Aktualitet

Kanadaja tërheq trupat ushtarake nga Ukraina dhe u bën thirrje shtetasve të vet të largohen prej andej

Forcat e Armatosura Kanadeze do të zhvendosin personelin e tyre prezent në Ukrainë diku tjetër në Evropë, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes Kombëtare në një deklaratë të publikuar të dielën 13 shkurt.

Ushtarakët e Canadian Armed Forces Joint Task Force-Ukraine kryejnë prej vitit 2015 misione trajnimi me Forcat e Sigurisë të Ukrainës dhe sipas dikasterit të Mbrojtjes, ky ripozicionim garanton sigurinë e tyre. “Mbrojtja e ushtarakëve tanë është përparësia absolute e jona”, ka pohuar dhe një zëdhënës i kabinetit të Ministres së Mbrojtjes, Anita Anand. Jo më larg se tre javë më parë, ky mision që e kishte afatin e përfundimit në fund të marsit 2022, u zgjat edhe për tre vjet të tjera nga qeveria Trudeau.

Anita Anand

Nga ana e saj, Ministrja e Jashtme e Kanadasë, Mélanie Joly, njoftoi qysh të shtunën (12.02) pezullimin e aktiviteteve të ambasadës kanadeze në Kiev dhe hapjen e një zyre të përkohshme në Lviv, në Ukrainën Perëndimore, për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë të shkaktuar nga vendosja e forcave ruse në kufirin me Ukrainën. Ministrja Joly u bëri thirrje gjithashtu qytetarëve që të shmangin të gjithë udhëtimet drejt Ukrainës dhe ata që janë aktualisht atje të largohen menjëherë prej andej.

Edhe Shtetet e Bashkuara kanë urdhëruar largimin e shumicës së stafit të ambasadës së tyre në Kiev, duke paralajmëruar se një ofensivë ruse mund të fillojë në çdo kohë. Zyrtarët nga shtetet e tjera u kanë bërë thirrje gjithashtu shtetasve të tyre që të largohen nga territori ukrainas: Gjermania, Italia, Britania e Madhe, Irlanda, Belgjika, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Estonia, Lituania, Bullgaria, Sllovenia, Australia, Japonia, Izraeli, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Nga ana e saj, Franca nuk u ka bërë thirrje zyrtarisht qytetarëve të saj që të largohen nga Ukraina, por i ka këshilluar ata të mos udhëtojnë në zonat kufitare Veriore dhe Lindore.

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Ints Kalnins/Reuters; Gints Ivuskans/AFP