Aktualitet

Kanada - E vështirë të provohet se gjendja e jashtëzakonshme është e domosdoshme

Ky është titulli i një shkrimi të publikuar sot (20.02) rreth mesditës nga CBC-Radio-Canada, media shtetërore kanadeze, ndërkohë që deputetët e Dhomës së Komunave vazhdojnë debatet e tyre mbi vlefshmërine apo jo të përdorimit të Aktit të Masave Urgjente nga qeveria Trudeau. Për të marrë mbështetjen e partive opozitare, Liberalëve u duhet të dëshmojnë se veprimi i tyre ishte thelbësor, një gjë “e vështirë” kjo te justifikohet në rrethanat aktuale, citohet të ketë deklaruar sot për Radio-Canada, profesori i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin Laval, Patrick Taillon.

Patrick Taillon

Profesor Taillon ka shpjeguar me gjuhën e ekspertit që kur Akti i Masave të Luftës u rishkrua në vitin 1988, duke u shndërruar në Aktin e Masave Urgjente, preokupimi kryesor ishte përcaktimi dhe kuadrimi i rrethanave që lidhen me zbatimin e tij, saqë sot, duhet pohuar që pa patur arsye shumë serioze, aplikimi i tij është i panevojshëm. “Për të përmbushur standardin e lartë të kërkuar nga ligji, thuajse duhet t'i cilësosh demonstruesit si terroristë, gjë që më duket paksa e ekzagjeruar. Kërcënimi që duhet demonstruar nuk rezulton të jetë i tillë. Pra, nuk mjafton të thuhet nga qeveria se ligji është i nevojshëm të aplikohet, por duhet të demonstrohet se ishte i domosdoshëm të aplikohej. Qeveria është në një pozicion të dobët në këtë rast, sepse është e vështirë të vërtetohet që është thelbësore dhe e domosdoshme shpallja e masave të jashtëzakonshme, kur nuk u përdorën instrumentet normale ligjore në 14 ditët e para të krizës”, ka konkluduar ai.

A do të anulohet së shpejti gjendja e jashtëzakonshme?

Akti i Masave Urgjente i jep dorë të lirë qeverisë dhe ajo mund ta përdorë atë kur e gjykon të arsyeshme, ndërsa deputetët dhe senatorët, brenda shtatë ditëve duhet të analizojnë vlefshmërinë e masave bazuar në fakte.

“Ideja është t'i japësh një çek të bardhë qeverisë që të jetë në gjendje të veprojë shpejt kur e kërkojnë rrethanat”, ka qenë sot shpjegimi i profesor Patrick Taillon i përmbledhur në një fjali mbi thelbin e ligjit në fjalë.

Pyetja shtrohet nëse Parlamenti (Dhoma e Komunave dhe Senati) do të pranojë apo jo që gjendja e jashtëzakonshme të mbahet për të paktën 30 ditë, siç e parashikon ligji dhe siç duket në aparencë se është dhe synimi i qeverisë Trudeau, por ç’mund të thuhet për deklaratën e djeshme të Ministrit të Rendit Publik, Marco Mendicino, sipas të cilës masat do të mbahen për aq kohë sa të jetë e nevojshme? Sa do të jetë kjo “kohë e nevojshme”?

Shumë deputetë të Dhomës së Komunave janë shprehur kundër. Ndër ta, deputeti i Longueuil, Denis Trudel (Blloku Québécois) është shprehur sot se nuk ka emergjencë kombëtare. “Situata e bllokimit në qendër të Ottawa perfundoi. Nuk ka mbetur askush në rrugën përpara Parlamentit”, ka thënë ai.

Të tjerë deputetë kërkuan gjithashtu garantimin e të drejtës për të manifestuar dhe besojnë se ekzistojnë dispozita të tjera për t’u përballur me kundërshtarët e kufizimeve shëndetësore.

“A ishte vërtet i nevojshëm aplikimi i masave? Ne besojmë se jo, besojmë se me gjithçka që kemi parë të ndodhë gjatë dy ditëve të fundit, mjetet ligjore në dispozicion (Kodi Penal) i lejonin policisë të ndërhynte në të njëjtën mënyrë”, i ka deklaruar nga ana e tij po sot Radio-Canada, Luc Berthold, nënkryetar i Partisë Konservatore.

Ndërkohë, Policia e Ottawa pohoi të premten (18.02) se masat e jashtëzakonshme kontribuan në përgjigjen e tyre të suksesshme ndaj protestës së “Freedom Convoy”, por Shoqata Kanadeze e të Drejtave Qytetare ngriti padi kundër qeverisë federale. Ajo konstatoi se masat e jashtëzakonshme shkelin të drejtat e kanadezëve të garantuara nga Karta Kanadeze e të Drejtave dhe Lirive. Edhe Kryeministri i Alberta-s, Jason Kenney, njoftoi dje se partia e tij, Partia e Bashkuar Konservatore, do të kundërshtojë vendimin federal në gjykatë.

Sipas profesorit Patrick Taillon, kjo është një dosje që do të zvarritet për disa muaj, madje për disa vite, por kur të revokohet gjendja e jashtëzakonshme, do të bëhet edhe një hetim parlamentar për të vlerësuar nëse ishte vendimi i duhur dhe nëse u përdorën me ekulibër dhe proporcionalitet masat e jashtëzakonshme.

Siç kemi raportuar, votimi i në Dhomën e Komunave to zhvillohet nesër (21.02) në mbrëmje ora 20.00.

©Flasshqip.ca me informacion nga Rdio-Canada

Foto: Radio-Canada