Kanadaja uron Mbretëreshën Elizabeth II me rastin e 70 vjetorit të ngjitjes në fron

Në emër të Qeverisë dhe gjithë qytetarëve të Kanadasë, Kryeministri Justin Trudeau përshëndeti sot (06.02) përmes një deklarate për shtyp 70 vjetorin e ngjitjes në fronin mbretëror të Mbretëreshës Elizabeth II.
“70 vjet më pare si sot, Madhëria e Saj Mbretëresha Elizabeth II u ngjit në fron dhe u bë Mbretëresha e Kanadasë. Në këtë përvjetor, unë bashkohem me miliona njerëz në Kanada dhe në mbarë Commonwealth për të uruar Madhërinë e Saj për jubileun e saj Platinum”, deklaroi kryeministri Trudeau.

Sipas tij, është një moment historik që na fton t’i shprehim Madhërisë së Saj, mirënjohjen për gjithë jetën e saj në shërbim të Kanadasë, Commonwealth dhe qytetarëve të tij, sepse Elizabeth II, gjatë gjithë mbretërimit ka qenë vazhdimisht e pranishme në jetën e kanadezëve, duke u ofruar atyre udhëheqje të palëkundur në kohë ndryshimesh, vështirësish apo pasigurie.
Kryeministri Trudeau në deklaratën e tij kujtoi veçanërisht ngjarje të rëndësishme të historisë kanadeze të lidhura me kreun e shtetit si kremtimin e 100-vjetorit të Konfederatës në 1967, Lojërat Olimpike të 1976 në Montréal apo shpalljen e Aktit të Kushtetutës në 1982, kohë kur babai i tij, Pierre Elliott Trudeau, drejtonte qeverinë kanadeze

(Nënshkrimi i Deklaratën Kushtetuese më 17 Prill 1982 nga Elizabeth II dhe Pierre Elliott Trudeau)
“Edhe sot ajo vazhdon të tregojë përkushtimin dhe bujarinë e saj ndaj vendit tonë duke mbrojtur vlerat tona më të çmuara të unitetit, paqes dhe lirisë”, u shpreh në fund të deklaratës së sotme Justin Trudeau, duke ftuar njëkohësisht të gjithë qytetarët e vendit të marrin pjesë në festimet që do të organizohen me këtë rast nga Qeveria e Kanadasë.
Së pari, Canadian Heritage do financojë projekte komunitare që shënojnë Jubileun Platinum të Elizabeth II. Një emblemë jubilare kanadeze prej platini, e projektuar nga Autoriteti Heraldik Kanadez u bë ndërkohë publike sot. Edhe Canada Post ka prodhuar një pullë të posaçme kushtuar Mbretëreshës me rastin e këtij përvjetori.

Pankarta përkujtimore me ngjyrat e Jubileut do të vendosen më vonë në pranverë përgjatë Bulevardit të Konfederatës në qendër të Ottawa, që do të jetë dhe rruga kombëtare e nderimit të Elizabeth II.
Canadian Heritage do të organizojë një ekspozitë të titulluar “Mbretëresha dhe Kanadaja” në ambientet e Château Laurier në Ottawa. Me këtë rast, imazhet e mbretëreshës të realizuara gjatë shtatë dekadave të mbretërimit të saj do të prezantohen për publikun gjatë gjithë verës së sivjetme.

Lejtnant-Guvernatorët e provincave të ndryshme të vendit, të cilët janë përfaqësues të Mbretëreshës në Kanada, do t'i kushtojnë gjithashtu disa aktivitete Madhërisë së Saj dhe më 2 qershor, data e kurorëzimit të Elizabeth II, shumë ndërtesa federale në Kanada do të ndriçohen posaçërisht për të shënuar këtë ngjarje jubilare.
©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada
Fotot: AFP/Getty Images/The Canadian Press












