Pas Kryeministrit Trudeau edhe Mbretëresha Elizabeth II me COVID-19
Sipas Buckingham Palace, në një njoftim zyrtar të publikuar sot (20.02), Mbretëresha Elizabeth II, njëherazi dhe kreu i shtetit kanadez, rezultoi pozitive me COVID-19. Sipas deklaratës, simptomat janë “te lehta”, të ngjashme me ato të një ftohjeje, por megjithatë ajo do vazhdojë të ushtrojë disa nga detyrat e saj më të thjeshta gjatë javës që vjen, nga Windsor, kështjella që është bërë vendbanimi i saj kryesor prej që kur nisi pandemia. “Ajo do të vazhdojë të ketë mbikëqyrje mjekësore dhe të ndjekë të gjitha rekomandimet e duhura”, thuhet më tej në deklaratë. Kësisoj, brenda më pak se një muaji, dy autoritetet më të larta kanadeze janë testuar pozitivë. I pari, kryeministri Trudeau në fund të janarit.
Sipas mediave britanike, Mbretëresha, e cila do të mbushë 96 vjet më 21 prill, është vaksinuar tre herë, ashtu si djali i saj Charles dhe gruaja e tij, Camilla, e cila gjithashtu rezultoi pozitive së fundmi. “Mbretëresha do të vëzhgohet nga afër në ditët në vijim për atë që shpresojmë të mos jetë gjë tjetër veçse një shqetësim i vogël”, është shprehur nga ana e tij Joe Little, redaktori i Magazine Majesty.
Në një koment të Agence France-Presse, theksohet që “sovrania më e famshme në planet, e cila sapo ka kaluar momentin historik të 70 viteve të mbretërimit, një rekord për monarkinë britanike, është takuar me djalin e saj Princin Charles, më 8 shkurt, dy ditë para se ai të dilte pozitiv”.
Kryeministri Boris Johnson, i uroi asaj në Twitter shërim të shpejtë. Urime për shëndetin i shprehën asaj edhe Kryeministri kanadez Justin Trudea si dhe shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Lajmi për problemet shëndetësore të Mbretëreshës Elizabeth II, në kohën kur qeveria britanike përgatitet të heqë kufizimet më të fundit shëndetësore, mbërrin paralelisht me një kontekst disi të trazuar për familjen mbretërore, teksa djali i saj i dytë, Princi Andrew, ka arritur një marrëveshje për t'i dhënë fund një padie në Shtetet e Bashkuara për agresion seksual dhe Scotland Yard-i ka hapur një hetim lidhur me një fondacion të Princit Charles.
Sigurisht, çështjet e Kanadasë sovrania e Kurorës, ia ka besuar Guvernatores së Përgjithshme, Mary Simon, e cila në këto ditë të trazuara në Ottawa ka “shkëlqyer” me heshtjen e saj.
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Foto: Getty Images/WPA/Victoria Jones












