Aktualitet

Komunat miratojnë masat e jashtëzakonshme të Justin Trudeau, pritet vota e Senatit

Ashtu siç ishte paralajmëruar, me ndihmën e votave të Neodemokratëve të Jagmeet Singh, deputetët Liberalë të Dhomës së Komunave, miratuan sonte në mbrëmje (21.02) mocionin që ratifikon dekretet e masave të jashtëzakonshme të qeverisë Trudeau, bazuar në Aktin e Masave Urgjente të vitit 1988, akt që aplikohet për herë të parë në historinë e Kanadasë. Sipas kryeministrit Trudeau, aplikimi i masave mbetet i nevojshëm për të ruajtur paqen, pavarësisht përfundimit të ndërhyrjes së policisë në Ottawa, ndërsa sipas Jagmeet Singh, masat janë të domosdoshme sepse demokracia kanadeze është e rrezikuar.

Mocioni u miratua me 185 vota pro dhe 151 kundër diku pas orës 20:00, ndërkohë që një pjesë e deputetëve votonin në distancë, përfshi dhe kreun e NDP, që e ndiqte seancën nga shtëpia.

Blloku Québécois dhe Konservatorët e kundërshtuan ratifikimin e mocionit, pa arritur të bashkojnë votat e mjaftueshme për ta rrëzuar atë. Disiplina Liberalë-NDP rezultoi e pathyeshme. Ndërkohë, u bë e ditur që Konservatorët do përdorin procedurën e parashikuar në Aktin e Masave Urgjente, për të kërkuar revokimin e mocionit që u miratua sot.

Partia Konservatore, përmes drejtueses në detyrë, Candice Bergen, tentoi ta paraqiste kërkesën e nënshkruar nga 20 deputetë menjëherë pas shpalljes së rezultatit të votimit, por sërish displina e pathyeshme Liberalë-NDP e shtyu diskutimin. Lidhur me mocionin e Konservatorëve, një tjetër votim në Dhomën e Komunave mund të bëhet gjatë ditëve në vijim.

Nga ana e saj, policia e Ottawa ka njoftuar gjithashtu sot, se disa protestues apo grupe kanë dhënë mesazhin e vazhdimit të protestave, ndërsa dje, ushtruesi i detyrës së shefit të Shërbimit Policor të Ottawa, Steve Bell, u shpreh se faza e rikthimit të gjendjes normale në qendër të kryeqytetit mund të marrë ende kohë, deklarata këto që indirekt justifikojnë zgjatjen e masave të qeverisë.

Salla e Senatit Kanadez

Senati do të votojë gjithashtu për dekretet e masave të jashtëzakonshme, pas debatit që do të fillojë nesër në mëngjes (22.02) dhe që është programuar deri të premten (25.02) me orarin e përditshëm 09:00-21:00. Në varësi të zgjatjes së diskutimeve, mund të ndodhë që votimi të bëhet edhe para të premtes. Nëse shumica e Senatit nuk i miraton dekretet e qeverisë, gjendja e jashtëzakonshme ndërpritet menjëherë.

©Flasshqip.ca

Foto: The Canadian Press/Sean Kilpatrick