rritur fëmijët me vlerat që ata besojnë se janë të tyret, si dhe të jenë të lire të bëjnë vetë zgjedhjen për çdo gjë që lidhet me shëndetin e tyre apo vaksinimin.
Në deklaratën e tij të sotme të kandidimit për kreun e Konservatorëve, Pierre Poilievre e tregoi me gisht qeverinë e Justin Trudeau, që sipas tij po godet me politikat e tij bizneset e vogla, kamionistët dhe qytetarët në përgjithësi, kostoja e jetesës së të cilëve po rritet dita ditës. Ai u shpreh madje se ata që kontrollojnë pushtetin, mediat që kontrollohen nga shteti, grupet e interesit dhe korporatat e mëdha, do vazhdojnë të luftojnë për ta mbajtur sa më gjatë Trudeau në krye të qeverisë.
Pierre Marcel Poilievre ka lindur më 3 Qershor 1979 në Calgary të Alberta-s, në një familje me prindër frankofonë dhe është diplomuar në Universitetin e Calgary në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Poilievre, ka qenë Ministër Shteti për Institucionet Demokratike nga 2013 deri në 2015 dhe Ministër i Burimeve Njerëzore dhe Zhvillimit Social në 2015, në kabinetin e Kryeministrit të fundit Konservator Stephen Harper. Ai është i martuar me Anaida Galindo Poilievre prej viti 2018 dhe baba i një vajze dhe një djali.
©Flasshqip.ca