Aktualitet

Java Kanadeze - Lajme shkurt 27.02.2022

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Melanie Joly në Kiev-Ukrainë, 18 janar 2022, duke vendosur lule në Murin Përkujtimor të të rënëve të Ukrainës, në Luftën Ruso-Ukrainase. (Foto Zyra e Shtypit e Ministrisë së Jashtme të Ukrainës/AP)

 

Ottawa, qeveria federale akordon 25 milionë dollarë shtesë ndihmë ushtarake për Ukrainën

Ulje e ndjeshme e rasteve me COVID-19 në Kanada

Vancouver, manifestim kundër sulmit rus në Ukrainë

Alberta, nga 1 Marsi thuajse të gjitha kufizimet sanitare do shfuqizohen

Winnipeg, Buhler Industries me pronarë rusë nuk përfshihet nga sanksionet

Halifax, bashkia refuzon rritjen 2 milionë dollarë të buxhetit të policisë

Montréal, Krijohet komisioni bashkiak për gjuhën frënge

Toronto, filmi “Scarborough” shfaqet për herë të parë në lagjen me të njejtin emër

 

Ottawa, qeveria federale akordon 25 milionë dollarë shtesë ndihmë ushtarake për Ukrainën

Helmeta, jelekë antiplumb, maska ​​antigaz, pajisje për shikim natën: Kanadaja do të dërgojë 25 milionë dollarë shtesë në pajisje ushtarake jo-vdekjeprurëse në Ukrainë, për ta ndihmuar të mbrohet kundër pushtimit rus. Furnizimi i ri do të kalojë përmes Polonisë, shpjegoi sot pasdite (27.02) ministrja e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Mélanie Joly, gjatë një konference virtuale për shtyp, ku mori pjesë edhe ministrja e Mbrojtjes Kombëtare, Anita Anand. Kjo ndihmë është shtesë e asaj të shpallur në javët e fundit. Ottawa deri më tani i ka ofruar Kievit rreth 10 milionë dollarë armë dhe pajisje, duke përfshirë 7.8 milionë dollarë pajisje armatimi vdekjeprurës. “Ne synojmë të bëjmë më shumë”, deklaroi ministrja Joly, pas bisedës edhe me homologët e saj nga G7, BE dhe Ukraina. Aktualisht, 780 ushtarë kanadezë janë vendosur në Evropë si pjesë e misionit Reassurance, duke përfshirë 540 në Letoni dhe deri në 460 të tjerë do t'u bashkohen atyre në javët e ardhshme. Përveç kësaj, 3,400 anëtarë të Forcave të Armatosura Kanadeze janë autorizuar të vendosen në Evropë nëse NATO do ketë nevojë.

 

Ulje e ndjeshme e rasteve me COVID-19 në Kanada

Theresa Tam

Në një konferencë për shtyp të premten (25.02) kryeadministratorja e Public Health Agency of Canada, Theresa Tam, ka deklaruar që numri i rasteve aktive të COVID-19 në Kanada është ulur 26% krahasuar me javën e kaluar dhe gjithashtu shtrimet në spital janë ulur 20% gjatë të njëjtës periudhë. Ajo pohoi në të njëjtën kohë se varianti BA.1 i Omicron është ende dominant në vend dhe që nënvarianti BA.2 përbën afërsisht 10% të rasteve të infektimit me COVID. BA.2 është edhe më i transmetueshëm se BA.1, por ky fakt nuk ka shkaktuar raste më të rënda të sëmundjes. Sipas saj, institucionet federale të Shëndetësisë mbeten vigjilentë dhe i përshtasin udhëzimet në raport me evoluimin e të dhënave ndaj dhe publiku, duhet të vazhdojë të ndjekë udhëzimet e Shëndetit Publik dhe të marrë dozën përforcuese të vaksinës kundër COVID-19.

 

