Aktualitet

Disidencë te Liberalët, deputeti Joël Lightbound kritikon Trudeau për politizim të pandemisë

Ndërsa ka ditë që përfliten nga mediat pakënaqësitë brenda mazhorancës në raport me kreun e qeverisë, sot është shfaqur për herë të parë publikisht një zë kundër, nga brenda grupit parlamentar Liberal, duke e treguar me gisht kryemnistrin Trudeau si personi përgjegjës që po e politizon pandeminë.

Deputeti federal i zonës elektorale Louis-Hébert, në Québec city, Joël Lightbound, jo vetëm që e ka kritikuar kryeministrin, por edhe ka dhënë dorëheqjen nga detyra e drejtuesit të grupit të deputetëve liberalë të provincës frankofone, që janë gjithsej 35.

Lightbound, 34 vjeç, avokat i diplomuar në Universitetin McGill dhe deputet federal qysh nga viti 2015, doli sot (08.02) në konferencë shtypi para mediave duke denoncuar politizimin e pandemisë, që sipas tij po përçan në mënyrë të panevojshme Kanadanë, një ndër vendet me shkallën më të lartë të vaksinimit në botë. Ai i ka bërë thirrje qeverisë së tij që të përcaktojë një rrugë të qartë dhe të detajuar në afate, për t’i dhënë fund kufizimeve shëndetësore që janë në kompetencën e saj. Për më tepër, ka theksuar ai, "qytetarët nuk po janë më në gjendje t’i kuptojnë këto masa, sepse qeveria nuk po i shpjegon më ato".

“Është shumë më e lehtë të pranosh një kufizim kur të paktën e kupton, aq më tepër që këto kufizime kanë pasoja shumë të drejtpërdrejta në jetën e njerëzve”, u shpreh deputeti Lightbound, duke iu referuar vaksinimit të detyrueshëm të kamionistëve, politikë që aktualisht bie ndesh me rekomandimet e fundit të OBSH-së dhe për të cilën nuk ka të dhëna se cili është impakti nga pikëpamja epidemiologjike.

Kjo është hera e parë që nga marsi 2020 që një deputet i zgjedhur del nga rreshti i Trudeau për shkak të pandemisë, por megjithatë Joël Lightbound u shpreh se nuk ka ndërmend të ndërrojë parti, për shkak të respektit ndaj votuesve që e kanë zgjedhur.

Sipas deputetit disident, brenda Partisë Liberale ka hapësirë ​​për mospajtim. “Unë i kam bërë qëndrimet e mia jashtëzakonisht të qarta brenda grupit parlamentar”, u shpreh ai para gazetarëve, duke shtuar se shpreson që do të jetë në gjendje të vazhdojë të bëjë presion brenda radhëve të Partisë Liberale, që qeveria të orientohet drejt një qasjeje të ndryshme në raport me administrimin e pandemisë.

Në fund të konferencës për shtyp Joël Lightbound nuk ka nguruar të deklarojë që ka edhe deputetë të tjerë që mendojnë si ai. “Nëse unë jam i vetmi që flas publikisht për momentin, mund t'ju siguroj se nuk jam i vetmi që përjetoj shqetësim për sa i takon rrugës që ka zgjedhut të ndjekë qeveria aktualisht”, ka pohuar ai.

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Foto: The Canadian Press/Adrian Wyld