Aktualitet

Java Kanadeze - Lajme shkurt 13.02.2022

 

(Anija e Rojes Bregdetare Kanadeze Ann Harvey)

British Columbia, 27,5 milionë dollarë për muzeun historik të kino-kanadezëve

Alberta, nis Festivali Silver Skate në Edmonton

Saskatchewan, një grua do përshkojë Kanadanë nga një oqean në tjetrin, në kujtim të viktimave autoktone

Newfoundland, një anije kargo hollandeze derdh aksidentalisht në oqean 30,000 litra karburant

Ottawa, qeveria Trudeau do shpenzojë 5 miliardë dollarë për blerje dronësh të pajisur me armatim

 

British Columbia, 27.5 milionë dollarë për muzeun historik të kino-kanadezëve

Qeveria e British Columbia ka vënë në dispozicion 27.5 milionë dollarë për të blerë ndërtesën Wing Sang në lagjen kineze të Vancouver, ndërtesë ku do të vendoset Muzeu Kino-Kanadez, i pari në vend që i kushtohet këtij komuniteti. Ky muze do ketë si mision të bashkojë dhe ta bëjë të njohur për komunitetet e tjera diasporën kineze në British Columbia. Kryeministri provincial John Horgan deklaroi në një konferencë shtypi të premten (11.02) se ky institucion jo vetëm që do nderojë dhe ruajë kontributet e kino-kanadezëve, por do të shërbejë edhe për të mos harruar kurrë padrejtësitë e kryera ndaj tyre. Ndërtesa që do të strehojë muzeun, në 51 Pender Street East, është ndërtuar në vitin 1889 dhe është më e vjetra në zonën përkatëse të Vancouver. Ajo u ndërtua nga Yip Sang, themeluesi i Chinese Benevolent Association of Vancouver si dhe nga Dhoma Kineze e Tregëtisë. Ndërtesa Wing Sang u ble në vitin 2004 nga Bob Rennie, i cili e krijoi pasurinë e tij në biznesin e pronave të paluajtshme dhe është një koleksionist i pasionuar i artit bashkëkohor. Ai shpenzoi 10 milionë dollarë në pesë vjet për të rinovuar ndërtesën dhe për ta bërë atë një muze ku do të prezantonte koleksionin e tij. Ndërtesa në të ardhmen do të jetë në pronësi të Chinese Canadian Museum Society British Columbia, organizatë që do të administrojë dhe muzeun. Nga shuma e vënë në dispozicion nga qeveria, 25.5 milionë dollarë do të përdoren për blerjen e ndërtesës dhe 2 milionë për mirëmbajtjen dhe aktivitetet e muzeut. Fondacioni Rennie do të ofrojë gjithashtu një donacion prej 7.8 milionë dollarësh për të garantuar funksionimin e muzeut. Muzeu kushtuar historisë së kino-kanadezëve është planifikuar të hapet në vitin 2023.

 

Alberta, nis Festivali Silver Skate në Edmonton

Ka nisur të premten (11.02) në Alberta Festivali Edmonton Silver Skate. Në Hawrelak Park deri më 21 shkurt, banorët mund të shijojnë një sërë aktivitetesh duke filluar nga garat me këpucë dëbore te shfaqjet, garat e patinazhit të shpejtësisë dhe skulpturat e akullit. Festivali Silver Skate është një përzierje e artit, kulturës, argëtimit, sportit dhe eventeve të kulinarisë që janë zhvilluar prej vitesh në Parkun Hawrelak. “Qëllimi ynë është të ofrojmë eksperienca dimërore”, ka deklaruar për Radio-Canada, drejtoresha e festivalit, Erin DiLoreto. Ndërsa për skulptorët nga provinca e Quebéc, Yves Thibault, Patrick Léveillé dhe Frédéric Tremblay, aktiviteti është një mundësi për t'iu larguar pandemisë dhe për të shijuar dimrin. “Kjo është hera e parë që dalim jashtë Quebéc pas dy vitesh. Kësisoj, kemi mundësi sërish t'u tregojmë njerëzve se sa i këndshëm mund të jetë dimri”, pohoi Yves Thibault. Tre skulptorët frankofonë marrin pjesë për herë të parë në Festivalin Silver Skate dhe po shfrytëzojnë eventin për të përsosur më tej aftësitë e tyre në gdhendjen e akullit.

 

Saskatchewan, një grua do përshkojë Kanadanë nga një oqean në tjetrin, në kujtim të viktimave autoktone