Vancouver, manifestim kundër sulmit rus në Ukrainë

Qindra qytetarë u mblodhën dje (26.02) para Galerisë së Arteve në Vancouver të British Columbia, për të denoncuar sulmin ushtarak rus ndaj Ukrainës. Protesta ishte pjesë e manifestimeve të ngjashme në mbarë vendin dhe në mbarë botën. “Nuk është vetëm Ukraina që preket, është e gjithë Evropa, është e gjithë bota, është demokracia që preket, vetëm për shkak të një personi”, i ka deklaruar Radio-Canada, Iryna Scache, e cila ka lindur në Ukrainë, por jeton në Vancouver. Një tjetër ukraino-kanadeze, Anastasia Lysova, ka pohuar që mori pjesë në protestë “për t'i kërkuar qeverisë kanadeze të dërgojë trupa ushtarake për të mbështetur Ukrainën dhe për të lehtësuar ardhjen e refugjatëve ukrainas në vend”. Po kështu, sipas CBC News, Konsullja e nderit e Rusisë në Vancouver ka dhënë dorëheqjen nga posti i saj. Erin Campbell, e cila ka përfaqësuar Federatën Ruse në British Columbia që nga viti 2016, nuk ka dashur të japë më shumë informacion, përveçse të konfirmojë me një mesazh SMS se nuk është më “konsull nderi” i këtij vendi. Ndërkohë, Ambasada ruse në Kanada nuk iu përgjigj kërkesave për koment mbi dorëheqjen dhe nuk konfirmoi nëse konsujt e tjerë të nderit në Kanada janë dorehequr nga postet e tyre për shkak të situatës aktuale.

 

Alberta, nga 1 Marsi thuajse të gjitha kufizimet sanitare do shfuqizohen

Jason Kenney

Kryeministri i Alberta-s, Jason Kenney konfirmoi dje (26.02) shfuqizimin e shumicës së masave shëndetësore, përfshirë detyrimin për të mbajtur maskë, që nga 1 marsi. “Ne mund të kthehemi drejt jetës normale me besim”, deklaroi ai në ceremoninë e përurimit të Spitalit të ri Rajonal në Grande Prairie. Një plan rihapjeje me tri faza u prezantua qysh në fillim të shkurtit dhe ai bazohej në disa faktorë, përfshirë numrin e personave me COVID-19 në spitale. Kryeministri Kenney u shpreh për Radio-Canada se numri të rasteve me COVID vijon të pakësohet dhe kujtoi se vendimi i provincës Alberta është i ngjashëm me atë të Anglisë. Në këtë fazë të dytë hiqen të gjitha kufizimet në shkolla, kufizimet e kapacitetit gjithashtu si dhe ato në lidhje me tubimet. Publikut nuk i kërkohet më të mbajë maskë, përveç në vende me rrezikshmeri të lartë infenktimi, si transporti publik ose shërbimet e kujdesit të vazhdueshëm. Më në fund, puna nga shtëpia nuk është më e detyrueshme.

 

Winnipeg, Buhler Industries me pronarë rusë nuk përfshihet nga sanksionet

Sipas Radio-Canada, prodhuesi i pajisjeve bujqësore me bazë në Winnipeg, Buhler Industries, është pothuajse tërësisht në pronësi ruse, por nuk është subjekt i sanksioneve të Kanadasë pas pushtimit të Ukrainës. Ndërkohë, në fillim të javës, një nga drejtorët e Buhler Industries, Konstantin Babkin, pat postuar në Twitter mbështetjen e tij për vendimin e Vladimir Putin për të njohur republikat popullore të Donetsk dhe Luhansk. Babkin është gjithashtu lider i një partie politike që mbështet Vladimir Putin. Në vitin 2014, ai përshëndeti veprimet ruse që çuan në pushtimin e Krimesë. Të enjten (24.02), megjithatë, Buhler Industries publikoi ​​një deklaratë që dënonte pushtimin e Ukrainës. “Federata Ruse pushtoi Ukrainën. Buhler Industries e kundërshton fuqishëm këtë veprim”, ishin fjalët e zëdhënësit Adam Reid. Ndërkohë, dihet që kompania ruse bujqësore Combine Factory Rostselmash Ltd zotëron 97% të Buhler Industries. Sipas Reid, “Buhler Industries operon në mënyrë të pavarur nga Combine Factory Rostselmash Ltd” dhe ai nuk kishte asnjë koment mbi veprimet ose lidhjet e aksionerëve kryesorë. Zëdhënësi i Buhler Industries pohoi gjithashtu që kompania nuk është një kompani ruse.

 

Halifax, bashkia refuzon rritjen 2 milionë dollarë të buxhetit të policisë

Këshilli i Bashkisë Halifax, kryeqendra e Nova Scotia, ka hedhur poshtë të premten (25.02) buxhetin e propozuar nga Departamenti i Policisë, që kërkonte rritje në masën 2 milionë dollarë. Kësisoj, Bordi i Komisarëve të Policisë së bashkisë duhet të përgatisë një propozim të ri buxhetor të reduktuar, i cili nuk mund të sugjerojë një rritje prej më shumë se 1.3 milionë dollarë. Policia ka deklaruar se ka nevojë për fonde shtesë për të punësuar 25 policë të rinj dhe 9 punonjës civilë. Policia Rajonale e Halifax, është një nga dy forcat policore, sëbashku me RCMP (Policia Mbretërore Kanadeze), që u shërben komuniteteve të gjithë rajonit Halifax. Taksapaguesit në Halifax, paguajnë më shumë për forcat e tyre policore sesa në bashkitë e tjera anembanë vendit, sipas një raporti mbi financimin e policisë, të përgatitur nga një nënkomision i Bordit të Komisarëve të Policisë të paraqitur në janar. Policia e Halifax dhe RCMP kushtuan 127.4 milionë dollarë në vitin fiskal 2019-2020. Kjo shumë së shpejti do të rritet pasi një kontratë e re punësimi hyn në fuqi më 1 Prill në RCMP, kontratë e cila përmban rritje pagash retroaktive qysh nga viti 2017. Duke përjashtuar RCMP, taksapaguesit e Halifax (rreth 500,000 banorë) paguajnë më shumë për forcën e tyre policore bashkiake se sa mesatarja e qyteteve me popullsi ekuivalente në Kanada.

 

Montréal, Krijohet komisioni bashkiak për gjuhën frënge

Louise Harel

Ashtu siç ishte deklaruar para zgjedhjeve lokale në rast fitoreje të Valérie Plante, ish-ministrja e Pushtetit Lokal e qeverisë së Québec, Louise Harel, do të kryesojë Komisionin e Gjuhës Frënge të qytetit të Montréal, krijimi i të cilit u rekomandua qershorin e kaluar edhe nga Komiteti Ekzekutiv i Bashkisë. Lousise Harel, e cila ishte anëtare e Asamblesë Kombëtare nga viti 1981 deri në 2008 dhe kandidate për kryetare bashkie në Montréal në vitin 2013, do të drejtojë një ekip, mandati i të cilit është të këshillojë dhe mbështesë bashkinë në zbatimin e Planit të Veprimit për Promovimin e Gjuhës Frënge 2021-2024. Tetë persona të tjerë do të jenë pjesë e këtij komisioni, duke përfshirë Louise Beaudoin, gjithashtu ish-ministre dhe anëtare e Asamblesë Kombëtare nga viti 1994 deri në 2003 dhe nga 2008 në 2012. Të tjerët janë Jean-Philippe Alepins, anëtar i Bordit drejtues të Shoqatës për Artet Teknologjikë, gazetarja Anne Lagacé Dowson, autori dhe animatori Stanley Péan, Stella Guy, që ka mbajtur disa pozicione drejtuese në bashki për 19 vjet, Aida Kamar, CEO e Vision Diversité, Lin Zi Shang, bashkëthemeluese dhe drejtuese e Gallea, si dhe një artiste multidisiplinare, Elkahna Talbi. Kryetarja e Bashkisë Montréal, Valérie Plante, pas komunikimit publik të emrave të komisionit, ka deklaruar se gjuha frënge është një pasuri kolektive dhe një element thelbësor i identitetit të Montréal.

 

Toronto, filmi “Scarborough” shfaqet për herë të parë në lagjen me të njejtin emër

Shumë banorë të lagjes së njohur me të njejtin emër të Torontos, morën pjesë në shfaqjen e parë të filmit “Scarborough” në kinemanë Cineplex, pranë kryqëzimit Eglinton dhe Warden. Filmi bazohet në librin “Scarborough” të Catherine Hernandez, botuar në vitin 2017, i cili sapo është përshtatur për ekranin e madh nga Shasha Nakhai dhe Rich Williamson. Filmi artistik paraqet me imazhe historinë e banorëve të Scarborough dhe jetën e tyre të përditshme. Ngjarja ishte domethënëse edhe për grupin e xhirimit, që e priste me padurim këtë moment. Filmi nxjerr në pah realitetet socio-ekonomike të disa familjeve në lagjen multikulturore Scarborough në lindje të Torontos, përmes historisë së tre fëmijëve që përballen me të gjitha llojet e sfidave, si pasiguria ushqimore, varfëria apo racizmi. Filmi “Scarborough” ka fituar 11 nominime për çmimin Canadian Screen Award, fituesit e të cilit do të shpallen në prill. Filmi gjithashtu do të prezantohet edhe në qytete të tjera anembanë vendit, duke përfshirë Hamilton dhe Saskatoon.

©Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada/The Globe and Mail/AP