Krista Fox me shallin e verdhë

Ndryshe nga shumë të tjerë që përgatiten të festojnë Ditën e Shën Valentinit me lule dhe çokollata, familjet dhe miqtë e grave autoktone të zhdukura apo të vrara, po përgatiten të marshojnë dhe të organizojnë ceremoni në kujtim të tyre. Një grua madje, do përshkojë Kanadanë, nga një oqean në tjetrin, me dëshirën që këto viktima të mos harrohen kurrë. Ajo është 53-vjeçarja Krista Fox,  nga North Battleford i Saskatchewan, që në këtë ndërmarrje të pazakontë, do të shoqërohet nga nëna e Ashley Morin, një grua e re autoktone që u zhduk në 2018, si dhe nga Lindsey, motra e Megan Gallagher, e cila u zhduk në Saskatoon në shtator 2020. Përpara se të mbërrinte në Victoria për nisjen zyrtare të udhëtimit të saj, Krista Fox vizitoi disa komunitete në British Columbia. Ajo udhëtoi drejt Prince George më 5 shkurt, duke përshkuar atë që është pagezuar Rruga e Lotëve, territor ku shumë gra autoktone janë zhdukur ndër vite. Krista Fox u takua gjithashtu me anëtarët e komuniteteve Smithers dhe Terrace në 6 shkurt. Nesër, në Ditën e Shën Valentinit, ajo do të bashkojë zërin e saj me zërin e qindra të tjerëve në zemër të qendrës së Vancouver, në Eastside, në marshimin e 31-të që zhvillohet çdo vit në përkujtim të grave autoktone të zhdukura apo të vrara. Udhëtimi i saj nga Victoria (BC) në Halifax (NS) mund të ndiqet në faqen e saj Facebook dhe profilin në Tik Tok.

 

Newfoundland, një anije kargo hollandeze derdh aksidentalisht në oqean 30,000 litra karburant

Rreth 30,000 litra karburant u derdhën në brigjet e Newfoundland, ka njoftuar të premten (11.02) Roja Bregdetare Kanadeze. Mazuti rrodhi nga rezervuari në pjesën e poshtme të një anijeje hollandeze kargo për transportim mallrash, MVMV Alaskaborg, dhe më pas u derdh direkt në oqean. Ngjarja ka ndodhur pranë bregut jugor të Newfoundland, afërsisht 97 milje detare në Juglindje të Cape Race. Incidenti aksidental i ndotjes së ambientit, siç përshkruhet nga autoritetet federale, mendohet se ka ndodhur për shkak të kushteve të këqija të motit dhe lënda djegëse e derdhur në oqean u konstatua qysh të enjten (10.02). MVMV Alaskaborg është një anije 143 metra e gjatë që i përket kompanisë hollandeze Royal Wagenborg, e prodhuar në Kinë, në vitin 2012. Anija ishte nisur nga Baie-Comeau me destinacion Roterdamin, në Hollandë, pohoi Roja Bregdetare Kanadeze. Nën kujdesin e Transport Canada dhe nën mbikëqyrjen e anijes kanadeze të Rojes Bregdetare CCGS Ann Harvey, kargo gjigand hollandez u ridrejtua për në portin e St-John në Newfoundland.

 

Ottawa, qeveria Trudeau do shpenzojë 5 miliardë dollarë për blerje dronësh të pajisur me armatim

Dron me armatim luftarak i prodhuar në Turqi

Pas gati dy dekadash diskutimesh nëse ia vlen që Kanadaja t'i blejë apo jo, qeveria Trudeau ka shpallur zyrtarisht një tender për blerjen e dronëve të pajisur me armatim. Mësohet se një ftesë zyrtare për propozime u është dorëzuar të premten (11.02) dy kompanive të përzgjedhura paraprakisht në konkurimin për kontratën prej 5 miliardë dollarësh, e cila do t’u mundësojë në vitet e ardhshme Forcave të Armatosura Kanadeze të pajisen me një flotë mjetesh ajrore pa pilot. Sipas parashikimeve, kontrata formale mund të firmoset pas një ose dy vitesh, ndërsa dorëzimi i dronit të pare mund të realizohet në vitin 2025, ndërsa i atij të fundit, në fillim të viteve 2030. Kërkesa nuk specifikon numrin e dronëve që qeveria Trudeau synon të blejë, duke e lënë në dorë të dy kompanive të përzgjedhura të përcaktojnë se deri në cilën masë oferta e tyre do të plotësojë nevojat e ushtrisë, dhe sipas qeverisë edhe masën e përfitimit të ekonominë kanadeze. Gjithnjë sipas qeverisë, fakti që ushtria ka arritur këtë moment historik përfaqëson një hap të madh përpara pas gati 20 vitesh punë për përzgjedhjen dhe blerjen e një flote mjetesh ajrore pa pilot për të monitoruar territorin kanadez dhe për të mbështetur misionet jashtë vendit. Përveç blerjes së një numri të vogël dronësh të përkohshëm të paarmatosur për luftën në Afganistan (mjete që nuk janë më në përdorim), ushtria kanadeze nuk ka qenë në gjendje deri tani të sigurojë një flotë të përhershme, pavarësisht faktit se dronët po luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm për të gjitha ushtritë e vendeve partnere ose jo. Një raport i botuar në Revistën e Forcave Ajrore Mbretërore Kanadeze në fund të 2015, theksonte që 76 ushtri të huaja po përdornin dronë dhe 50 të tjera po i zhvillonin ato. Arsyeja pse kjo nuk ka ndodhur edhe në Kanada, është se asnjë qeveri federale nuk kishte lejuar blerjen e dronëve si pajisje të përhershme brenda ushtrisë në të njëjtën mënyrë si skuadriljet e avionëve luftarakë ose helikopterëve, derisa qeveria Liberale e Justin Trudeau i përfshiu ato në politikën e saj të Mbrojtjes në 2017.

©Flasshqip me informacione nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada